Nëse më parë të siguruarit nuk paguanin për të bërë vizita tek mjekët specialistë, tani për çdo vizitë të bëra ata do të paguajnë njëlloj si ata persona që nuk janë të siguruar
Sejrie Baleta
Të gjendur në udhëkryqet e një jete të vështirë, ku kushte ekonomike janë gjithnjë e në rënie, ajo që i shqetëson më shumë qytetarët shqiptarë janë taksat dhe tarifat e lata që ata duhet të paguajnë për të marrë shërbimet që u nevojiten. Ndryshimet qeveritare erdhën si një „bombë me sahat“ ku gjithçkaje i është vënë flaka dhe askush nuk po ndërhyn për ti shuar. Ajo që sot për sot është një nga shqetësimet më të mëdha është shëndetësia. Të gjendur dyerve të spitaleve dhe stresit në pritjen e radhëve të gjata qytetarët u duhet të përballen edhe me disa vështirësi të tjera. Në këtë fushë ku qytetarët kanë më shumë nevojë për vëmendje gjithçka është nën minimumin e etikës së ardhjes në shërbim për pacientë. Burimet njerëzore nuk u vijnë në ndihmë pacientëve në kohën e duhur. Sorollatjet sa në një godinë në një tjetër është një torturë e gjallë dhe e vështirë për të gjithë pacientët. Por ajo për të cilën ata janë akoma dhe më të shqetësuar janë pagesat e larta që u duhet të paguajnë për tu vizituar. Spitali shtetërorë është bërë si një spital privat. Për të bërë një analizë për sytë të duhet të paguash 15-mijë lekë“, theksoi një pacient. Edhe pse ishte i siguruar ai do të paguante shumën e cila iu komunikua. Por jo vetëm për analizat e syrit por edhe për analiza të tjera që u duhet tu drejtohesh mjekëve specialistë tarifat për të marrë këtë shërbim janë pa përjashtim të gjitha prej 15-mijë lekësh. Të gjendur në godinën tek klinika e specialiteteve tek Iranian, ku bëhen konsulta dhe vizitat me mjekë specialistë. Pagesat që ata duhet të bëjnë sipas punonjësve të kësaj qendre janë të detyruara pasi janë më urdhër të ministrisë së Shëndetësisë. Sipas punonjësve të qendrës për çdo analizë që duhet të kryejnë pacientët duhet të paguajnë dhe në tarifat përkatëse për të marrë këtë shërbim. Për të gjithë ata qytetarë që deri në këto momente analizat për tek mjeku specialist i veshëve, syve, tek psikiatri apo dhe tek mjekë të tjerë specialistë duhet të paguajnë pastaj do ju ofrohet shërbime. Nëse më parë të siguruarit nuk paguanin për këto shërbime tani çdo gjë është bërë me pagesë. Pacientët që prisnin në radhët të gjata nëpër korridoret e godinës kishin ardhur aty pasi kishin probleme të natyrave të ndryshme ku u duhej dhe të konsultonin me mjekët përkatës së baza të shqetësimeve që ata kishin. Por të tjerë qytetarë ishin të detyruar që të prisnin sepse u duhej që të merrnin analizat për patentat, ju duheshin për në punë etj. Të gjithë pa përjashtim u duhet të përballen me këta pagesa shtesë. Duke bërë një krahasim me këtë shërbime të cilat mund të ofrohen në disa spitale private diferenca ne pagesë ishte vetëm prej 500- lekësh. Por ajo që vlen për tu theksuar është fakti se në spitalet private përgjigjja e analizave të kthehet brenda ditës ose ose maksimuni ditën e nesërme. Nuk të nevojitet fare të sorollatesh sa andej këtej nëpër shkallët dhe godinat e spitaleve. Burimet njerëzore të vijnë në ndihmë. Nuk është se duam t’ju nxjerrim në pah të mirat por e vërteta kështu qëndron. Në spitalet shtetërore megjithëse tarifat janë shumë të larta shërbimet janë copë- copë. Sorollatje, lodhje, stres, dhe para janë ato të vetmet që njohin pacientët shqiptarë nëpër godinat e spitaleve publike në vend. Kjo situatë ka çuar në një klientalizim të pastër të spitaleve ne vend. Në spitalet publike ke mijëra dhe qindra raste ku pacientët vuajnë dhe nuk marrin shërbimin e duhur. Ka qindra e mijëra denoncime të bërë nga qytetarët ku atyre nuk u vihet në ndihmë. Nga ana tjetër qeveria shqiptare për tua marrë frymën deri në fund i mbyt qytetarët dhe më barrën e rëndë të tarifave që u duhet të paguajnë për të marrë shërbimet e duhura. Edhe pse të detyruar qytetarët i paguajnë këto tarifa ata asnjëherë nuk e marrin në kohë shërbimin.




