Trafik droge I dënuar në Itali, arrestohet me qëllim ekstradimi Paro Laçi

Anxhela Tato

Paro-LaciMesa duket nuk kanë fund problemet e drejtësisë për ish-presidentit e ekipit të “Partizanit”. Këtë herë Paro Laçi nuk ka mundur t’i shpëtojë prangave për llogari të drejtësisë italiane. Lajmi i prangosjes së tij është bërë me dije ditën e djeshme nga ana e uniformave blu, të cilët kanë pohuar se Paro Laçi është i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane që e ka ndëshkuar me 10 vjet heqje lirie për akuzën e trafikut të drogës. Burime nga blutë zbulojnë se ka pasur informacione paraprake për vendndodhjen e Paro Laçit. Një patrullë është paraqitur në një lokal në rrugën e “Durrësit”, ku fillimisht u hodhën dyshime se ndodhej i ulur ish-presidenti i ekipit të “Partizani”. Pas identifikimit punonjës policie janë futur në ambientet e brendshme të lokalit, duke i vënë prangat. Mësohet se Paro Laçi nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe ndodhet momentalisht në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku do t’i nënshtrohet marrjes në pyetej nga ana e punonjësve të policisë. Ndërkohë që konfirmohet fakti se arrestimi i tij është në kuadër të ekstradimit për në Itali, ku ndaj tij është dhënë një masë dënimi në mungesë. Por Laçi është i njohur edhe për problemet me drejtësinë shqiptare. Fillimisht ai ka qenë në një procedim gjyqësore për akuzën e trukimit të ndeshjeve, por në fund Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm. Në momentin që dosja vajti në Apel, u vendos ndryshimi i vendimit duke u dhënë ndaj tij masa e sigurisë arrest shtëpi, kjo e fundit pas pranimit nga vetë Laçi për ekstradim në Itali. Por i pandehuri nuk u gjet asnjëherë në banesë dhe policia e shpalli në kërkim. Kjo masë ka ardhur sepse Interpol Roma-Itali ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar pasi Gjykata e Milanos me Vendim të saj të datës 09.04.2011 e ka dënuar Paro Destan Laçi, me 10 vjet e 6 muaj burg për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikim të lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 73, 80, të nenit 309/90 të Ligjit Italian për Drogat.

 

Prokuroria

Gati kërkesa për gjykim e mashtruesit Juventin Cere

Klonoi kartat e klientëve duke përfituar me anë të mashtrimit kompjuterik 15 mijë euro. Ky është rasti i Juventin Ceres, administrator i një agjencie udhëtimesh në qytetin  Durrësit, për të cilin prokuroria ka gati dosjen hetimore. Në ngarkim të të pandehurit Cere rëndojnë dy akuza, mashtrim kompjuterik i kryer në bashkëpunim në dëm të disa personave si dhe mashtrim në dëm të disa personave. Dosja hetimore do të depozitohet në gjykatë, ku do të bëhet pjesë e shortit elektronik, i cili do të përzgjedh trupën gjykues dhe datën e çeljes së seancës së parë gjyqësore. Mё datё 24.05.2013, Seksioni  Kundër Krimit Komjuterik ёshtё njoftuar nga  punonjёs tё një banke se  pranё subjektit tregtar tё quajtur “One Trave” janё kryer disa transaksione bankare të dyshuara si tё paligjshme nёpёrmjet përdorimit tё kartave bankare tё falsifikuara, nga persona tё paidentifikuar. Nga dokumentacioni i dёrguar rezulton se më 23.05.2013, nё aparaturën “POS” tё vendosur nga banka janё konstatuar 10 transaksione tё dyshura tё paligjshme nёpёrmjet pёrdorimit tё pesё kartave bankare të lëshuara nga e njёjta bankё Amerikane. Disa prej kёtyre transaksioneve kanë qenë tё suksesshme dhe nёpёrmjet përdorimit janë procesuar për të kaluar nё llogarinë e këtij subjekti tregtar shuma rreth 3495.70 euro.  Juventin Cere ka shpjeguar se kalimi i parave nga  llogaria e klientit nё llogarinё e shoqёrisё “One Travel” ёshtё bёrё pёr shkak se ai ka shitur bileta tё shoqёrisё “Austrian Airlines” pёr shtetasit Agim Feneri dhe  Dritan Met’hoxha si dhe ka bёrё rezervime nё njё hotel nё Kopenhagën. Nga 11 transakisonet e kryera 7 prej tyre kanё qenё tё sukseshme nё shumat 10,004 euro dhe  admnistratori Juventin Cere ka justifikuar transanksionin me dy bileta avioni tё konfirmuara pёr dy persona mё konkretisht Bruno Françesko dhe John Smith.

Hetimet

Nga informacioni i dёrguar rezulton se duke analizuar numrin e veprimeve tё kryera, volumin  e transaksioneve, shumat e  pёrdorura, rezulton se jemi para rasteve tё mashtrimeve komjuterike me karta krediti tё klonuara. Gjithashtu kjo bankë na ka informuar se kartëmbajtësit e kartave kanë kundërshtuar veprimet e kryera me kartat e tyre të kreditit.  Nga informacioni i dërguar nga kjo bankë rezulton se poseduesit real janë shtetasit Raymond Jones dhe Donald Hering. Në kundërshtimet e paraqitura ata theksojnë se kartat origjinale nuk kanë qenë në posedimin e tyre në kohën kur janë kryer transaksionet e paautorizuara. Nga kqyrja e sistemit “Tims” rezulton se John Smith, Bruno Francesko, Agim Feneri, Dritan Methoxha nuk kanё hyrje-dalje nga Shqipёria nё datat qё paraqiten nё rezervimet e biletave. Nga akti i ekspertimit kompjuterik ka rezultuar se në harkdiskun e kompjuterit objekt ekspertimi është gjetur dhe një polder, ku gjendet e ruajtur bileta e Agim Fenerit. Nga të dhënat kompjuterit rezulton se kjo biletë është krijuar në komjuterin e Juventin Cere më datë 24.05.2013 në orën 11:25 min, pak minuta përpara se t’i dërgohej punonjësve të bankës. Kjo tregon që dokumenti është krijuar një ditë më pas, nga momenti i kryerjes së transanksionit, me qëllimin e  vetëm që të  justifikonte veprimin e  kundraligjshëm.

 

 

Share it :