Si të shmagen rradhët e gjata e të papërballueshme në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit nga bizneset
Ervin Kaduku
Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve kanë nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi, nisur nga nevoja urgjente për të ulur fluksin e papërballueshëm të subjekteve për t’u regjistruar në QKR. Thelbi i kësaj marrëveshje konsiston në faktin që, duke filluar nga dita e hënë datë 21 Shtator 2015, të gjithë individët/subjektet tregtare që kërkojnë të regjistrohen për herë të parë (si persona fizikë), mund të drejtohen pranë zyrave të noterëve në të gjithë vendin për të realizuar regjistrimin e tyre. Pra, çdo zyrë noteri në Shqipëri do të mundësojë regjistrimin e një biznesi online, duke bërë të mundur kështu shmangien e radhëve të gjata të biznesit në zyrat dhe sportelet e QKR-së në shkallë vendi. Duke u nisur nga fakti se në të gjithë vendin operojnë më shumë se 400 zyra noterësh, mendohet se strategjia e gjetur për të lehtësuar regjistrimin online të biznesit do të shkurtojë në një nivel të ndjeshëm radhët dhe pritjet në sportelet e QKR-së.
Praktika
Si mund të bëhet regjistrimi online i biznesit?
- Aplikimi mundësohet nëpërmjet portalit qeveritar e-albania.al.
- Noterët asistojnë të gjithë individët/ subjektet tregtare në plotësimin e të dhënave të detyrueshme dhe vullnetare, sipas formularëve përkatës të regjistrimit deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare mbi aplikimin.
- Aplikimi për regjistrim kryhet vetëm nëpërmjet mjeteve të sigurta të identifikimit (pasaporta biometrike apo karta e identitetit). Të gjithë subjektet tregtare gjatë plotësimit të të dhënave duhet të bëjnë kujdes kur deklarojnë adresën ku zhvillojnë aktivitetin e tyre si dhe dhënien e adresës së postës elektronike vetjake (pra e mailin e tyre personal apo të punës).
Regjistrimi online është njësoj i vlefshëm sa edhe regjistrimi në sportelet e QKR-së dhe nuk ka asnjë lloj ndryshimi, madje është shumë herë më i lehtë dhe shkurton në mënyrë drastike pritjen me oraret e zgjatura në sportelet e QKR-së kudo ato ndodhen. Ashtu sikurse të gjitha procedurat që ndjek administrata tatimore tashmë janë online dhe pa asnjë lloj kontakti me sportelet e saj, ashtu dhe ky proces regjistrimi online mendohet se do të japë rezultatet e veta.
Regjistrimet
Gjatë ditëve të para të muajit shtator në sportelet e QKR-së vijon të ketë fluks gjithnjë e në rritje të subjekteve të cilët duan të regjistrohen, numri mesatar ditor i veprimeve në sportel dhe online i kalon 2.700. Gjatë këtij muaji janë regjistruar 8.371 biznese ose 6.6 herë më shumë se 2014, si rezultat i presionit të ushtruar edhe me Polici nga organet tatimore. Për 9-mujorin 2015 numri i bizneseve të regjistruara i kalon 23.697 ose 75% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014, ose 41.6 % më shumë se totali 2014 (16.731). Për periudhën Korrik – Shtator 2015 janë regjistruar 15.000 subjekte ose 4.8 herë më shumë se viti 2014.
Por kjo është shoqëruar me një panik dhe rrëmujë të pakontrollueshme…
——-
KLSH kontroll në doganën e Tiranës, shkelje të shumta
Borxhi doganor në fund të vitit 2014 rezulton në rritje me një shtesë në vlerën 1,6 miliardë lekë në krahasim me fillin e vitit 2014
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në Doganën e Tiranës të meta e mangësi në drejtim të zbatimit të legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, administrimit të akcizës, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike, nxjerrjes së vendimeve administrative, si dhe administrimit dhe rikuperimit të borxhit doganor, të cilat kanë sjellë si pasojë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 931.000 euro, mbi bazën e të cilave ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për ish-Kryetarin e Degës së Doganës Tiranë dhe ish-Juristin e kësaj dege. Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1.8 miliardë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerë 3.4 miliardë lekë. Gjendja në fund të periudhës paraqitet me shtesë në 520 raste për 355 subjekte debitorë, në vlerë 1.6 miliardë lekë rritje të nivelit të borxhit doganor.




