Smart City”/ 140 milionë dollarë borxh, për një projekt me pikëpyetje mbi privatësinë

Nga Esmeralda Topi 

 

 

Kur projekti “Smart City” u bë publik, ai u prezantua si një hap drejt modernizimit të sigurisë dhe menaxhimit urban. Kamerat inteligjente, analizimi i të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar u përshkruan si mjete për një qytet më të sigurt. Por ndërsa projekti avancon, pyetjet për transparencën, mbrojtjen e të dhënave personale dhe kostot mbeten të hapura.

“Smart City” përfshin sigurimin dhe instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut, përveç një qendre të avancuar kontrolli.

Projekti me kosto 140 milionë dollarë parashikon ngritjen e një sistemi monitorimi përmes instalimit të rreth 5 mijë kamerave në qytetet më të mëdha të vendit. Pjesë e tij janë dhe 3 mijë kamera trupore për punonjësit e policisë së shtetit.

KE: “Përgjegjësia është kombëtare”

 

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Komisioni Evropian sqaroi për Fakotje.al se çështjet e mbrojtjes së të dhënave personale në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, monitorohen në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Pritshmëria e Brukselit është që Shqipëria t’i trajtojë të dhënat personale në përputhje me ligjin e saj kombëtar.

“Shqipëria së fundmi ka miratuar një legjislacion të ri për mbrojtjen e të dhënave, në përputhje me acquis të BE-së. Prandaj ne presim që Shqipëria të trajtojë të dhënat personale në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar,” thuhet në përgjigjen e Komisionit.

Edhe në fushën e prokurimit publik, Komisioni thekson se roli i tij është mbështetës dhe vlerësues në nivel kuadri, jo kontratash individuale.

“Tani i takon Shqipërisë të vlerësojë përputhshmërinë e kontratave individuale me standardet e BE-së për prokurimin publik,” sqaron Komisioni.

Avokati i Popullit: “Nuk kam ankesa”

Në Tiranë, Avokati i Popullit mban një qëndrim po aq të rezervuar. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, institucioni kujton se kompetencat e tij ushtrohen mbi bazën e ankesave konkrete dhe të individualizuara, ose kur ekzistojnë indicie të besueshme për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Mbrojtja e të dhënave personale dhe respektimi i jetës private janë të garantuara nga Kushtetuta dhe nga legjislacioni në fuqi,” thuhet në përgjigje, duke shtuar se autoritetet publike janë të detyruara të respektojnë parimet e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe sigurisë gjatë përpunimit të të dhënave.

Sa i përket projektit “Smart City”, Avokati i Popullit sqaron se është i gatshëm të vlerësojë çdo çështje që lidhet me ndikimin e tij mbi të drejtat e qytetarëve, por vetëm nëse paraqiten ankesa konkrete ose fakte të verifikueshme.

Edhe rekomandimet ndaj organeve të administratës publike, sipas Avokatit të Popullit, jepen vetëm pasi konstatohet një shkelje konkrete e të drejtave të njeriut. Institucioni nënvizon se nuk ushtron mbikëqyrje të përgjithshme mbi politikat publike dhe nuk ndërhyn në diskrecionin administrativ, për sa kohë ky ushtrohet në përputhje me ligjin.

Si nisi “Smart City”?

Projekti “Smart City” nisi si një nismë zyrtare në prill 2024, kur ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI’, pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Marrëveshja e klasifikuar si sekrete, parashikon instalimin e një rrjeti kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe përmirësimin e menaxhimit të trafikut përmes inteligjencës artificiale.

Në shkurt 2025, gjatë vizitës së parë të presidentit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, kryeministri Edi Rama nënshkroi një letër angazhimi për projektin, i cili u bë pjesë e projekteve me rëndësi kombëtare.

Kostot e “Smart City”

Kostoja që fillimisht parashikohej të ishte 60 milionë dollarë, pas vizitës u rrit thuajse dyfish dhe do të mbulohet përmes një huamarrje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit, duke arritur në 140 milionë dollarë me TVSH.

Projekti përfshin instalimin e 2 239 kamerave ANPR, 2 602 kamerave PTZ, 3 816 kamerave trupore për policinë, si dhe 100 radarëve inteligjentë dhe 100 sensorëve zhurme për trafikun.

Buxheti i projektit tregon se 31 milionë dollarë shkojnë për liçencat e softuerëve, 62.4 milionë për pajisjet hardware dhe infrastrukturën, 8 milionë për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë për mirëmbajtje katërvjeçare.

Në dhjetor 2025, kompania ‘Presight AI’, kompani të dhënash dhe Inteligjencë Artificiale e regjistruar në Abu Dhabi, hapi degën e saj në Shqipëri, me objektivin e vetëm zbatimin e kontratës./Faktoje.al/

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Çështja ‘Partizani’, avokati Cakrani: Balla një kallëzues i rremë, gjyqi më qesharak në histori Avokati Kujtim Cakrani i cili ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv e ka cilësuar procesin gjyqësor për çështjen “Partizani”, si “më qesharakun që mund të ketë ndodhur ndonjëherë” dhe ka lëshuar sulme direkte ndaj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe SPAK-ut. Në qendër të argumentit të avokatit ishte absurditeti, sipas tij, i padisë. “Të bësh gjyq me pronarin pse ke marrë tokën tënde. T’i thuash pronarit pse ke marrë tokën tënde dhe ke investuar,” deklaroi ai, duke e quajtur situatën një farsë. Ai argumentoi se pronari legjitim ka zhvilluar tokën e tij dhe nuk ia ka vjedhur atë askujt, as shtetit e as ndonjë pronari tjetër. Sipas tij, kjo logjikë ndjekjeje penale vjen nga një mentalitet që nuk e kupton konceptin e pronës private, duke e sulmuar ashpër Taulant Ballën. “Një plebe, një skllav i lindur, nuk e kupton dot pronarin privat. Asnjë nga Partia Socialiste s’e kupton dot çfarë do të thotë pronar,” u shpreh avokati. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, avokati e akuzoi drejtpërdrejt Taulant Ballën si një “kallëzues i rremë”, duke pretenduar se denoncimi nuk është bërë realisht prej tij, por nga qarqe të tjera që e përdorin atë. “Taulanti është kallëzues i rremë. Balla nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej në gjykatë pyetjeve që lidheshin me vetë kallëzimin që kishte firmosur. E gjithë kjo, sipas tij, është një manovër politike që ka si qëllim të vetëm përfshirjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në çështje, duke shfrytëzuar një ligj të miratuar gjatë qeverisjes së tij, i cili, sipas avokatit, u ka kthyer pronat mijëra pronarëve legjitimë. Flavio Qarri: Komentet e Taulant Ballës, pyetjet që ju bën, i kemi lexuar të gjithë besoj. Të fillojmë nga Cakrani meqë e ka ekspertizë këtë pjesë… Kujtim Cakrani: Flavio, shiko, ai është gjyqi më qesharak që mund të ketë ndodhur ndonjëherë, jo në Shqipëri, por edhe në Evropë. Tani, të bësh gjyq me pronarin pse ke marrë tokën tënde. Pra, t’i thuash pronarit, pse ke marrë tokën tënde dhe ke investuar. Supozojmë, ai e ka marrë tokën e tij. E ka marrë dhe e ka zhvilluar tokën. Kë tokë ka marrë ai? Ja ka vjedhur dikujt tokën, i ka vjedhur shtetit tokën? I ka vjedhur ndonjë pronari tjetër tokën? Ore, e kupton sa qesharake është? Ai atje ka investuar. Ti çfarë i thua, pse ke investuar në tokën tënde Ore, e kupton çfarë nivelesh ka arritur apo jo? Po një, plebe, një skllav i lindur nga malet e Librazhdit, si Taulant Balla nuk e kupton dot pronarin privat Flavio. Asnjë nga Partia Socialiste s’e kupton dot çfarë do të thotë pronar. As ajo, mbesa e Beqirit. Nuk e kupton dot çfarë do të thotë pronar. Se kur vjen nga skllavëria, nga plebeu, nuk e kupton dot dhe Taulant Balla, është tipiku i plebeut skllav. Nuk e kupton dot. Flavio Qarri: Po si e komentoni atëherë sjelljen arrogante jashtë dhe atë sjelljen e çuditshme brenda? Kujtim Cakrani: Ore, ma ke marrë tokën 75 vite, ma more tokën 80 vite, më paguaj qiranë o vëlla ti. Më ke rrëmbyer tokën në 45-ën, më ke nxjerrë jashtë, më ke shkatërruar familjen, më ke shkatërruar çdo gjë të shenjtë dhe të shtrenjtë të jetës time. Më ke marrë tokën, unë po marr tokën time. Ku është këtu problemi që kjo çështje duhet të kalojë, në ndjekje penale. Ku është mo vëlla? Nga ai ligji i Sali Berishës kam fituar edhe unë. I bie që unë kam korruptuar Sali Berishën? Unë kam korruptuar Këshillin e Ministrave? Unë e kam përfituar, familja ime dhe shyqyr që u bë ai ligj. Shyqyr që përfitojnë pronarët, kanë përfituar mijëra, mijëra pronarë. Nga ai ligj. Ja, unë ky që po flet këtu, i bie që unë duhet të hetoj SPAK-un se unë kam korruptuar Sali Berishën… Flavio Qarri: E kuptoj, ishte pyetje juridike avokat për komentet e Taulant Ballës. Si i vlerësoni ato? Flas për përgjigjet që i dha brenda. Kujtim Cakrani: Taulanti është kallëzues i rremë vëlla. Taulanti nuk ia ka bërë kallëzimin Taulantit. Duhet të kuptoni diçka. As për zotin Meta nuk e ka bërë kallëzimin ata. Kallëzimet janë bërë diku tjetër, e kupton? Taulanti është kallëzues i rremë. Taulanti nuk u përgjigj dot asnjë pyetje, nga ato që ai kishte shkruajtur vetë në kallëzimin penal. Dhe unë të isha si Malltezi sot do merrja të zbardhur transkriptin e e gjykatës së sotme do t’i bëja kallëzim penal atij individi, atij palaço. E kuptoni apo jo? Sepse këta krijojnë urrejtje, alimentojnë urrejtje sot akoma ndaj pronarëve legjitimë. E kupton apo jo? Kjo është e pafalshme, është e papranueshme. Taulant Balla dje nuk ka thënë asgjë nga ato që kishte në kallëzim. Madje mori kallëzimin do lexonte kallëzimin se s’dinte çfarë kishte shkruajtur. Sepse ai, ai nuk e ka bërë vetë dhe ai nuk ka ditur çfarë ka bërë. Ajo ka qenë, ajo çështje kur është kallëzuar, është kallëzuar për shpërdorim detyre. Dhe ajo është kallëzuar për Jamarbër Malltezin, jo për Sali Berishën. Po mua, si ka mundësi që ti, prokuroria e posaçme hetoi Jamarbër Malltezin pa emër deri, dy javë para se të nxirrte, të kërkonte masën e arrestit. Dhe ndërkohë pse duhet ta hetonte ajo dhe jo prokuroria e Tiranës? Që këtu ka lindur gjithë, kleçka juridike. Nëse dikush, nëse unë çoj një kallëzim penal për një individ që nuk ka lidhje fare me, pushtetin e kështu me radhë, në kuptimin që nuk e lidh gjë. S’ka pasur funksione publike e kështu me radhë, përse duhet ta hetojë SPAK-u? Po ajo kishte një qëllim prapavijë, sepse duhej patjetër të involvohej, të përfshihej zoti Berisha. Kjo është e vërteta. Është te zoti Meta që i kanë hetuar vjehrrën e zotit Meta, si ka marrë tokën në 91-shin, kanë thirrur dhe komisionin e tokës të 91-shit, si ka marrë tokën zonja, ajo ish-vjehrra e zotit Meta, e kupton çfarë bëjnë këta more o ti? E kupton çfarë kapërcimesh juridike bëjnë këta apo jo? Kjo është e tmerrshme me këta sepse, sepse këta nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre o Flavio. Ky është, problemi i kësaj. Nuk mbahet përgjegjësi për veprimet e tyre kur ju prishet nesër në gjykatën e Strasburgut. Po sa vendime kemi ne që na ka prishur gjykata e Strasburgut…