Testimi për maturantët Matura 2014, si do të zhvillohen provimet e detyruara

Ndryshime në pyetjet me alternativa dhe në pyetjet me zhvillim

Këtë vit do të jepen 5 provime, 3 të detyruara dhe 2 me zgjedhje

 

Maturantet-provim_8Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përveçse do të shtojë një tjetër provim të detyruar, do të ndryshojë edhe mënyrën e zhvillimit të provimeve. Maturantët do të duhet që brenda një kohe të shkurtër të përgatiten për tri provime të detyruara dhe sipas MAS, ato do të zhvillohen nga data 25 maj deri në 20 qershor. Për sa i përket provimit të gjuhës së huaj, maturantët duhet të shqetësohen vetëm për të marrë një notë kaluese, pasi ky vlerësim nuk do të jetë komponent për llogaritjen e pikëve përfundimtare. Programet orientuese të provimeve pritet të publikohen brenda muajit janar, në mënyrë që çdo maturant të ketë kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur. Sipas MAS, edhe këtë vit nuk do të ketë ndryshime në programet orientuese, përveç disa pjesëve apo veprave, të cilat do të shtohen ose do të hiqen. Për sa u përket provimeve, pritet të ndryshohet struktura. Po diskutohet forma me më shumë pyetje me alternativa, por që këto pyetje të kërkojnë një procedurë zhvillimi për t’i zgjidhur. Gjithashtu, pritet të shtohen pyetjet me zhvillim, për të testuar më mirë aftësitë e çdo kandidati. Në total për këtë vit do të jepen 5 provime, 3 do të jenë të detyruara dhe 2 me zgjedhje.

Lëndët me zgjedhje dhe kandidatët e vjetër

Maturantët duhet të zgjedhin 2 lëndë me zgjedhje, ku shuma e krediteve nuk mund të jetë më e vogël se 8. “Maturanti ka të drejtë të zgjedhë një gjuhë të huaj, e cila në planin mësimor të shkollës së mesme të trajtohet “gjuhë e huaj e parë”, pavarësisht nëse është zhvilluar apo jo. Niveli gjuhësor i këtij testi do të jetë B2. Lista e gjuhëve të huaja do të përcaktohet në formularin A1Z”, – përcakton udhëzimi për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014. Maturantët e vitit të kaluar nëse nuk i kanë dhënë provimet me zgjedhje do të kenë mundësi t’i japin gjatë këtij viti. Kandidatët që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje, e mbartin atë dhe japin një provim tjetër. Ata kandidatë që kanë dhënë tri provime me zgjedhje gjatë maturës 2012 dhe kanë mbetur në 2 provime, do të zgjedhin një tjetër lëndë për t’u testuar, në rastet kur rezultojnë kalues në 2 provime do të pajisen direkt me diplomën e maturës. Për kandidatët para vitit 2006 do t’u njihen vetëm dy provimet e detyruara pavarësisht nga emërtimi që kanë.

Kuotat

Këtë vit pritet të testohen rreth 45 mijë maturantë që vijnë nga shkollat publike dhe private. Rreth 2000 kandidatë do të jenë nga vitet e kaluara, të cilët ose kanë ngelur në ndonjë provim, ose nuk i kanë dhënë më parë provimet me zgjedhje. Për sa u përket kuotave të pranimit, ato pritet të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Burime të gazetës bëjnë me dije se qeveria ka plan të ulë pranimet për të gjitha degët, për shkak edhe të pamundësisë së universiteteve për të përballuar një numër kaq të lartë studentësh.


Abuzime me pacientët, 79 infermierë shpërdorojnë detyrën

Pavarësisht nga kontrollet apo thirrjet që kanë bërë strukturat e shëndetësisë për zbatim të Kodit të Etikës nga ana e personelit shëndetësor si dhe ofrimin e shërbimit sa më cilësor ndaj pacientit, sërish janë konstatuar raste të shpërdorimit të detyrës për rreth 79 infermierë, shumica e të cilëve i përkasin QSUT-së. Sabri Skënderi, kryetar i Urdhrit të Infermierit, thotë se shumë shpejt do të bëhet një anketim për të gjithë infermierët në mbarë vendin, të cilët do të plotësojnë një formular gjatë 8-orarëshit të tyre për punën që ata kryejnë. Në këtë mënyrë, sipas z. Skënderi, për herë të parë do të kemi dhe një panoramë reale të ngarkesës së punës që ka një infermier dhe çfarë shërbimi i ofron ai pacientit.
“Gjatë vitit të kaluar janë marrë 79 masa disiplinore. Këto kanë të bëjnë me paraqitjen etike të këtyre profesionistëve të vendit të punës, me komunikimin e tyre me pacientët, por ka pasur edhe raste, si për shembull mosgjetja në krye të detyrës në vendin e punës. Kjo ka qenë kryesisht në infermierë që punojnë nëpër fshatra. Janë marrë masa vërejtje, paralajmërime, gjoba dhe i është hequr e drejta e profesionit vetëm për dy raste”, – tha Sabri Skënderi, kryetar i Urdhrit të Infermierit. Drejtuesi i Urdhrit të Infermierit i kërkon sërish Ministrisë së Shëndetësisë të intensifikojë kontrollet, në veçanti për klinikat private, ku këto të fundit, duke mos përjashtuar edhe institucionet publike, punësojnë personal shëndetësor pa pasur përvojën e duhur profesionale.
Toponimet, Greqia bllokon lejet e qëndrimit për emigrantët shqiptarë

Çështja e toponimeve vazhdon të jetë “mollë sherri” mes shtetit grek, emigrantëve shqiptarë dhe Shqipërisë. Pas bllokimit që u është bërë për më se një vit fëmijëve të emigrantëve për shkak të emrit në pasaporta, këtë radhë shteti grek ka gjetur një formë tjetër “për të bllokuar” emigrantët. Lejet e qëndrimit nuk do të rinovohen, nëse në pasaporta emri ku kanë lindur fëmijët shqiptarë të shkruhet në anglisht. Mijëra familjeve shqiptare u është dërguar nga shteti grek një letër ku njoftohen se u lihet në dispozicion vetëm një muaj afat për të bërë rregullimin e vendlindjes së tyre në pasaportat shqiptare, në të kundërt atyre u është komunikuar largimi nga Greqia. Vendlindja e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi është e shkruar në shqip, ndërsa shteti fqinj kërkon që ato të shkruhen në gjuhën angleze, duke e vënë këtë kusht për rinovimin e lejeve të qëndrimit në Greqi. Emërtimi në shqip i qyteteve dhe fshatrave greke në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi cilësohet një shkelje e rregullave ndërkombëtare nga shteti helen, i cili zyrtarisht i ka kërkuar që në fillim Tiranës zyrtare t’i përkthejë toponimet në anglisht, si kusht për rinovimin e lejeve të qëndrimit në Greqi të këtyre shtetasve. Vetë qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë informacion se në ç’pikë janë bisedimet zyrtare dypalëshe dhe çfarë alternativash janë propozuar për zgjidhje.

 

Share it :