Trafik armësh/ Zbulohet rrjeti Shqipëri-Kosovë, pjesë e grupit 2 punonjës të MB

Anxhela Tato

 

Magazinieri i Ministrisë së Brendshme furnizoi me 100 mijë copë fishekë, në krye të grupit inspektori i Drejtorisë së Migracionit

 

Policia prangos bandën e shitësve të armëve të zjarrit, dyshime se municionet janë përdoruar në krime

 

13 shkurt mitralozi arme automatike te sekuestruara municioneShkatërrohen dy grupe të përfshira në trafikun e municioneve dhe armatimeve. Operacioni “Mitralozi” ka çuar pas hekurave tre persona, të cilët shisnin armë zjarri dhe fishekë të kalibrave të ndryshme, duke qenë dora e parë e furnizimit për kriminelët. Paralelisht me këtë bandë është zbuluar organizata e trafikut të armëve në Kosovë, ku pjesë e rrjetit ishin edhe dy zyrtarë të policisë. Burime zyrtare thanë se të arrestuarit kishin ngritur një grup kriminal që merrej me trafikun e armëve të ndryshme. Hetimi në lidhje me këtë grup kriminal është bërë nga efektivët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të cilët kishin marrë informacione për përfshirjen e dy punonjësve në këtë rrjet trafiku. Arrestimi i këtyre personave është bërë pas një hetimi intensiv disamujor, të bërë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve”. Nga dokumentimi i deritanishëm i aktivitetit kriminal të këtij grupi rezulton se vetëm magazinieri i repartit 100 të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka furnizuar grupin kriminal me 100.000 mijë copë fishekë. Magazinieri i repartit 100 të Ministrisë së Punëve të Brendshme u arrestua edhe më parë, në vitin 2012, për të njëjtën akuzën, por u shpall i pafajshëm dhe u rikthye në detyrë. Sipas të dhënave të Prokurorisë, grupi kryesohej nga Liman Gjici, i cili ishte edhe inspektor në Drejtorinë e Migracionit të Kukësit. Në ndihmë të organizimit të trafikut ishte Lorenc Zyli, i cili merrem me grumbullimin dhe furnizimin me armë e municione. Të njëjtin rol luante edhe 24-vjeçari Erjon Zisko si dhe 53-vjeçari Abedin Plaku. Operacioni për kapjen e tyre u finalizua në dalje të tunelit të Kalimashit, teksa anëtarët e grupit kriminal ishin duke transportuar një sasi armësh dhe municionesh luftarake. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 12.780 fishekë automatiku e pistolete; 4 armë automatike; një sasi e konsiderueshme pjesë armësh të çmontuara.

 

“Mitralozi”

 Janë arrestuar 3 persona, pasi janë kapur në flagrancë gjatë shitjes së një sasie të konsiderueshme armësh zjarri një banori në Shkozë, mbrëmjen e djeshme. Lajmin e ka bërë të ditur policia e Tiranës, që njofton se u sekuestruan edhe 8 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe është bllokuar një automjet ku janë gjetën armët e zjarrit dhe një sasi fishekësh. Të arrestuarit janë: Petrit Hoxha, vjeç 47; Bashkim Hoxha, vjeç 44; dhe Julian Hoxha, vjeç 21, të tre banues në Shkozë, ndërsa emri i blerësit të armëve nuk bëhet i ditur, për arsye hetimi. Këta persona u kapën në flagrancë mbrëmë në zonën e Shkozës, në rrugën “Shemsi Haka”, në momentin që do t’i shisnin armët për një shumë të konsiderueshme parash një personi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Sipas informacioneve policore, në momentin e arrestimit, këtyre shtetasve iu bllokuan me cilësinë e provës materiale 8 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh, të cilat u gjetën në automjetin tip “Mercedes-Benz” të shtetasit Bashkim Hoxha, i cili u bllokua në cilësinë e provës materiale.

 

 

Trafikantët

 Fadil Sula, 53 vjeç, lindur dhe banues në Bushtricë të rrethit të Kukësit, me detyrë inspektor në Drejtorinë Rajonale të Kufirit e Migracionit Kukës, i dyshuar si organizatori i këtij grupi kriminal.

Liman Gjici, 47 vjeç, lindur e banues në fshatin Bushtricë të rrethit të Kukësit, i dyshuar si ndihmësi i organizatorit kryesor të këtij grupi. 

Hamdi Matja, 52 vjeç, lindur në Krujë e banues në Tiranë, me detyrë magazinier armatimi në repartin 100, pranë Ministrisë se Punëve te Brendshme, në rolin e furnizuesit kryesor me armë e municione te organizatorëve të këtij trafiku.

 Lorenc Zyli, 34 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.

Erjon Zisko, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Skënderbegas të Gramshit, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.

Abedin Plaku, 53 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.

 

 

Elbasan

Analiza e Prokurorisë: Përfaqësuesit e akuzës, jo aktivë për të hetuar provat e policisë

Në vitin e fundit në Elbasan është rritur krimi kundër pasurisë, ndërsa dosjet ngelin të paplota nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe ndaj tyre nuk merren masa. Deklarata është bërë dje nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili ishte i pranishëm në analizën vjetore të institucionit të akuzës së Elbasanit, bashkë me kreun e kësaj Prokurorie, Gentian Osmanin. Sipas tij, gjatë vitit 2013 nga kjo Prokurori janë trajtuar 3653 çështje. Për kryeprokurorin Llalla, problem janë abuzimet e funksionarëve lokalë me paratë e publikut. Sipas kryeprokurorit, nuk merren masa ndaj oficerëve të Policisë Gjyqësore, kur ata nuk e dokumentojnë një çështje me prova të plota. Në fjalën e tij, Llalla ka shprehur pakënaqësi edhe në mënyrën e trajtimit të çështjeve që duhet të mbahen sekrete. Gjithashtu, është evidentuar, në raste të veçanta, kur nuk është administruar si duhet informacioni i konsideruar “sekret” që ofrohet nga institucionet e inteligjencës. “Është konstatuar prania e rasteve kur, megjithëse hetimet nga ana e Policisë së Shtetit kanë qenë të paplota, prokurorët nuk janë treguar aktivë për të kërkuar llogari më të madhe. Janë raportuar situata kur prokurorë kanë pranuar të mirëqena veprimet e para policore, pa i analizuar si duhet ato në frymën e ligjit”. Gjithashtu, ky i fundit ka prezantuar edhe ngritjen e njësisë task-forcë kundër krimit ekonomik në Prokurorinë e Elbasanit, që, sipas tij, do të hetojë korrupsionin e njerëzve me pushtet.

 

 

Interpol Italia

Ekstradohet Lefter Keçi, vrau të dashurën në 2011

 Një 29-vjeçar nga Shijaku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, është ekstraduar nga Interpol Tirana. Ekstradimi i 29-vjeçarit Lefter Keçi u krye nga Roma, Itali. Gjykata e Durrësit, më 16 korrik 2011, vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Keçin, për vrasje në bashkëpunim. I ekstraduari Lefter Keçi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Euxhen Muka, më datë 5.6.2011, rreth orës 13:30, ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasen Rolanda K. Trupi i pajetë i kësaj shtetaseje është gjetur më datë 10.6.2011 përgjatë rrugës për në Ishëm. 29-vjeçari Lefter Keçi u arrestua në qytetin e Parmës në Itali, më 21 prill të vitit 2012, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Ditën e djeshme, 29-vjeçari Keçi u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

 

 

Vlorë

Shiste apartamente duke mashtruar blerësit, pranga 41-vjeçarit

 Ka mashtruar duke marrë para nga shitja e apartamenteve, të cilat nuk kanë qenë në pronësi të tij, arrestohet 41-vjeçari në Vlorë. Eduart Luftar Kaçaj, banues në fshatin Gërnec, Komuna Vllahinë, është vënë në pranga ditën e djeshme, pasi ka mashtruar dy shtetasit N. P., 54 vjeç, dhe M. P., 52 vjeç, të dy banues në fshatin Velçë, duke u marrë përkatësisht nga 18.000 dhe 15.000 euro në këmbim të dy apartamenteve (nga një për secilin), të cilat, nga verifikimet e kryera, kanë rezultuar të mos jenë në pronësi të tij. Procedimi penal filloi pas kallëzimit që kanë bërë në strukturat e policisë personat e dëmtuar. Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan organit të Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme për veprën penale të mashtrimit.

 

Share it :