Tabaku: Integrimi europian i bllokuar, Rama dhe kryenegociatorja i shmangen llogaridhënies!
Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka denoncuar në Kuvend mënyrën jo transparente të qeverisë në raportimin për procesin e integrimit europian.
Sipas saj, raporti i qeverisë, prej 50 faqesh, përmban vetëm një listë ligjesh dhe VKM-sh, pa asnjë analizë të progresit real të reformave. Tabaku kritikoi mungesën e Kryeministrit dhe Kryenegociatores, duke theksuar se një debat serioz nuk mund të zhvillohet pa praninë e tyre.
Tabaku theksoi se, opozita ka treguar vullnet politik, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësitë e qeverisë dhe llogaridhënien që i takon asaj.
Jorida Tabaku: Zoti kryetar, ju jeni vetë dëshmitar që për herë të parë në këtë sesion parlamentar, në këtë legjislaturë, në fakt po raportohet për integrimin. Nga shtatori deri më sot, kjo është hera e parë që ne diskutojmë në një seancë për raportimin e qeverisë mbi procesin e integrimit.
Kemi kërkuar vijimësisht që ky proces të jetë i hapur, dhe kjo nuk ka ndodhur. Më në fund, qeveria vendosi që ta bëjë debatin parlamentar. Po debatit nuk mund t’i thuhet i plotë në qoftë se, së pari, kryenegociatorja nuk është këtu dhe, së dyti, kryeministri nuk është këtu.
Me të drejtë, zoti Hasani ju referua mbledhjes së Komisionit të Jashtëm dhe të Evropës si një mbledhje ku shumë tema u diskutuan, po asnjë prej atyre temave nuk mori përgjigje. Asnjë prej temave që ne ngritëm nuk mori përgjigje. Për herë të parë, dhe unë besoj, në këtë sallë bashkë me disa kolegë të tjerë kemi vite që lexojmë raporte. Raporti që ka sjellë qeveria ka vetëm një listë ligjesh. Kush e ka lexuar dhe e ka parë raportin, janë 50 faqe, vetëm një listë ligjesh dhe VKM-sh. Nuk është ky procesi i integrimit.
Procesi i integrimit është cilësia e reformave. Procesi i integrimit janë vendimet politike të qeverisë. Procesi i integrimit është ndryshimi i kodit të procedurës penale nga qeveria, është reforma në drejtësi dhe SPAK-u, është vota politike dhe mbrojtja politike që i bëhet Ballukut. Për këtë kemi nevojë që të bëjmë sot një debat. Një debat që për nëntë muaj nuk ka ndodhur dhe sot duhej të kishte ndodhur.
Ju e keni parë vullnetin politik të Partisë Demokratike edhe me miratimin e rezolutës sot në mëngjes në Komisionin e Jashtëm. Por opozita kaq ka: vullnetin politik. Nuk zëvendëson dot as punën e qeverisë, as raportimin e qeverisë, as llogaridhënien e qeverisë. Opozita thjesht mund të shprehë një vullnet politik që kemi qenë të gatshëm dhe jemi këtu të gatshëm për ta dhënë, por rolin e qeverisë nuk e bëjmë dot ne.
Për këtë arsye, i bashkohem thirrjes së kolegëve që të thërresim kryenegociatoren, të ndjekim procedurën në qoftë se ka pyetje për raportin, të dëgjojmë kryeministrin dhe të dëgjojmë ata që kanë përgjegjësi për të raportuar.
Në qoftë se integrimi është kryeprioritet, atëherë kjo duhet të reflektohet këtu në parlament, duhet të reflektohet me çdo vendim, me çdo ligj, me çdo marrëveshje, dhe fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Zoti Peleshi, ju bëj dhe juve njëherë thirrje që ta sjellim seancën në normalitet, ta trajtojmë integrimin ashtu siç duhet, me rëndësi, dhe mos ta kemi këtë seancë sa për të kaluar radhën, për të miratuar një listë, ashtu siç po bëni me ligjet dhe ashtu siç po bëni me çdo procedurë tjetër.




