Takimi Basha-Moore/ “Shqetësues moszbatimi i vendimeve të gjykatave dhe zaptimi i institucioneve të pavarura”

Florenc Drizari

 

“Shqetësues moszbatimi i vendimeve të gjykatave dhe zaptimi i institucioneve të pavarura”

 Basha: Mazhoranca nuk respekton vendimet e gjykatave dhe po cenon mandatin e institucioneve të pavarura, duke tentuar kapjen e tyre

 

 

Basha - MoorEDrejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonahtan Moore, zhvillon një vizitë treditore në Tiranë. Dje ai u prit në takim nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së kryeqytetit.

Kryetari i Partisë Demokratike e njohu zyrtarin e lartë amerikan me gjendjen shqetësuese të demokracisë në vend, duke u ndalur kryesisht në dy çështjet themelore që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimit të gjykatave dhe respektimin e mandatit të institucioneve të pavarura.

“Mazhoranca nuk respekton vendimet e gjykatave dhe po cenon mandatin e institucioneve të pavarura, duke tentuar kapjen e tyre”, – u shpreh Basha, duke theksuar se ky është një zhvillim negativ për vendin që vë në rrezik themelet e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri.

Z. Basha ripohoi mbështetjen pa kushte që opozita po i jep integrimit evropian të vendit dhe e njohu me hapat e hedhur nga PD-ja në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat. Por nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk mund të pajtohet për asnjë çast dhe të mbyllë sytë para shkeljes së normave demokratike dhe zhbërjes së standardeve nga mazhoranca “Rama-Meta”.

Z. Moore tha se respektimi i vendimit të gjykatave është një standard ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara kur standardet ndërkombëtare nuk respektohen. Zyrtari i lartë amerikan shprehu edhe një herë vlerësimin për qëndrimet e opozitës në favor të procesit të integrimit evropian të vendit dhe çmoi hapat institucionalë që ka ndërmarrë Partia Demokratike me dërgimin e çështjeve në Gjykatë.

Kryetari i Partisë Demokratike e njohu Moore-in me aktet e qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura, si ILDKP dhe AMA, për uzurpimin e kompetencave të Presidentit, për rritjen e arbitraritetit dhe dhunimin e të drejtave të qytetarëve, si të drejtën e pronës, duke përfshirë shumë raste dhune e keqtrajtimesh fizike të qytetarëve edhe para mediave.

Basha e informoi gjithashtu z. Moore për vazhdimin e spastrimeve në administratë, çka ka çuar deri më tani në largimin e paligjshëm të më shumë se 7 mijë nëpunësve nga puna.

Por më e rënda, theksoi kryetari i opozitës, mbetet mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, duke sjellë si shembull injorimin nga qeveria të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e nëpunësit civil apo për tejkalimin e kompetencave të INUK-ut si dhe mosrespektimin nga qeveria të qindra vendimeve të tjera të formës së prerë.

Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zoti Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në këtë proces. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Moore pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar.

 

 

 

Moore takon Kodhelin: Shqipëria në NATO, faktor stabiliteti

 Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, priti dje në një takim drejtorin për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bën të ditur se ministrja Kodheli i ka shprehur zyrtarit të lartë amerikan mirënjohje të thellë për kontributin që SHBA ka dhënë në ndihmë të shqiptarëve dhe Shqipërisë, sidomos në procesin e integrimit të vendit në strukturën euroatlantike. Ministrja Kodheli e ka njohur Moore-in me reformën në Forcat e Armatosura, duke nënvizuar vullnetin e plotë të saj dhe të mazhorancës për t’i kthyer ushtrisë shqiptare dinjitetin e merituar. Nga ana e tij, Moore uroi popullin shqiptar për përvjetorin e anëtarësimit në NATO, duke nënvizuar se angazhimi i Shqipërisë në Aleancë është faktor stabiliteti në rajon e me gjerë. Ai vazhdoi më tej duke thënë se vlerëson pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse nën flamurin e NATO-s. Moore përsëriti sërish mbështetjen e SHBA-së në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

 

 

Kreu i PD-së, Basha: Anëtarësimi në NATO, rezultat i suksesit të reformave

“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rezultat i suksesit të reformave që konsoliduan shtetin ligjor, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, që e shndërruan Shqipërinë në një nga vendet më të sigurta në rajon, demokracinë shqiptare në një demokraci funksionale që garantuan suksesin e ekonomisë së tregut, transformimin e Forcave të Armatosura dhe kontributin domethënës të Shqipërisë në të gjitha frontet dhe zonat ku NATO kërkoi mbështetjen tonë”. Kështu e nis komentin e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kujtim të ditës së 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kreu i opozitës shpreh mirënjohje dhe nderim për punën dhe përkushtimin e administratës dhe ushtarakëve shqiptarë që, sipas tij, mundësuan suksesin e reformave për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

“Mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e fuqishme që i dha Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut si dhe për vendet anëtare të NATO që vlerësuan 5 vjet më parë arritjet e Shqipërisë dhe e pranuan në gjirin e tyre.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është historia e një suksesi kombëtar, për shkak të reformave të guximshme të ndërmarra nga shumica demokrate që mposhtën çdo kundërshtim dhe bindën çdo skeptik. Është po kështu një mësim i mirë për rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që mbetet misioni hyjnor i Partisë Demokratike”, – ka shkruar kryetari i PD-së, Basha, në një postin në rrjetin social “Facebook”.

 

 

Share it :