Florenc Drizari
Lulzim Basha: Plotësimi i të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, parakusht për integrimin evropian
Menduh Thaçi: Gatishmëri e pashpjeguar e qeverisë për t’i shkelur të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim homologun e tij maqedonas, Menduh Thaçin. Takimi u zhvillua në selinë e PD-së në Tiranë, edhe pse kërkesa ishte bërë nga kreu i PDSH-së në Maqedoni, Thaçi. Në një prononcim për shtyp, z. Basha vlerësoi dialogun e kahershëm me z. Thaçi, duke vënë theksin tek sfidat me të cilat përballen dy partitë opozitare në Shqipëri dhe në Maqedoni. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, tha se qeveria në Maqedoni po shkel marrëveshjet që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të shqiptarëve, duke krijuar një precedent të rëndë në proceset e integrimit evropian.
Lulzim Basha
Kreu i opozitës shqiptare tha se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një përkrahëse e vendosur e avancimit të të drejtave të komunitetit shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë, duke kërkuar me vendosmëri zbatimin në mënyrë të plotë të parashikimeve të Marrëveshjes së Ohrit si dhe emancipimin e të gjithë shoqërisë në shtetin fqinj, nëpërmjet respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Z. Basha tha se kjo është rruga e sigurt e përparimit evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë. “Dhe në këtë kuadër një rol mjaft të rëndësishëm ka faktori politik shqiptar në Maqedoni, në opozitë apo në qeveri dhe për këtë arsye kemi mbajtur dhe do të vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi, dialogu, informimi, me të gjithë faktorin politik shqiptar”, – deklaroi Basha.
Kreu i PD-së, Basha, tha se përtej rrugëve të ndryshme që ndiqen nga përfaqësuesit e politikës shqiptare në Maqedoni, e rëndësishme, sipas tij, është që objektivi të jetë dhe të mbetet i njëjti, “plotësimi dhe garantimi i të gjitha të drejtave humane, kushtetuese, ligjore, evropiane të komunitetit shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë si një parakusht i rëndësishëm i udhëtimit evropian të shtetit fqinj lindor, si një parakusht i integrimit evropian të të gjithë rajonit të Evropës Juglindore”.
Menduh Thaçi
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, gjatë një prononcimi për mediat që dha pas takimit me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Bashën, theksoi se qeveria maqedonase nuk po respekton të drejtat e shqiptarëve, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare e për pasojë, duke bllokuar proceset integruese të vendit.
“Për shqiptarët e Maqedonisë është jashtëzakonisht e rëndësishme situata politike në Shqipëri për shkak se sa më tepër që të zhvillohet një kohezion i fuqishëm dhe funksionalizim i institucioneve të shtetit, ne ndihemi më mirë dhe më të fuqishëm, dhe e kundërta.
Për sa i përket Maqedonisë, ballafaqohemi me një situatë të rëndë të bllokimit të proceseve integruese që paraqet një pengesë serioze të integrimit të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore dhe në të njëjtën kohë një gatishmëri e pashpjeguar e qeverisë për ti shkelur të gjitha marrëveshjet, qofshin të brendshme apo ndërkombëtare që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Ndjehemi bashkërisht të bashkëpunojnë në të ardhmen vetëm për të mirën e njerëzve dhe për të keqen e askujt. Dhe ky takim po ashtu duhet të kuptohet nga të gjithë, pa marrë parasysh ky gjendem dhe çka përfaqësoj se është një takim i dëshirave të mira dhe sukseseve të të gjithë shqiptarëve”, – deklaroi kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas takimit të djeshëm që pati me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha.
Mbyllje ambasadash në tri shtete? Islami: Jo serioze nga qeveria
Mbyllja e mundshme e përfaqësive diplomatike shqiptare në Kroaci, Bosnjë dhe Mal të Zi si dhe reagimet e Ministrisë së Jashtme se po vlerësohet puna e ambasadave në këto vende janë lëvizje jo serioze nga ana e qeverisë shqiptare sipas deputetit të opozitës, Kastriot islami, njëherësh edhe anëtari i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë.
“Do të ishte jo serioze, jo efikase, jo adekuate, aspak e mençur, nëse në mënyrë të njëanshme Shqipëria do të mbyllte ambasadën në Zagreb, ndërkohë që Kroacia mban të hapur ambasadën në Tiranë. Kroacia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, anëtar i NATO-s dhe BE-së. Shqipëria ka pasur dhe ka marrëdhënie shumë të mira politike, madje të shkëlqyera me Kroacinë. Marrëdhëniet ekonomike tentojnë të shumëfishohen vazhdimisht. Marrëdhëniet kulturore po ashtu… Ne planin rajonal Kroacia ka qenë dhe mbetet një partnere serioze dhe luajale e Shqipërisë, në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të nismave shumëpalëshe”, – ka shkruar anëtari i Komisionit të Jashtëm, Kastriot Islami.
Sipas tij, argumenti financiar ne rastin e Kroacisë do të ishte jo vetëm shumë i dobët, por edhe aspak bindës.
“Nëse synohet të bëhet “racionalizimi” i prezencës së ambasadave/misioneve/konsullatave, për shkak të ngushtësisë financiare, por jo vetëm, duhet fillimisht të kryhet një studim serioz bazuar në të gjithë kriteret (për marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore, rajonale, rolin dhe ndikimin në integrimin në BE, prezencën e shqiptarëve e tjerë) dhe më tej të merret vendimi për çdo rast duke shqyrtuar edhe historinë e marrëdhënieve për secilin vend, edhe elementë specifikë të marrëdhënieve me secilin vend, kriteri i reciprocitetit, momenti (Shqipëria është në momentin e marrjes së statusit dhe të heqësh ambasadat në vendet e BE-së është një çështje delikate), prioriteti në rajon”, – thekson deputeti i opozitës, Kastriot Islami.
MPJ: S’kemi marrë vendim për mbylljen e ambasadave
Ministria e Punëve të Jashtme reagoi dje në lidhje me disa lajme të publikuara në media për mbylljen e tri ambasadave në disa vende të rajonit. Në një deklaratë për mediat, MPJ deklaron se nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me këtë çështje.
“Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të informojë opinionin publik në lidhje më disa të pavërteta që po qarkullojnë në median e shkruar, mbi mbylljen e mundshme të disa Ambasadave të Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrë asnjë vendim, që do të çonte në mbylljen e Ambasadave të Republikës së Shqipërisë. Lutemi mediave që të jenë më korrekte me lajme të tilla, që nuk i shërbejnë informimit të saktë të publikut”, – thuhet në deklaratën e MPJ-së.




