Kandidati i djathtë mbyll fushatën me besim tek fitorja
Bashkia nuk është as e kuqe dhe as blu, ajo ju përket juve, qytetarëve të Tiranës
Entuziazëm dhe shpresë, besim në fitore, kjo ishte fryma e mitingut përmbyllës të opozitës në Tiranë. Kandidati për kryetar Bashkie, Halim Kosova, iu drejtua në fjalimin e tij të gjitha shtresave të qytetit dhe banorëve të zonave rurale të bashkuara në Bashkinë më të madhe të vendit. “Pasi kam shkelur çdo lagje te kryeqytetit, vij para jush më i qartë se kurrë për të ardhmen e qytetit tonë. Ishit ju që me vërejtjet tuaja i dhatë vizion vizionit tim të Tiranës. Bashkia e Tiranës do të ketë transparencë për çdo qindarkë që do të harxhohet. Ju flas nga morali im, nga morali i familjes sime”. Halim Kosova foli edhe për arsyet që e shtynë të kandidonte dhe për karrierën e tij 35-vjeçare. Kandidati i së djathtës përmendi edhe mbështetjen e vazhdueshme që i vjen nga qytetarët e thjeshtë të majtë të Tiranës. “Për mua fjala e mbajtur dhe faqja e bardhë vlejnë me shumë se çdo ideologji partie. Ma kanë kërkuar edhe militantë të njohur të së majtës që të fitoj edhe për ata jo vetëm për grupin politik që më ka kandiduar”. Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës u shprehu qytetarëve rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk kanë rëndësi si tregues i rezultatit, porse çfarë do të ndodhë pas tyre. “Ju do të votoni për t’i dhënë shans demokracisë të funksionojë. Do votoni për dinjitetin e njeriut. Politikanët po mendojnë për rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa unë jam i shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve tanë. Vota për Halim Kosovën nuk është fitore për mua ose për Partinë Demokratike por është fitore për ju për të gjithë ne qytetarët e Tiranës. Bashkia nuk është as e kuqe dhe as blu, ajo ju përket juve qytetarëve të Tiranës”. Zoti Halim Kosova nuk la pa përmendur ata që nuk votojnë asnjëherë ose që janë të zhgënjyer nga klasa politike, duke u drejtuar thirrje që të dalin të dielën të votojnë. “Për ju që s’keni votuar më parë dhe jeni të zhgënjyer mos u dorëzoni. Bashkohuni për punë dhe dinjitet!” Zoti Kosova shprehu bindjen e thellë dhe të patundur në fitoren e 21 qershorit. Ai këmbënguli se të dielën qytetarët do dinë ta bëjnë dallimin mes punës dhe fjalëve.
Basha
I shkurtër, por i ashpër ishte kreu i demokratëve Lulzim Basha në mitingun përmbyllës. “Ata (Rama-Meta) po na ftojnë të bëjmë fushatë për ujërat e zeza, por u them nga ky shesh se ujërat e zeza të kombit janë oligarkët”. Lideri demokrat shtoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe u dha lajmin e mirë mbështetësve të tij se miqtë e mëdhenj të Shqipërisë janë me opozitën. “Me ne janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Për ne këto zgjedhje janë dita e kushtrimit. Janë ditët e mëdha kur qytetarët hodhën poshtë bllokun e komunizmit. Nuk i ndalni dot rrahjet e zemrave të lira. 21 qershori është dita e qytetarëve”. Lulzim Basha mbylli fjalën e tij me besim të plotë tek fitorja.
Kosova pranë qytetarëve
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës e nisi ditën ndryshe duke dalë mëngjes herët për të takuar qytetarë të zakonshëm, punonjës që ecin e shkojnë në hallin e tyre. Halim Kosova ka bërë disa takime jo të zakonta në orët e para të mëngjesit me qytetarë e banorë që e nisin punën më herët se të tjerët. Kandidati për kryebashkiak ka garantuar taksistët për luftë ndaj informalitetit. “Ikin të gjithë ata ilegalët se nuk i intereson atyre të punojnë. Po t’ia rimbursosh naftën këtyre që janë të ligjëruar ai tjetri s’ka leverdi, do detyrohet të licencohet o s’ka mundësi”, – tha Kosova.“E rëndësishme është që secili nga ju, po jo vetëm nga ju, kudo ku janë njerëzit, duhet thënë një variant që është në të mirën e tyre dhe të qytetarëve. Po qe se plotësohen këto dy kondita, o burra, para”. Është ndalur dhe në një çerdhe ku doktor Kosova ka financuar rregullimin e saj. Entuziazmit të edukatoreve për këtë punë të mirë kandidati i PD-së i është përgjigjur në mënyrën e tij jo politike. “Unë thashë më mirë me sponsorizu diçka, ndonjë çerdhe, ndonjë kopsht që mbetet sesa me i bërë lekët flamuj që për pak ditë ikin të gjitha ose ngelen lartë në shtyllë derisa koha t’i seleksionojë”, – tha Halim Kosova.
Alibeaj kryeson sondazhet për Bashkinë e Fierit
Mirëqeverisja është premtimi i Enkelejd Alibeajt për qytetarët e Bashkisë së Fierit. Fierakët, përfaqësuesit më të shquar të tyre, intelektualë, shoqëria civile, rinia, grupet e interesit do të jenë pjesë e forumit më të lartë konsultues, Senatit të Bashkisë. Qytetarët vetë do të zgjedhin me votë të lirë përfaqësuesit e tyre në çdo fshat e në çdo lagje. Në një status në Facebook pak orë para mbylljes së heshtjes zgjedhore Alibeaj ka lëshuar mesazhin e tij të fundit për mbështetësit e tij. “Në rrugëtimin tonë të kësaj fushate ndamë me mijëra dhimbje, zhgënjime, ankthe e pasiguri… Fatmirësisht rigjetëm mijëra ëndrra dhe dëshira, rizgjuam shpresën dhe besimin, projektuam të ardhmen e Fierit tonë… 21 qershori po afron, është çasti që gjithsecili të marrë në dorë fatin e vet”. Ndërkaq një anketim dy javor te organizuar nga Portali i lajmeve (Alb 365.com). me qytetare te cilet kane votuar online por edhe nepermjet telefonit dhe pyetjes direkte se per ke kandidat do te votonin me 21 qershor. Kandidati i APPD z.Enkelejd Alibeaj kryeson me më shumë se 7% të votave.
Mero: I bindur në fitoren e së dielës
Entuziazëm i madh, shpresë, shtrëngime duarsh dhe emocione të forta, ishte panorama mikpritëse e çdo takimi që përmbylli fushatën e kandidatit të djathtë në bashkinë e Korçës. Kandidati i së djathtës Gjergj Mero tha se këto fshatra mbështesin dhe votojnë Partinë Demokratike pasi besojnë tek forca politike e lirisë, e zhvillimit të tregut të lirë, e ngritjes së biznesit, tek vizioni evropian i lidershipit të saj dhe mbajtjes së fjalës së dhënë. “Çdo votë për PD-në dhe kandidatin e saj do të përkthehet përkushtim, mirënjohje, mbështetje jo vetëm ndaj votuesve tanë por ndaj çdo qytetari e banori fshatrash të majtë ose të djathtë, për shpëtimin e familjes së tij nga varfëria, për një qytet të zhvilluar e fshat me ekonomi konkurruese. Bashkia e re do të jetë shtëpia e hapur dhe mikpritëse për të gjithë qytetarët dhe banorët e Korçës, të cilët do të gjejnë tek kryetari i saj avokatin dhe njeriun e ndershëm e të përkushtuar për hallet dhe problemet e tyre”.




