Spahia: Policia dhunoi qytetarët dhe deputetët me urdhër politik!

Spahia: Policia dhunoi qytetarët dhe deputetët me urdhër politik!

Deputeti i PD, Bardh Spahia, denoncoi në Kuvend dhunën e ushtruar ndaj protestuesve jashtë Parlamentit, duke e cilësuar atë si “dhunë të turpshme të Policisë së Shtetit me urdhër politik”.

Spahia tha se protestuesit nuk ishin vetëm mbështetës të opozitës, por edhe banorë të 15 bashkive që mazhoranca synon t’i shkrijë me reformën territoriale.

Spahia kërkoi heqjen e projektligjit nga rendi i ditës, duke argumentuar se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon autonominë vendore. Sipas tij, ndryshimi i kufijve të njësive administrative pa marrë mendimin e banorëve shkel parimet kushtetuese, ndërsa akuzoi deputetët socialistë të Qarkut Shkodër se po heshtin dhe po zbatojnë vullnetin e Edi Ramës.

Spahia: Sapo vij nga ambientet jashtë Kuvendit të Shqipërisë ku për fat të keq asistova në skena të tmershme dhune ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët protestojnë për një të drejtë themelore të tyre.

Një dhunëe turpshme e Policisë së Shtetit me urdhër politik, ndaj grave, vajzave, të rinjve dhe të rejave, të cilët për hir të së vërtetës nuk ishin përkrahës vetëm të PD por ishin banorë të atyre 15 bashkive që ju po i shkrini sot dhe kërkojnë një të drejtë themelore të tyre.

Pasjen e bashkive të tyre në funksion të përmirësimit dhe garantimit të shërbimeve pranë tyre. Ndaj do të ishte në nderin e këtij parlamenti që për fat të keq ka zgjedhur turpin tashmë, të reagohej ndaj asaj dhune e cila nuk ishte vetëm ndaj qytetarëve por edhe ndaj deputetëve dhe do të duhej një reagim nga ky Kuvend për atë dhunë të turpshme.

Kërkoj të hiqet nga rendi i ditës i kësaj seance projektligji për ndarjen territorial, si një projektligj që jo vetëm shkon në kundërshtim me interesin e atyre banorëve të atyre bashkive që shkrihen, por edhe që bie në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës.

Ju po cënoni rëndë parimin e autonomisë vendore i parashikuar në nenin 13 të Kushtetutës, ashtu siç është në shkelje të rëndë një projektligj i tillë edhe të nenit 108 të pikës 2 të këtij neni, të Kushtetutës që garanton se kufijtë e njësive administrative nuk mund të ndryshohen pa marrë mendimin e vetë banorëve, ku po ashtu bie në kundërshtim me nenin 108 pika 4 ku sanksionohet shprehimisht se vetëqeverisja ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore.

Pra përveç që është kundër interesit qytetarë është edhe në shkelje të plotë të Kushtetutës. Do të ishte në nderin e ketij Kuvendi ashtu siç është e turpshme edhe për kolegët e mi të Qarkut Shkodër të PS, që nuk reagojnë për të mbrojtur interesin e atyre qytetarëve që pretendojnë se i përfaqësojnë. Përkundrazi është e qartë dhe dëshmojnë edhe njëherë se janë këtu vetëm për të zbatuar vullnetin dhe dëshirat e Edi Ramës i cili nuk mund të mbulojë më aferat.

Share it :