Mijëra studentë presin të fillojnë studimet master në universitetet publike. Ndërkohë që edhe muaji tetor po ikën, qeveria “Rama” ende nuk po miraton kuotat e studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave” dhe “Master profesional” në universitetet publike. Universitetet publike nuk mund të fillojnë pranimet e studentëve. Deri tani vetëm shkollat e larta private kanë filluar pranimet për studimet master. Shumë të rinj, që kanë përfunduar studimet bachelor në universitetet publike, janë të pasigurt, nëse do të miratohen kuota të mjaftueshme për studimet Master dhe nëse do të rriten prapë tarifat e studimeve”, – deklaroi Myqerem Tafaj. Me këtë vonesë të paprecedentë në miratimin e kuotave nga qeveria “Rama”, mësimi për ciklin e dytë fillon jo më herët se në mes të muajit dhjetor, çka përbën një deformim flagrant të vitit akademik. Viti akademik duhet të kishte filluar më 12 tetor edhe për studimet e ciklit të dytë, sepse ai ka të njëjtën kohëzgjatje dhe, nga ana tjetër, edhe këto studime janë me kohë të plotë. Nuk ka asnjë arsye objektive për një vonesë kaq të madhe të miratimit të kuotave për studimet master, sepse universitetet publike i kanë dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve propozimet e tyre që në qershor-korrik. Në vitin 2013 kuotat e studimeve të ciklit të dytë janë miratuar në javën e parë të shtatorit, ndërsa këtë vit të ri akademik miratimi i kuotave po vonohet, duke shkaktuar kështu pasiguri tek studentët, dhe ankth për rritjen e tarifave në master.





