Stadiume apo restorante, historia “u falet” parave

Shpeshherë, emri i një stadiumi i kushtohet një ish-futbollisti apo një presidenti që ka dhënë shumë për një skuadër. Por sot, në kohën e sponsorëve globalë, është kthyer “në modë” që shumë prej impianteve legjendare të marrin emrat e disa kompanive që mund të kenë ndihmuar në ndërtimin apo rikonstruktimin e këtyre veprave.

 Marrë nga “Corriere dello Sport”

 

foto per stadiumet

Për para bëjnë gjithçka. Pronarët e klubeve të futbollit, që shpeshherë nuk kanë asnjë lidhje me skuadrën që drejtojnë, në mungesë të fondeve, kanë arritur deri aty sa të nxjerrin në “ankand” emrat e stadiumeve. Por një veprim i tillë është një “dramë” e vërtetë për tifozët dhe tërë ata futbollistë që dashurojnë emrin e “tempullit” ku më parë ka pritur legjendat e këtij sporti.

“Qymyrxhinjtë” janë të radhës

Më i fundit në radhë është “St. James Park”, stadiumi historik i Njukasëllit. Tanimë “qymyrxhinjtë” do të luajnë në një impiant që në fakt është po ai i pari, por tani ka emër tjetër, do të quhet “Sports Direct Arena”. Kjo është një goditje e rëndë për fansat e Njukasëllit që janë të pasionuar pas historisë së këtij klubi.

 

Stadiumi kruasant

Nganjëherë emrat e stadiumeve mund të bëhen qesharakë siç ndodh edhe në Amerikë, atdheun e sponsorizimeve “të pavend”. Kështu pra në SHBA mund të gjejmë “perla” si “Parku Pizza Hut” ( në Frisko, Teksas – kapaciteti 21.193 spektatorë), Qendra Dunkin’Donuts (Providence, Rhode Island, kapaciteti 13.106 spektatorë) apo ‘Kentucky Fried Chicken Yum! (Qendra Shija e Kentucky Fried Chicken ndodhet në Louisvill, Kentaki, kapaciteti 22.090 spektatorë). E gjithë kjo vetëm për të mbetur nën ombrellën e impianteve të sponsorizuara nga “të mëdhenjtë” e sipërmarrjes së ushqimit. Por ekzistojnë edhe stadiume që marrin emrin nga sponsorizues më pak të njohur, së paku në nivel ndërkombëtar. Qyteti i Korpus Kristiti (Corpus Christit; edhe qytetet në Amerikë nuk qëndrojnë më pas në garën e emrave) ka për shembull stadiumin ‘Çfarë Hamburgeri’. Do të tingëllonte sikur “Olimpico” i Romës të quhej ‘Arena çfarë makaronash alla matricciana’. Por edhe në Angli dhe më ekzaktësisht në Jork, dëmi është bërë tashmë. Stadiumi lokal deri në fund të 2010-ës sipas marrëveshjes së sponsorit është quajtur ‘Kit Cat Crescent’. Tashmë lutemi të mos mbërrijmë në pikën që në Itali të kemi ‘Stadiumi Kruasant në S. Siro’.

 

Abramoviç “mercenari” i radhës

Klubi i Roman Abramoviçit është gati të shpalojë sponsorin e ri për stadiumin “Stamford Bridge”. Çelsi po kërkon që të arrijë një marrëveshje për të drejtën e emrit të stadiumit, i cili do të rivalizonte Arsenalin dhe Mançester Sitin. Bëhet fjalë për një akord rreth 110 mln euro. Drejtuesit e klubit londinez janë gjithashtu duke menduar dhe ndërtimin e një impianti të ri me kapacitet më të madh.

Share it :