Studimet në privat, ja se çfarë duhet të kenë kujdes të rinjtë

studime-universiteteMë i rëndësishmi mbetet programi i studimit, ku minimumi duhet të jetë i akredituar nga institucionet e arsimit të lartë, në të kundërt nuk ka vlerë

 

 

Si çdo vit, Ministria e Arsimit këshillon të rinjtë për të ardhmen e tyre. Duke qenë se numri i universiteteve private është rritur shumë, MASH ka publikuar ato pika që janë të domosdoshme që çdo i ri duhet të njohë. Më i rëndësishmi mbetet programi i studimit, ku minimumi duhet të jetë i akredituar nga institucionet e arsimit të lartë, në të kundërt nuk ka vlerë.

 

Dua të studioj në një institucion të arsimit të lartë. Shoh se disa institucione kanë emërtime të ndryshme, disa quhen universitete, disa shkolla të larta apo akademi e të tjera kolegje. Ku qëndron ndryshimi tek këto emërtime dhe a është ky relevant për zgjedhjen time?

Në varësi të licencës, institucionet e arsimit të lartë mund të jenë universitete, akademi, shkolla të larta apo kolegje. Universitetet ofrojnë programe të të gjitha cikleve të studimit (bachelor, master dhe doktoratë), përfshijnë shumë disiplina studimore dhe janë të orientuara për nga kërkimi shkencor e aplikativ. Akademitë gjithashtu ofrojnë të gjitha ciklet e studimit, por ato janë të kufizuara në një ose dy disiplina studimore si në atë të kulturës, të mbrojtjes apo të një profesioni të caktuar dhe bëjnë kërkime të aplikuara (applied research) apo kërkime artistike (artistic research). Shkollat e larta ofrojnë programe studimi në ciklin e parë dhe të dytë në një sërë disiplinash, por janë kryesisht të kufizuara në mësimdhënie dhe në kërkime të aplikuara. Kolegjet profesionale ofrojnë vetëm programe studimi të ciklit të parë dhe studime profesionale 2-vjeçare e janë të kufizuara në mësimdhënie dhe trajnim profesional. Zgjedhja juaj duhet të udhëhiqet nga interesat dhe perspektivat tuaja për të ardhmen. Në varësi të interesit tuaj për t’u përqendruar në studime profesionale apo për të vazhduar më tej më kërkimin shkencor, ju mund të zgjidhni një kolegj profesional, shkollë të lartë apo universitet. Statuti ligjor i institucionit si universitet, akademi, shkollë e lartë apo kolegj profesional, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 Jam një student në shkollën e lartë jopublike X. Dëshiroj të transferohem në shkollën tjetër jopublike Y apo universitetin publik. A mund ta realizoj këtë dhe si?

Në Shqipëri sistemi i arsimit të lartë është i bazuar mbi normat e vendosura nga Procesi i Bolonjës. IAL-të jopublike i kanë të organizuara programet e studimit me kredi (ECTS – European Credit Transfer System). Kreditet mund të transferohen nga një shkollë në tjetrën dhe njohja e krediteve realizohet nga institucioni pritës. P.sh. programi i studimit Bachelor është i organizuar me 180 kredite. Nëse një student në vitin e parë që ka mbledhur 60 kredite, dëshiron të kalojë në një tjetër IAL, atëherë, në varësi të njohjes që i bën institucioni pritës, ky student mund të vazhdojë vitin e dytë, pra të plotësojë 120 kredite në institucionin pritës. Transferimet në universitetet publike janë të kufizuara për nga numri nëpërmjet kuotave të miratuara nga MASH. Lutemi të informoheni pranë universitetit dhe fakultetit përkatës për hollësi të mëtejshme.

 

Dua të regjistrohem për programin X në institucionin X. Dua të di a është ky program i njohur në Republikën e Shqipërisë?

Në Republikën e Shqipërisë programet e studimit duhet fillimisht të miratohen nga MASH. Dokumentacioni që dëshmon njohjen është urdhri i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i cili përmban numrin dhe datën e lëshimit. Përpara lëshimit të diplomës, programi i studimit duhet të jetë i akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Akreditimi dokumentohet me urdhër të ministrit për akreditimin e programit dhe vendimin e Këshillit të Akreditimit.

Dua të regjistrohem në institucionin e arsimit jopublik X. Dua të di a është i njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës?

Institucionet e arsimit të lartë jopublik (privat) njihen në Shqipëri pas licencimit nga Këshilli i Ministrave. Licencimi i IAL-ve private dokumentohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të dini se IAL-të private duhet të kenë miratim të programeve të studimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Miratimi i programeve nga MASH dokumentohet me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Përpara lëshimit të diplomës, IAL-të duhet të jenë të akredituara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Akreditimi dokumentohet me Urdhër të Ministrit për akreditimin e programit dhe të institucionit.

 

Jam një nxënës në shkollën e mesme. A mund të regjistrohem në një shkollë të lartë jopublike pa përfunduar me sukses provimin e maturës shtetërore?

Jo. Ju duhet të keni përfunduar me sukses të gjitha provimet e maturës shtetërore për t’u regjistruar në një institucion të arsimit të lartë. Vetëm atëherë ju mund të pajiseni me diplomë të Maturës dhe do të mund të regjistroheni në një IAL.

Unë kam përfunduar shkollën e mesme jashtë shtetit. A mund të regjistrohem në një institucion të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe si?

Regjistrimet kryen nga vetë IAL-ja. Por institucioni i arsimit të lartë jopublik duhet të bëjë vlerësimin e njësueshmërisë së diplomës së lëshuar jashtë shtetit me provimin e maturës shtetërore në Republikën e Shqipërisë. Hollësitë i janë njoftuar IAL-ve private nëpërmjet një udhëzimi. Ndër të tjera, kërkesa për vlerësimin e diplomës duhet të përmbajë: diplomën e shkollës se mesme dhe një vërtetim nga autoritetet përgjegjëse të mbikëqyrjes së arsimit se kjo diplomë i jep të drejtën nxënësit të ndjekë studimet universitare.

Kam mbaruar shkollën e lartë jopublike X dhe jam diplomuar. Nga vendi i punës apo shteti i huaj, më kërkojnë të dëshmoj se kjo diplomë njihet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Shqipërisë. Ku mund ta marr këtë dokument?

Sipas ligjit të arsimit të lartë, diplomat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë njihen vetëm kur janë të akredituara dhe kur ato janë akredituar përpara lëshimit të tyre. Ministria e Arsimit dhe Shkencës i publikon në faqen e internetit, apo Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë të gjitha urdhrat për akreditimin e programeve të studimit. Gjithashtu IAL-ja që lëshon diplomën duhet të pajisë të diplomuarin me një fotokopje të urdhrit të akreditimit dhe vendim të Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Diploma gjithashtu ka të shenjuar datën e lëshimit të urdhrit të akreditimit dhe numrin e tij. Për ata që e dëshirojnë këtë dokument për efekt të përdorimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të interesohen pranë përfaqësisë diplomatike të vendit përkatës, ose të paraqesin një kërkesë pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Një pjesë e përfaqësive tëhuaja diplomatike i ndërmarrin vetë verifikime të tilla.

Share it :