Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar se nga një prilli do të nisë tatimi mbi ata që punojnë në hapësirën virtuale online.
Duke folur në Euronews Albania, deputetja tha se ky tatim pritet të jetë nga 23-50 %.
Tabaku shtoi se qeveria në vend që t’i stimulojë ata që punojnë online, pasi është një biznes që po rritet në Shqipëri, i taton duke u prishur punë.
“Nga një prilli fillon taksimi mbi ata që punojnë në hapësirën virtuale online. Ne do e shohim në vijim sa është taksimi. Ne do ta shohim në praktikë sa do të jetë. Por është praktikisht 23-50 %. Pse? Sepse formula që kanë përllogaritur është në bazë të xhiros.
Kanë supozuar se një biznes X përshembull një IT, mund të ketë shpenzime 10 lekë, ose 5 % të xhiros. Por edhe kjo është e supozuar, sepse ai personi i IT i duhet patjetër të marrë një certifikatë, të lexojë, të investojë te ai biznes. Mua më kanë shkruar të rinj pa fund që më kanë thënë se kjo është një marrë shumë e madhe për ta.
Kam takuar të rinj që kanë kontrata me Indinë, që punojnë këtu. E kuptoni çfarë bën qeveria? Në vend që ta stimulojë këtë biznes që po rritet, jo për meritë të qeverisë, këta shkojnë dhe i tatojnë. Një vit para zgjedhjeve këta bëjnë një favor fiskal, sa përfundojnë zgjedhjet, i rrisin prap”, tha Tabaku.




