Teatri në Butrint, në rrezik?!

teatri butrintTeatri/Festivali “Butrinti 2000” në rrezik, përgjysmohen shfaqjet në edicionin e sivjetmë

Festivali ndërkombëtar teatror “Butrinti 2000” pritet të zhvillojë këtë vit edicionin e 13 të tij. Prej vitesh parë si një nga festivale më të rëndësishme në jetën artistike në vend, këtë vit po përballet me shumë probleme, ku më herët drejtues të tij kanë vënë në pikëpyetje edhe zhvillimin e festivalit për shkak të pamundësive të buxhetit.

Edicioni i 13 i festivalit do të zhvillohet nga data 18 deri më 22 korrik. Trupat e teatrit qw pritet të vijnë nga Italia, Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria. Drejtori artistik i festivalit, Alfred Bualoti pohon se ky edicion po zhvillohet me shumë vështirësi, dhe për publikun do të jenë vetëm 5 shfaqje, dy trupa janë nga Shqipëria. Drejtori i festivalit Alfred Bualoti, shton se ky festival ka pasur një traditë që është vlerësuar jo pak ndër vite, por në një kohë kur këtë edicion duhet të kishte 10-12 shfaqje teatrore ai vjen i përgjysmuar. “Edicioni i 13 i festivalit sjell në skenë 5 shfaqje teatrore nga Italia, Bullgaria, Maqedonia dhe 2 nga Shqipëria, që janë “Elektra” me regji nga Laert Vasili dhe “Apologjia e Sokratit” nga Mirush Kabashi. Kemi këtë pjesëmarrje të kufizuar për shkak të buxhetit të paktë, janë vetëm 10 mijë euro nga Ministria e Kulturës për festivalin, por nëse do të kishim më shumë buxhet ishte menduar për 10-12 shfaqje për festivalin”, pohon drejtori artistik Alfred Bualoti. Sipas tij, për Ministrinë e Kulturës ka qenë kërkesa për rreth 6 milionë lekë të reja për edicionin e 13, por me një buxhet 10 mijë euro nuk u bë e mundur që të ishin dhe trupa të tjera të huaja në festival, të cilat janë të njohura dhe në botë me aktivitetin e tyre. “Ne kërkuam nga ministria 6 milionë lekë të reja, por pak na u akordua për festivalin. Nëse do të ishte i plotësuar si aktivitet festivali duhet të kishte buxhetin sa e ka pasur në vitin 2000, me 9 milionë lekë të reja. Por fatmirësisht skenën e kemi gati. Na ka ndihmuar dhe me 500 mijë lekja të reja Ministria e Turizmit. Përballë kësaj situate, edicioni i 13 i festivalit ndërkombëtar teatror “Butrinti 2000” do të ketë sakrificën e artistëve”, pohon mes të tjerave drejtori artistik Bualoti, i cili jo pak herë ka reaguar mbi problemet që kanë shoqëruar jetën artistike, si dhe zhvillimin e festivalit “Butrinti 2000” ndër vite.

Në edicionin e 12-të në skenë u ngjitën trupat e teatrove të Bullgarisë, Spanjës, SHBA, Ukrainës, etj. Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrintit 2000” është parë si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik. Ai është arenë e dramaturgjisë së mjeshtrave të mëdhenj, të cilët vijnë dhe aktualizohen prej mbartësve të një realiteti bashkëkohor. Në 12 edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrore nga: Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria.

Share it :