Të çmendun t’kam quejt Ed, kur e rrenove teatrin, e tash m’dole vrasës i atdheut!
Nga Çun Lajçi/
Mjerimin nuk e njohin shqiptarët kur hipin n’shalën e kalit
Ti ndëgjoje plakun; — Zbrit nga kali, e mbathja nga ke ardhë, se boll e shite atdheun! U sos toka e u shterr deti!
Të çmendun t’kam quejt Ed, kur e rrenove teatrin, e tash m’dole vrasës i atdheut!
Ik!
Se ne e duem atdheun. E duem edhe kur e djegim, edhe kur flamurin e mbajmë mbi tymin e flakën e atdheut!
Por e dhimbshme qenka me pa flamurin e atdheut, madje edhe ate me shkronjat e UÇK-së, të valojë përkrah tymit e flakës nga dora e shqiptarit.
Por ja që ne luftuem me godinat, me tabelat, me rrugët, me koshat e mbeturinave, që t’na shohi bota; — se si ne përgjakemi e se si ti ngujohesh n’“bunkerin e mendimeve të zeza”, i ruejtun nga rojet!
Po!
N’mungesën tande, ne mbramë luftuem edhe me mullijtë e erës. Pa kuaj, pa mushka, pa gomerë, pa heshta. Luftuem me gurët e sokakut, tue ngritë nalt tre flamuj: atë me shqiponjën, atë me Ismailin e Isën dhe atë të UÇK-së!
Se: — “flamuri duhet të valojë kur t’i dalë flaka atdheut” nga dora jonë. Duhet të tymoset shqiponja në fushën e kuqe, kur t’i digjet zemra Tiranës.
Ne s’e dimë, e ndoshta s’e kemi dijtë kurrë, ku na bie e vërteta e urrejtjes kur dalim në fushën e mejdanit: te njeriu shushunjë që na e piu gjakun tash e trembëdhjetë vjet, apo te pema që i jep hije qytetit, te dyqani prej të cilit hanë bukë fëmijët tanë, te shkollat, bankat, ministritë, trotuaret, semaforët…
Tash mllefin e kemi me gjasende, thuajse ato na e kanë ngulfatë jetën tash e sa vjet, e jo njeriu, ti, që tallesh me jetët tona e me fatin e Shqipnisë!
Nji ditë — e s’e di kur ka me ardhë ajo ditë — kemi me kuptue se, kur s’kemi me kë me luftue, luftojmë me vetveten. Me fajet tona bajmë luftë, por fajet tona s’i nxjerrim kurrë në shesh.
Po, se na pëlqeu ryshfeti për nji votë, na pëlqeu vetura për nji mashtrim, na pëlqeu vila për nji tradhti, na pëlqeu krevati për nji sevda… E kur na u ngatërruen zorrët prej urisë, e kur atdheu u hodh n’pazar, ne dolëm me djegë shtëpinë tonë, jo me i dalë përpara njeriut, ty, që na e shkatërrove jetën e na e shite atdheun.
Mbramë dolëm me shpëtue Shqipninë, por e dogjëm Tiranën, se Ty nuk të gjetëm. E, kur s’patëm çka me djegë ma, u vërsulëm me i djegë edhe policët tanë, ata që s’dinin ma kë me ruejtë: vetveten apo neve që vërsuleshim me djegë atdheun.
Mbramë isha dy herë i vramë. Një herë prej zjarreve që shkretnonin qytetin, e së dyti prej Edi ziut, që pranon me u djegë Shqipnia, por jo posti i tij.
Mjerimi asht kafshatë që s’kapërdihet, thoshte ai poeti i mjerimit. Por mjerimin shqiptarët nuk e njohin kur hipin n’shalën e kalit!
Po!
Kam dashtë me ia falë artin tim Tiranës, me e lujtë rolin e Sylejman Vokshit. Por mbramë u dogj edhe dashnia ime për teatrin, e roli mbeti veç nji dëshirë.




