Gëzim Saliu
Ngritja e grupit të punës për titujt e pronësisë, nismat që pritet të ndërmerren
Pezullim i qirasë së tokave bujqësore. Verifikim i titujve të pronës deri në 2015-ën
Mbyllja e reformës së tokës brenda dy viteve të para të mandatit qeverisës ishte një ndër premtimet kryesore të Kryeministrit Rama në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Nisur nga kjo, qeveria ka ndërmarrë nismat e para në këtë kontekst, ku duket se vështirësitë që do të hasen janë të mëdha, duke marrë parasysh edhe finalizimin e ligjit 7501. Pak kohë më parë, kreu i qeverisë ka vënë në lëvizje grupin parlamentar socialist, ku ka kërkuar nga deputetët që ta ndjekin procesin e titujve të pronësisë në zonat e tyre elektorale. Po ashtu është ngritur edhe një grup pune me në krye deputetin socialist Erjon Braçe, i cili do të koordinojë informacionet e deputetëve me institucionet, Ministrinë e Bujqësisë dhe drejtoritë e Bujqësisë në qarqe. “Brenda 2 viteve të para të mandatit qeverisës do të përfundojmë reformën e plotë të tokës, duke u dhënë certifikatën e pronës në dorë. Marrja e tokës nga familjet e pafuqishme të fshatit që trajtohen si të ishin bujkrobër nga disa kryetarë komunash dhe kalimi i tokës për hesapet e tyre tek të afërm tek miq partie biznesmenë, me ca kontrata skandaloze në dëm të zhvillimit nuk do të tolerohet”, – kishte deklaruar Rama në një takim elektoral të zhvilluar me banorë të fshatit Llakatund të Vlorës në ditët e fushatës elektorale.
Vendimet e qeverisë
Dy javë më parë, Këshilli i Ministrave vendosi të shtyjë me dy vjet afatin për verifikimin e titujve të pronës së tokës bujqësore. I parashikuar për t’u mbyllur në 31 dhjetor të vitit 2013, me projektligjin e miratuar në mbledhjen e ekzekutivit propozohej të përfundojë më 31 dhjetor të vitit 2015. “Ky ligj ka si qëllim të përcaktojë, shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe po kështu strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave fizikë ose juridikë vendas”. Po ashtu qeveria ka vendosur edhe përfshirjen e sekretariatit teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës, brenda strukturës së Ministrisë së Bujqësisë. Ndërkohë, një tjetër vendim i qeverisë që lidhet me reformën e tokës është edhe ai i marrë pak kohë më parë, ku u vendos pezullimi për një kohë të pacaktuar vendimin mbi procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore, të cilat janë ende të pandara. Në sqarimin që u dha për këtë vendim theksohej se pezullimi do të jetë deri në momentin kur qeveria do të miratojë programe të reja për tokën, gjë e cila paralajmëron dhe nisjen e reformës së premtuar në këtë fushë. “Pezullimi i zbatimit të këtij udhëzimi vlerësohet si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mirë”, – bëhej e ditur në vendimin e qeverisë.
Aleati i PS-së
Ngjela: Rama prishi marrëdhëniet me SHBA-në, t’i rregullojë ose të largohet në janar
Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama për prishjen e marrëdhënieve me Uashingtonin, në lidhje me çështjen e shkatërrimit të armëve kimike siriane. “Nëse nuk rregullon dot marrëdhëniet me Uashingtonin në janar, Rama duhet të ikë, përse duhet të rrijë. Brenda stafit të tyre kanë 3 kryeministra, ka njerëz të aftë shumë, por i ka lënë jashtë qeverisë. Këtu flitet për interes të përgjithshëm. Shtypi duhet ta pyesë në konferencë për shtyp si i kemi marrëdhëniet me SHBA-në”, – u shpreh Ngjela në emisionin “Opinion” në “News 24”, duke shtuar se Kryeministri Rama duhet të largohet nëse nuk rregullon marrëdhëniet me SHBA-në. Sipas kreut të PLD-së, vetëm mbështetja e SHBA-së mund ta çojë përpara vendin drejt BE-së. “A keni parë ndonjë shtet pa ushtri në NATO, vetëm ne jemi. Me mbështetjen e SHBA-së. Gabimi që bëri Kryeministri aktual me SHBA-në, duhet thënë e vërteta, gabova në polikë. Ka prishur marrëdhëniet me Amerikën, u ka thënë jo armeve kimike në një kohë që ka thënë po”, – pohoi kreu i PLiDr-së. Po ashtu Ngjela komentoi edhe diskutimet e projektbuxhetit, ku tha se kritikat e opozitës ndaj tij janë “akuza pa bereqet”. “Janë kritika nonsens ato që ka bërë opozita. Nga mazhoranca nuk ka pasur PR të mirë buxheti, teknikët që ë kanë bërë janë më lart nga ata që e prezantojnë. Akciza është taksa që i vendoset qejfit jo punës”, – deklaroi ai.
Dy ministrat
Gjiknuri dhe Bushati, në Emiratet e Bashkuara Arabe për investimet
Ministri Bushati dhe ministri Gjiknuri po zhvillojnë një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Jashtëm dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë zhvilluan takime për intensifikimin e raporteve ekonomike dhe tregtare me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri Bushati dhe ministri Gjiknuri u takuan me shkëlqesinë e tij, Ahmed Bin Saeed Al Maktoum, president i grupit “Emirates” dhe “Dubai World”. Në takim u fol për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë, ku një fokus të veçantë zuri fusha e aviacionit civil. Gjithashtu, ministrat Bushati dhe Gjiknuri u takuan me presidentin e “Dubai World Trade Center”, Helal Saeed Almarri. Gjatë takimit u fol për bashkëpunimin në fushën e turizmit, ku z. Helal Saeed Almarri shprehu falënderimin për mbështetjen që Shqipëria i dha Emirateve te Bashkuara Arabe lidhur me “Expo 2020”, si dhe ftoi kompanitë shqiptare të fushës së turizmit për të shkëmbyer përvoje në ketë fushë.
Krishtlindjet
Kryeministri Rama dhe bashkëshortja në shtëpinë e Aleks Nikës
Kryeministri Edi Rama ka kaluar natën e Krishtlindjeve në shtëpinë e njërit prej viktimave të 21 Janarit, Alesk Nika. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja, Linda Rama, ata kanë çuar dhurata për dy vajzat e të ndjerit. “Në shtëpinë e Aleks Nikës për të uruar Krishtlindjet në pragun e një Viti të Ri që të gjithë bashkë, do ta kthejmë në vitin e shpresave të rilindura për një Shqipëri më të drejtë dhe me të mbrojtur në trupin, zemrën e mendjen e vet”, – shkruante Rama në “Facebook”, ku shpërndau edhe fotografitë e çastit. Aleks Nika nga Lezha, baba i dy fëmijëve, u plagos rëndë gjatë demonstratës së 21 Janarit dhe gjeti vdekjen disa javë më vonë.
Refuzimi i statusit
Raportuesi për Shqipërinë, Vuljaniç: I zhgënjyer me vendimin e BE-së
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikola Vuljaniç, shprehet i zhgënjyer me vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për të shtyrë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në muajin qershor 2014. Sipas tij, problemi nuk qëndronte tek Shqipëria, por brenda Bashkimit Evropian. “Padyshim që jam i zhgënjyer, e kam thënë edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian, që prisja që statusi kandidat të jepet pa asnjë vonesë dhe nuk shoh asnjë arsye për këtë vonesë, përveçse qëndrimit të disa parlamenteve të disa vendeve anëtare në BE, veçanërisht të Holandës. Dhe jam gjithashtu i zhgënjyer, sepse nuk mendoj që Evropa duhet të shndërrohet në një fortesë ku ose hyn me forcë ose duhet të presësh 25 vjet. Megjithatë, mendoj se nuk është tragjedi, janë vetëm 6 muaj. Unë i lexova me kujdes konkluzionet dhe kam vërtet besim që do të merret në qershor të vitit të ardhshëm. Ndaj, le të jemi optimistë”, – tha ai në një intervistë për “A1 Report”. Ndërkohë, pyetjes se cilat ishin arsyet e shtyrjes së vendimit, Vuljaniç iu përgjigj duke pohuar: “Në fakt, nuk mendoj aspak që problem është tek Shqipëria, sepse Shqipëria ka bërë gjithçka që mund të bënte në një periudhë të shkurtër kohore. Unë mendoj se problemi është tek Bashkimi Evropian dhe tek zgjedhjet e ardhshme. Duhet ta kuptoni se atmosfera në disa vende anëtare është thuajse në favor të mbylljes së kufijve dhe kundër një zgjerimi të mëtejshëm. Zgjedhjet janë shumë afër dhe mendoj se situata do të jetë krejt ndryshe në korrik. Mendoj se kjo është arsyeja kryesore, pasi nuk shoh ndonjë arsye tjetër racionale. Unë mendoj, në fakt, se është më shumë një lloj show off dhe do të zgjidhet në qershor”.




