Tekniku i të kuqve është shprehur se pavarësisht se Strømsgodset është një skuadër e fortë, skuadra e tij do të japë gjithçka për të kaluar në fazën tjetër
Partizani zhvilloi dje për herë të fundit stërvitje në kompleksin stërvitor në Pezë-Helmës përpara nisjes për në Prishtinë, nga ku do të udhëtojë drejt Norvegjisë për të shijuar sërish aromën e ndeshjeve evropiane, në një sfidë të vështirë kundër vendasve të Strømsgodsetit. “Demat e kuq” kërkojnë një rezultat surprizë në vendin nordik, të vetëdijshëm se nuk kanë asgjë për të humbur nga kjo sfidë luksi. Rreth 90 minuta stërvitje e përzier mes ushtrime fizike dhe teknike. Nexhipi i zhvendosur në mënyrë surprizë me skuadrën e ashtuquajtur të rezervave, ndërsa në krahun tjetër Raçiç udhëhoqi sulmin e lojtarëve që mendohet se do të jenë titullarë në këtë 90-minutësh. Në seancën stërvitore ku trajneri Sulejman Starova kërkoi me këmbëngulje shumë grintë dhe dëshirë, ishin të pranishëm të tria blerjet e merkatos së verës, Sebino Plaku, Renaldo Kalari dhe Ditmar Bicaj, të cilët u rreshtuan me 11-shen e parë. Shumë djersë dhe ushtrime me topin që do të ndihmojnë ekipin të zbresë më i freskët në fushën e lojës, edhe pse trajneri Starova e pranon avantazhin e rivalëve, të cilët janë në mes të sezonit. “Me mundësitë që kemi pasur në skuadër është krijuar konkurrencë. Ata kanë disa avantazhe, sepse janë në mesin e kampionatit, kanë lojtarë cilësorë, është një skuadër nordike, futbolli anglosakson ka ritëm, luajnë me 6 lojtarë në sulm. I kemi studiuar në disa ndeshje”. Trajneri i të kuqve shton se Mazrekaj, Fejzullahu dhe Fazlliu janë stërvitur veçmas në Prishtinë ku ndodhen për të zgjidhur çështjen e vizave, ndërsa skuadra do t’u bashkohet ditën e martë dhe të gjithë së bashku do të zhvillojnë një tjetër seancë stërvitore në kryeqytetin kosovar. Starova e pranon gjithashtu se e ka në kokë skuadrën që do të hedhë në fushë. “Formacioni është i qartë në kokën time dhe në kokën e lojtarëve. Raçiç ka pasur probleme gjatë javës. Ka bërë një kontroll me rezonancë magnetike që ka rezultuar pozitiv”. Në fund, tekniku kryeqytetas karikon grupin që drejton, duke theksuar se pavarësisht faktit që Partizani nuk është favorit në këtë sfidë, do të japë gjithçka për të tentuar deri në fund shanset e kualifikimit. “Futbolli është i bukur sepse skuadrat e dobëta nxjerrin punë shpesh herë. Diferencat janë ngushtuar. Ne dimë ta vlerësojmë kundërshtarin ashtu siç është. Duhet të japim maksimumin dhe nëse e bëjmë një gjë të tillë atëherë nuk ka asgjë tjetër për të shtuar”. Sfida Strømsgodset-Partizani do të luhet të ënjtën në orën 19:00.
Laçi, skuadra më në formë
Nëse ka një skuadër shqiptare pjesëmarrëse në kompeticionet evropiane të konsoliduar për sa i përket formacionit në prag të këtyre sfidave, është Laçi. Kurbinasit kanë ndryshuar shumë pak krahasuar me edicionin e shkuar, teksa janë larguar kapiteni Stipe Buljan dhe mesfushori Olsi Teqja. Gjithashtu, dëmtimin e fantazistit Marko Cetkoviç drejtuesit e klubit kurbinas e kanë mbuluar me afrimin e ish-kapitenit Erjon Vucaj për aventurën evropiane. 4-4-1-1 pritet të jetë rreshtimi për bardhezinjtë me Vujadinoviç si titullarin e portës. Në mbrojtje rikthehet pas dëmtimit Elton Doku në krahun e djathtë, teksa dilema qëndron në qendër të mbrojtjes. Arjan Sheta pritet ta nisë si titullar por ende nuk është vendosur nëse do t’i besohet blerjes së re kroatit Dalibor Bagaric apo Emiliano Celës vendi në krah të veteranit. Në të majtë Taulant Sefgjinaj duket në avantazh teksa mund të vihet në diskutim vendi i tij nëse Bagaric preferohet në qendër me Çelën që mund të zhvendoset në të majtë. Mesfusha me 4 pritet të jetë e përbërë nga Valdano Nimani në të djathtë Emiliano Veliaj dhe Argjend Mustafa në qendër si dhe Agim Meto në të majtë. I tërhequr pas shpinës së nigerianit James Adeni prite të jetë Erjon Vucaj që duhet të marë përsipër organizimin e lojës së skuadrës.
Kukësi në formë për përballjen
Kukësi vijon paraqitjet pozitive në Tirol të Austrisë, ku po kryen fazën përgatitore për ndeshjet eliminatore të Europa League. Në miqësoren e fundit skuadra e drejtuar nga Marcelo Troisi humbi minimalisht dhe vetëm në minutat e fundit 1-0 përballë Targu Mures, një kundërshtar i nivelit të lartë, pasi është nënkampionia e Rumanisë dhe që do të luajë direkt në turin e tretë të paraeliminatoreve të Europa League, Kukësi pas disa rasteve të mira në pjesën e parë është ndëshkuar me gol vetëm pesë minuta parta fundit, finalizim për të cilin drejtori teknik i klubit verilindor, Jonuz Hallaci rrëfen edhe një detaj interesant. Sipas drejtorit teknik të Kukësit, në miqësoren e fundit një paraqitje mjaft të mirë kanë bërë brazilianët e afruar në skuadër në merkaton e kësaj vere, të cilët kanë bindur me paraqitjen e tyre. Edhe pse objektivi afatshkurtër i përforcimeve nga Brazili është Europa League, Hallaçi nuk përjashton mundësinë e qëndrimit të tyre në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm. Në veçanti sulmuesi Erick Flores ka impresionuar duke krijuar premisat për një dyshe të frikshme sulmi me bomberin Pejiç. Forma e skuadrës në takimet miqësore, si dhe fryma e krijuar në grup, kanë forcuar në kampin e Kukësit bindjen për të përsëritur në Evropë një arritje si ajo e dy viteve më parë. Kukësi do ta luajë miqësoren e radhës në Tirol këtë të Shtunë pasdite kur do të përballet me Austria Salzburg.
Bartomeu: Barcelona si Apple
Josep Maria Bartomeu ka thënë se dëshiron ta shohë Barcelonën të bëhet fuqi mbizotëruese në botën e futbollit dhe simbol i këtij sporti. Klubi katallan është në mesin e klubeve elitë të futbollit dhe pozita e tyre është fuqizuar edhe më shumë sivjet kur fituan “tripletën” e dytë brenda gjashtë vjetësh, transmeton Koha.net. Bartomeu, pasardhës i presidentit Sandro Rosel, do të garojë për këtë post në zgjedhjet presidenciale brenda klubit që do të mbahen më 18 korrik dhe ka thënë se vizioni i tij është që Barça të bëhet si Apple, NASA dhe Facebook-u i futbollit. “Deri në vitin 2021, unë dua që Barça në futboll të jetë si Apple për kompjuter, si NASA për gjithësi ose si Facebook-u për rrjetet sociale”, – ka thënë ai gjatë kampanjës së tij. “Barça e shekullit 21 është e bazuar në modelin social, sportiv, atletik dhe duam të ndërtojmë qendra në projektin Espai Barça”, – ka thënë veç të tjerash Bartomeu.
Evertoni hedh sytë nga Xherdan Shaqiri
Evertoni ka rikthyer interesimin për sulmuesin e Interit, Xherdan Shaqiri. Kështu raporton tabloidi “Daily Mail”, që thekson se Interi po mendon të ristrukturojë skuadrën. 23-vjeçari kosovar që luan për Zvicrën ka kaluar te Interi në janar nga Bajerni i Munihut për 12.8 milionë funte. Sipas raportimeve, edhe Stok Siti është i interesuar në shërbimet e tij. Evertoni besohet se do ta ketë shumë vështirë transferimin e Shaqirit pasi trajneri i Interit Roberto Mançini javën e kaluar deklaroi se kosovari është në planet e tij.
Interi rinovon me Ranokian
Klubi i Interit ka njoftuar se ia ka vazhduar kontratën kapitenit të ekipit, Andrea Ranokia, deri në vitin 2019. Edhe pse u spekulua shumë nga mediat italiane se Ranokia mund të largohet nga klubi këtë verë, në fakt ndodhi krejt e kundërta, sepse 27-vjeçari ka vazhduar kontratën me zikaltrit edhe për katër vite tjera. Ranokia, i cili iu bashkua Interit në janar të vitit 2011, ka realizuar 156 paraqitje për zikaltrit, duke shënuar nëntë gola në total. Përveç Ranokias, Interi ia ka vazhduar kontratën edhe portierin Huan Pablo Karrizo deri në vitin 2017.
Milanit nuk i mjafton Baka
Ish-mbrojtësi i Milanit, Roke Zhunior, beson se ish-skuadra e tij duhet të përforcohet edhe me më shumë lojtarë përveç Karlos Bakës. Sulmuesi i Seviljes pritet që ta përfundojë transferimin e tij te Milani në ditët e ardhshme për një shumë rreth 30 milionë euro, teksa Andrea Bertolaçi u transferua të hënën për 20 milionë euro nga Roma. “Milani ende ka mundësi që t’i joshë lojtarët për t’iu bashkuar dhe blerja e Bakës është shumë e qëlluar. Por, duhet blerë edhe më shumë lojtarë”, – ka thënë fillimisht Roke Zhunior. “Kriza ekonomike ka ndikuar në blerjet e Milanit, ndërsa mungesa e përvojës nga Klarens Zedorf dhe Filipo Inzagi nuk ndihmuan fare. Unë mendoj se Mihajloviç është zgjedhja e duhur. Me rëndësi janë lojtarët që keni në skuadër. Juventusi është ende shumë përpara, mirëpo Interi gjithashtu ka bërë disa përforcime të mira”, – ka shtuar ai.




