Strasburgu i jep të drejtë Fredi Belerit, Shqipëria duhet ta dëmshpërblejë për paraburgimin
Strasburgu dënon Shqipërinë për paraburgimin e Belerit, ja sa dëmshpërblim duhet të paguajmë
Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të Konventës në çështjen e Fredi Belerit, duke vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit të tij nuk ishte mbështetur në arsye të mjaftueshme. Gjykata ka vendosur se, të paktën nga 19 korriku 2023 e në vijim, autoritetet shqiptare nuk kishin dhënë një justifikim të mjaftueshëm për mbajtjen e tij në burg.
Në vendimin e njoftuar më 10 nëntor 2026, Strasburgu thekson se paraburgimi fillestar i Belerit ishte i justifikuar, duke mos konstatuar shkelje të Konventës për periudhën e parë pas arrestimit. Megjithatë, Gjykata vlerëson se me kalimin e kohës autoritetet duhej të rishqyrtonin në mënyrë të plotë nëse vazhdonin të ekzistonin arsyet për mbajtjen e tij në paraburgim dhe nëse mund të zbatoheshin masa më të buta sigurie.
Sipas vendimit, Beleri u arrestua më 12 maj 2023 dhe qëndroi në paraburgim deri më 5 mars 2024, kur u dënua. Periudha e paraburgimit zgjati 9 muaj e 21 ditë.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata vuri në dukje se autoritetet shqiptare ishin mbështetur te rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit te dëshmitarët, rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe serioziteti i akuzës. Megjithatë, Strasburgu konstatoi se gjykatat vendase nuk kishin vlerësuar siç duhej ndryshimin e rrethanave me kalimin e kohës.
Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se vendosja fillestare e Belerit në paraburgim ishte e justifikuar, por theksoi se, me kalimin e kohës, autoritetet shqiptare duhej të rivlerësonin nëse kjo masë sigurie ishte ende e nevojshme.
Sipas Gjykatës, autoritetet duhej të rishqyrtonin në mënyrë të plotë nëse vazhdonin të ekzistonin arsyet për mbajtjen e tij në paraburgim dhe nëse mund të zbatoheshin masa më të buta sigurie.
Strasburgu vëren se gjykatat shqiptare nuk morën sa duhet në konsideratë përfundimin e hetimeve dhe faktin se aktakuza ishte ngritur. Gjithashtu, sipas vendimit, ato nuk identifikuan prova konkrete që mund të rrezikoheshin nga ndërhyrja e Belerit.
Në përfundim, Gjykata vendosi që Shqipëria t’i paguajë Fredi Belerit 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore, në total 5,450 euro, plus taksat e mundshme.
Nga ana tjetër, Gjykata rrëzoi kërkesën e tij për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë periudhës kur nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Fredi Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ndonëse ndodhej në paraburgim. Ai nuk arriti të merrte detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin.
Beleri u dënua me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ndërkohë, çështja e tij ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.




