Gëzim Saliu
Me kongresmenin Jolly, Basha: Mazhoranca, me qëndrime antiligjore e antikushtetuese
“Shqiptarët, mirënjohës SHBA-së për NATO-n, pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen për integrimin në BE”
Trafiku i drogës me alibinë dhe mbrojtjen qeveritare, është një burim financimi i korrupsionit politik dhe përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për zgjedhjet dhe demokracinë. Kështu deklaroi dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me bashkëreporterin për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans, ku theksoi se punësimi në pozicione drejtuese në polici dhe administratë i personave të lidhur me trafikun e drogës apo forma të tjera të krimit po sjell një përkeqësim të thellë të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në këtë kontekst, kreu i opozitës ndau me Evans shqetësimin e thellë për gjendjen e shtetit të së drejtës duke u ndalur tek “mozbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera në vend, dhunimi i ligjeve, shkarkimet masive në administratë, dhunimi i paligjshëm i të drejtave të pronësisë të qytetarëve etj”. Po ashtu kreu i PD e informoi bashkëreporterin për zhvillimet në lidhje me demokracinë, shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura dhe median, ndërsa shtoi se në vend po rritet kriminaliteti dhe narkotrafiku në vend. Në fund të takimit, Basha e siguroi Evans për angazhimin e opozitës, “në përpjekjen për garantimin e standardeve të këshillit të Evropës dhe vendosmërinë për të mbështetur integrimin evropian pa asnjë rezervë duke u përkushtuar për ruajtjen çuarjen përpara të standardeve të arritura”.
Me kongresmenin amerikan
Po ashtu, kreu i PD-së priti dje në një takim kongresmenin amerikan David Jolly, me të cilin ndau konsideratën se kombi shqiptar është i lidhur me një miqësi të ngushtë e historike me SHBA-në, bazuar mbi vlerat e përbashkëta. Në këtë kontekst, Basha theksoi se shqiptarët i janë përherë mirënjohës SHBA-së, për anëtarësimin në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen për projektin madhor të integrimit në BE. Nga ana e tij, kongresmeni amerikan vlerësoi kontributin që ka dhënë Partia Demokratike për konsolidimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e kombeve. Në veçanti, ai shprehu vlerësimin për politikat e Partisë Demokratike në mbështetje të biznesit dhe investimeve dhe krijimit të klimës sa me te favorshme për investitorët e huaj, gjate 8 viteve të qeverisjes së saj, “çka bëri të mundur rritjen në përmasa të pakrahasueshme të interesit të investitorëve të huaj drejt Shqipërisë, duke e mbrojtur ekonominë nga pasojat e krizës”. Nga ana tjetër, mësohet se në takim, kryetari Basha e njohu kongresmenin Jolly, me shqetësimet e opozitës për ato që i cilësoi si qëndrime të vazhdueshme antiligjore e antikushtetuese të mazhorancës Rama-Meta. “Zhbërjen e administratës shtetërore, uzurpimin dhe politizimin e organeve të ruajtjes se rendit, degradimin dhe monopolizimin e ekonomisë e financave publike dhe kapjen e institucioneve të pavarura, çka ka rezultuar në rritjen në nivele të panjohura me parë të kriminalitetit, kultivimit dhe trafikut të drogës në vend, dhe nga Shqipëria për në vendet e BE-se, dhe krijimin e një atmosfere të pasigurt për biznes, çka ka sjellë për pasoje largimin e investitorëve të huaj nga Shqipëria”. Pjesë e takimit, në të cilin Basha shoqërohej nga aleati i PD-së, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Meidu, ishin gjithashtu edhe zhvillimet në rajon, ku kongresmeni Jolly i shprehu kryetarit demokrat dëshirën për t’u ritakuar në Uashington.
Ish-kryeministri/ Berisha takohet me presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff
Ish-kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij presidentin e fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff. Takimi mes tyre u bë i ditur nga ish-kreu i qeverisë në rrjetin social FB, i cili shkruante se është takuar me një mik të madh dhe të shquar të shqiptarëve. Po ashtu, Berisha ka shkruar se biseda mes tyre është zhvilluar për projektet e shumta të rëndësishme të së ardhmes. “Me presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff, një mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë dhe i imi duke diskutuar mbi projektet e shumta, një histori e shkëlqyer suksesi që kanë ndryshuar vendin si dhe projektet e rëndësishme të së ardhmes!”, – theksoi ai.
Raporti i hetimit për drogën/ Felaj: Prokurorisë i takojnë akuzat për të përfshirët, edhe për mosinformimin e kreut të SHISH
Mazhoranca do të dërgojë në Prokurori raportin e “Komisionit Felaj” për çështjen e trafikut të drogës me gjetjet e hetimit, ku sipas të majtëve, do të mbetet në vlerësimin e kryeprokurorit nëse do të hapë hetim penal ndaj emrave konkretë. Deputetja socialiste Ermonela Felaj tha se nuk i lejohet komisionit të ngrejë akuza. “Qeveria e mëparshme është përgjegjëse për situatën e krijuar në FA sepse me veprimet e saj sikurse kanë qenë planet e përhapjes së aseteve të pronave të Ushtrisë u soll një degradim i skajshëm në radhët e FA-së. Nuk i lejohet Komisionit Hetimorë të ngrejë akuzë, kjo është diferenca midis Komisionit Hetimor dhe asaj që bën Prokuroria dhe organet hetimore të policisë. Tani më të gjitha ato që ne ngritëm dikur të jenë të faktuara deri në fund dhe ti shërbejnë Prokurorisë për ti përballur me drejtësinë ata njerëz”, – tha ajo për “AS”. Po ashtu, ligjvënësja e PS-së theksoi se edhe për kreun e SHISH, i takon Prokurorisë të vlerësojë nëse ka kryer shkelje penale, duke mos informuar për këtë çështje. “SHISH i kishte të gjitha mundësitë që në momentin kur mori informacion në datën 30 tetor të vitit 2013 për atë që kishte ndodhur në Gjadër një vit më parë, fare mirë në komfort të ligjit natyrisht të vendoste bashkëpunimin me Shërbimin e Inteligjencës në FA me qëllim që të bëhej e mundur gjendja e identifikimit të atyre që guxuan të bëjnë atë vepër penale”, – tha Ermonela Felaj. Komisioni Hetimor për trafikun e drogës me infrastrukturën e Ushtrisë, konkretisht përmes bazës ajrore të Gjadrit, lidhi qeverisjen e shkuar me këtë trafik. Ndërkohë opozita e cilësoi këtë komision si një farsë dhe sulm politik, pasi sipas të djathtëve nuk mund të kryhet hetim nga të akuzuarit dhe mbi denoncuesit. Sipas PD-së, në këtë komision nuk u hetua aspak për faktet konkrete të trafikut të drogës, siç ishte rasti i Divjakës, dhe se mazhoranca nuk u tregoi përgjegjshmëri për një hetim serioz.




