Takimi me administratën tatimore / Legjislacion i ri tatimor, Rama: Rimbursojmë TVSH-në brenda 60 ditëve

Gëzim Saliu

Kryeministri: Brenda 6 muajve ndryshojmë ligjin e tatimit mbi të ardhurat, ligj i ri për TVSH-në

“Kontrollet tatimore të bëhen në mënyrë të organizuar dhe bizneset të njoftohen më parë. Jo më agjentë tatimorë të palarë, të paveshur siç duhet e të pasjellshëm”

 

Rama me tatimoretQeveria do të përgatisë një legjislacion të ri tatimor, ku brenda 6 muajve do të rishkruhet ligji mbi tatimin mbi të ardhurat. Kështu bëri të ditur dje Kryeministri i vendit Edi Rama në takimin që zhvilloi me 150 punonjës të rinj të administratës tatimore, ku theksoi se rishikimi i ligjit do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me FMN-në dhe Bankën Botërore. “Nga ana tjetër, përveç ligjit të ri të TVSH-së, që do të na çojë në drejtimin e direktivës evropiane dhe që do të mbërrijë në qeveri në mes të shkurtit, ne jemi në proces konsultimi të draftit, ne kemi synimin që brenda 6-mujorit të parë të rishkruajmë ligjin e tatimit mbi të ardhurat, së bashku me udhëzimin përkatës, si dhe ligjin për të gjitha procedurat tatimore”, – tha Rama.

TVSH-ja

Një ndër pikat kryesore të diskutimit të Kryeministrit Rama, i cili zgjati për më shumë se 45 minuta, ishte edhe ajo që lidhej me vonesat me rimbursimin e TVSH-së, ku ai nënvizoi se rimbursimi duhet të bëhet brenda 60 ditëve. “Objektivat janë të qartë, të mos krijojmë pagesa të prapambetura më tutje, të arrijmë të menaxhojmë suksesshëm rimbursimin e TVSH-së nga thesari dhe të bëjmë rimbursimin e plotë brenda 60 ditëve. Të mbyllim një herë e mirë një epokë ku një detyrim i qartë si drita e diellit, ai i rimbursimit të TVSH-së është anashkaluar në mënyrë, absolutisht, të papranueshme dhe të padurueshme për biznesin. Kjo do të jetë një arritje, jo e konsiderueshme, kjo duhet të jetë një arritje si asnjëherë më parë dhe një arritje që si asnjëherë më parë do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave”, – pohoi kreu i qeverisë.

Tatimorët

Të shumta ishin “porositë” e Kryeministrit për administratën tatimore, ku kërkoi me ngulm ndryshimin në mënyrë urgjente të sjelljes me biznesin. Duke theksuar se administrata duhet t’u shërbejë sipërmarrësve, Rama deklaroi se është koha që biznesmeni të vendoset në piedestalin që i takon. “Nuk duhet të harroni se ju paguheni prej tyre. Figurën e biznesmenit hajdut, kusar, të dyshimtë nuk e ka krijuar vetëm ajo pjesë që është sjellë si e tillë, por në radhë të parë sjellja harbute, sjellja prej kusari e vetë shtetit në raport me biznesin”. Në këtë kontekst, Rama kërkoi nga të gjithë agjentët tatimorë respektimin e etikës në veshje e në sjellje. “Do t’ju kërkoja që këtë ta keni parasysh para se të dilni nga shtëpia në mëngjes, kur visheni për të shkuar në punë. Agjentë tatimorë, agjentë doganorë, inspektorë të shtetit shqiptar që paraqiten në dyert e kompanive, që paraqiten në dyert e dyqaneve, që paraqiten në mjediset publike, të palarë, të paveshur siç duhet, të pasjellshëm, janë turpi ynë i përbashkët”. Po ashtu, Rama bëri të ditur se kontrollet tatimore tanimë do të bëhen në mënyrë të organizuar dhe bizneset do të njoftohen më parë për to. “Është koha që regjimi i vizitave dhe kontrolleve fiskale të racionalizohet dhe të jetë i njohur paraprakisht nga çdo biznes që kontrollohet. Çdo kompani të lajmërohet para se të bëhet kontrolli. Është koha të marrin fund befasitë për kontrolle pa kuptim”, – theksoi Kryeministri i vendit Rama.

 

Rama: Komitete strategjike për reformën strukturore, tatimorët abuzues shkojnë në Gjykatë

Në takimin e djeshëm me administratën tatimore, Kryeministri i vendit bëri të ditur se qeveria ka pranuar sugjerimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për ngritjen e komiteteve strategjike për një reformë strukturore në kuadër të rritjes së mbledhjes së të ardhurave. “Nga ana tjetër, ne kemi ngritur zyrën për të mbledhur të gjitha ankesat, kërkesat, sugjerimet e biznesit, në funksion të KEK dhe në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit”. Në këtë kontekst, Rama siguroi çdo kompani dhe çdo sipërmarrës, “që vihet përballë sjelljes së vjetër, vihet përballë metodave të vjetra të abuzimit, vihet përballë kërkesave korruptive, t’ia bëjë me dije kësaj zyre, që është sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar, se çfarë i ndodhi, ku i ndodhi dhe me kë i ndodhi dhe cilido emri i të cilit do të shfaqet në këtë proces, mund ta dijë që sot, se nuk do të ketë më vend në administratën tatimore të Republikës së Shqipërisë dhe padyshim për të pasur pastaj vend në komunitetin ku jeton, duhet të kalojë nga rruga e prokurorisë dhe e gjykatave, ku të provojë se sa i pafajshëm është. Boll më, me terrorin psikologjik. Boll më me tatimorët që i lejojnë vetes të futin duart në xhepat e të tjerëve. Boll më me tatimorët dhe me doganorët që e konsiderojnë veten shtresë e privilegjuar dhe vënë dhjam, duke grabitur ditën për diell kompanitë dhe duke grabitur ditën për diell edhe qindarkën në bizneset më të vogla”.

Shehaj: Kemi mbledhur 3 miliardë lekë më shumë se në 2012-ën. Ahmetaj: Fytyrë të re të shtetit

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, theksoi dje se në fillimin e punës janë zbuluar miliona dollarë evazion fiskal dhe se përpara ligjit janë çuar 60 persona. “E kemi nisur mirë dhe shumë mire. Përmbysëm trendin negativ. Kemi mbledhur 3 miliardë lekë më shumë se në 2012-ën. Mblodhëm 2.1 miliardë lekë të ardhura më shumë se në 2012. Kemi bërë mrekulli krahasuar me çfarë derexheje ku e gjetëm vendin. Ne do ta fitojmë luftën ndaj korrupsionit dhe nuk do të lejojmë askënd të prishë vizionin e rimëkëmbjes”, – tha Shehaj. Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se vullneti i administratës tatimore në luftën kundër korrupsionit është thelbësor. Në këtë kontekst, ministri theksoi se që administrata tatimore të jetë ashtu siç e do qeveria është dhe çështje betimi, që secilit prej pjesëtarëve të saj duhet t’i vijë së brendshmi. “Duhet betim për gjakun dhe fytyrën e shtetit. Sfida e dyanshme: mbledhja e të ardhurave legjitime, transmetim me përgjegjshmëri të fytyrës së re të një shteti të ri që ka marrë përsipër të ndryshojë marrëdhënien ekonomike shtet-biznes”, – u shpreh Ahmetaj.

 

 

 

 

Share it :