Tërmet Peçi 2 orë në SPAK, nuk i del e keqja me Ristanin
Deputeti socialist dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, ka qëndruar për më shumë se dy orë brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku u paraqit pasditen e kësaj të marte.
Peçi mbërriti në SPAK rreth orës 14:30 dhe doli nga godina në orën 16:42, pa dhënë asnjë deklaratë për mediat lidhur me arsyen e thirrjes së tij nga organi i posaçëm i akuzës.
Megjithatë, në një bisedë të shkurtër me gazetarët jashtë ambienteve të SPAK, deputeti socialist reagoi ndaj një pyetjeje të gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj, nëse paraqitja e tij kishte lidhje me përplasjen e fundit me kryeministrin Edi Rama.
Peçi u përgjigj shkurt: “Të fala Ristanit”, një koment që lidhet me kallëzimin penal të depozituar në SPAK nga PD dhe ish-deputeti demokrat Arben Ristani, pas investigimit të emisionit “Plug”, i cili denoncoi një skemë korruptive me tendera publikë në Bashkinë e Tepelenës. Sipas PD, kompania e lidhur me drejtorin Lorenc Bami ka përfituar miliona euro tendera, ndërsa kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme flet për abuzim me fondet publike dhe favorizime me prona e financime.




