Kanë dalë 23 emrat e lojtarëve që do të kandidojnë për çmimin e lojtarit më të mirë në botë. Favoritët kryesorë janë Messi, Ronaldo dhe Suarez
Janë zyrtarizuar dje emrat e 23 futbollistëve që do të garojnë për Topin e Artë, që do të dorëzohet nga FIFA më 11 janar në Zyrih. Kampionatet më spektakolare rezultojnë duke nisur nga La Liga spanjolle, për të vazhduar me Bundesligën dhe Serinë A. Si zakonisht në këto vitet e fundit, nuk mund të mungonin favoritët Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Argjentinasi cilësohet në epërsi prej tre titujve të fituar gjatë sezonit të kaluar, ndërsa në garë nga Barcelona janë edhe shokët e tij të sulmit, braziliani Neymar dhe uruguajani Luis Suarez. Një treshe që e mbylli edicionin me 122 gola. Nga Barcelona të pranishëm janë edhe spanjolli Andres Iniesta, argjentinasi Javier Mascherano dhe kroati Ivan Rakitic. Cristiano Ronaldo, që gjatë fundjavës u konfirmua si golashënuesi më i mirë në historinë e Realit të Madridit, me 324 gola, kërkon trofeun e tretë radhazi si lojtari më i mirë në botë. Nga klubi merengues garojnë edhe francezi Benzema, uellsiani Gareth Bale, ylli kolumbian James Rodriguez dhe mesfushori gjerman Toni Kroos. Nga Bundesliga, në garë janë pesë futbollistë të kampionëve të Bajernit të Mynihut. Nuk mund të mungonte polaku Robert Lewandowski, por edhe yjet Thomas Müller, Arjen Robben, portieri Manuel Neuer dhe Arturo Vidal. Përfaqësues tjetër nga Kili është edhe Alexis Sanchez i Arsenalit. Të tjerë emra nga Premier League janë edhe Sergio Aguero dhe Yaya Toure të Manchester City-t. Toure, katër herë lojtari më i mirë i Afrikës, është edhe i vetmi lojtar në listë që nuk vjen nga Evropa apo Amerika Latine. Nga Italia, ku mungon legjenda e portës Gianluigi Buffon, përveç Vidalit që u vlerësua për sezonin te Juventusi, garon edhe francezi Paul Pogba. Por, pak ngushëllim vjen nga gara për trajnerin më të mirë. Në listë janë Massimiliano Allegri i Juventusit dhe Carlo Ancelotti për sezonin te Reali i Madridit. Mes kandidatëve të tjerë janë Laurent Blanc i Paris Saint Germain, Unai Emery i Seviljes, Pep Guardiola i Bajernit të Mynihut, Luis Enrique i Barcelonës, José Mourinho – Chelsea, Jorge Sampaoli i Kilit, Diego Simeone – Atletico Madrid dhe Arsene Wenger i Arsenalit. Tre më të mirët nga lojtarët dhe trajnerët do të zgjidhen brenda datës 20 nëntor dhe më tej fituesve do tu dorëzohen çmimet në ceremoninë në Zyrih.




