SPAK regjistron akuza të reja për Vlora Hysenin
SPAK ka regjistruar akuza të reja ndaj ish drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Mësohet se ajo po hetohet për “pastrim parash” dhe “korrupsion”, akuza të cilat ia rëndojnë edhe më shumë pozitën e saj.
SPAK po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet DIngler. Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e EATABACCO të Ergys Agasit.
Htimet ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni zhvillohen në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku ajo dyshohet për përfshirje në veprimtari që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK më parë, Hyseni është nën hetim për dy vepra penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Hetimi lidhet me dyshimet se ajo mund të ketë ndihmuar Agasin gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në arrati, duke i vënë në dispozicion informacione konfidenciale shtetërore.
Prokurorët po verifikojnë komunikimet dhe marrëdhëniet mes tyre, si dhe nëse informacionet e përcjella nga Hyseni kanë ndikuar në shmangien e Agasit nga autoritetet ligjzbatuese.
Ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme penale.




