Anxhela Tato
Gjyqtari u prangos në kafenenë poshtë banesës së tij, pas caktimit të masës së sigurisë “Arrest me burg”
Hetimet, gjyqtari Lleshi nën akuzë për korrupsion, pranoi 5.5 mln lekë në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë
Përfundon në pranga ish-kreu i Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, nën akuzë për korrupsion. Arrestimi i gjyqtarit Lleshi është bërë në kafenenë poshtë banesës së tij në zonën e “Don Boskos”, vetëm tri ditë pas miratimit të KLD-së së kërkesës së organit të akuzës. Ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se gjyqtari nuk ka shfaqur rezistencë gjatë momentin të prangosjes. Siç bëhet me dije, gjyqtari ishte ulur në kafenenë poshtë pallatit, kur oficerët e policisë i kanë vënë pranga, duke i komunikuar akuzat. Burime nga blutë sqarojnë se gjatë marrjes në pyetje gjyqtari ka kundërshtuar akuzën dhe ka shprehur gatishmëri për të qenë në dispozicion të drejtësisë. Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës akuzohet për korrupsion për skandalin e publikuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”. Gjykata e Tiranës ka firmosur ndërkaq masën e arrestit me burg për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, duke e çuar kështu në 7 numrin e të arrestuarve si të përfshirë në këtë çështje. Kërkesa është paraqitur nga ana e prokurorisë pas aprovimit të marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ndërsa pas tri ditësh gjyqtari Lleshi pritet që të ulet në bankën e të akuzuarve, ku do të njihet me hetimet paraprake të organit të akuzës dhe masën e sigurisë. Kësaj here ai nuk do të jetë më në krye të sallës së gjyqit, por pas hekurave të kafazit të të arrestuarve. Po kështu, disa ditë më parë për këtë çështje, janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës kryeprokurori i Pukës, Pëllumb Prençi dhe zyrtarë të tjerë të kësaj prokurorie dhe Gjykatës së Pukës, të cilët janë lënë në qeli.
Njoftimi
“Arrestimi i Shtjefën Lleshit është kryer në funksion të hetimit në kuadër të procedimit penal nr. 6390, datë 15.11.2013, në bashkëpunim me njësinë e përbashkët hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, për ndërprerjen e aktivitetit kriminal të kryer prej tij në fushën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Konkretisht, shtetasi i sipërpërmendur dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Prençi, Liljana Shkjau, Meliha Kukaj, Fran Dashi, Friz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi kanë ndërhyrë në procedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nga arrest me burg në detyrim paraqitje, me qëllim për të përfituar shpërblim financiar”, – përfundon njoftimi i policisë.
Masa e arrestit
Të martën, Gjykata e Tiranës la në qeli gjashtë të arrestuarit për skandalin e korrupsionit në Gjykatën e Pukës. Togat e zeza caktuan masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-prokurorin Pëllumb Prençi, ish-kancelaren e Gjykatës së Pukës Meliha Kukaj, ish-sekretaren gjyqësore Liljana Shkjau, sekserin Dëfrim Prençi, si dhe avokatët e palëve Fariz Xhurxhi dhe Fran Dashi. Gjatë seancës gjyqësore, gjashtë të arrestuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre dhe janë përpjekur të shfajësohen para togave të zeza. Për skandalin e Gjykatës së Pukës të denoncuar në “Fiks Fare”, u arrestuan Pëllumb Prençi ish-prokuror i rrethit Pukë, Meliha Kukaj, ish-kancelare, Liljana Shkjau, ish-sekretare e Gjykatës së Pukës, Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi me funksion avokat, si dhe Dëfrim Prençi. Këta të fundit u arrestuan 4 ditë më parë nga njësia speciale e uniformave blu të kryeqytetit, ndërsa do të përballen me drejtësinë shqiptare, pasi task-forca e Prokurorisë së Tiranës i ka gjetur ata fajtorë, duke abuzuar me detyrën dhe përfituar nga vepra korruptive. Ndërkohë, një ditë pas arrestimeve reagoi edhe ish-kreu i Gjykatës, Shtjefën Lleshi. Në një konferencë për mediat, gjyqtari Lleshi preferoi vetëm të jepte një deklaratë dhe të mos u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Ai deklaroi se nuk kishte ndërmend të largohej nga Shqipëria dhe ishte i gatshëm të përballej me çdo akuzë. Sipas tij, gjithçka e transmetuar në media është inskenim. “Deklaroj këtu publikisht se do të jem i gatshëm të deklaroj për këtë çështje hetimore të filluar tashmë, gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit dhe nuk do të largohem për asnjë çast, por do të qëndroj deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të kësaj çështje dhe zbardhjen e saj deri në fund. Po kështu unë do të jem përballë çdo akuze të drejtpërdrejtë apo akuze të përpunuar rëndom qoftë ajo”, – tha Lleshi.
Krimi në kufi
Ministri i Brendshëm, takim me drejtuesin e policisë greke, sqarime për 2 vrasjet
Intensiteti i ngjarjeve të fundit kriminale në kufirin shqiptaro-grek dhe vrasja e dy vëllezërve Çollaku ka qenë objekti i bisedës në takim ndërmjet ministrit Tahiri dhe kreut të policisë greke. Mësohet se takimi dypalësh është zhvilluar me dyer të mbyllura në kuadër të vizitës së kreut të policisë në vendin tonë. Vrasje, arratisje, trafik droge janë veprat penale të regjistruar këto dy javët e fundit, duke ngritur shqetësimin për hartimin e një strategjie bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit. Mësohet se nga ana e Ministrit të Brendshëm është kërkuar sqarim për dy vrasjet si dhe është kërkuar mospendimi i shtetasve shqiptar ne kufi për shkak të toponimeve. Pritet që kreu i policisë greke të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në luftën e ashpër kundër kriminalitetit në rritje dhe parandalimit të tij. Ndërkohë që një ndër ngjarjet që vuri në gatishmëri policët e vendeve fqinje ishte arratisja e shtatë të dënuarve nga burgu i Drenovës. Tre prej të dënuarve arritën të kalonin kufirin me anë të mushkave dhe nga policia greke u vu në gatishmëri një numër i lartë efektivësh, të cilët brenda 24 orëve pas lajmit të kalimit të kufirit arritën që të vinin pas hekurave tre të arratisurit. Vrasja e dy shtetasve shqiptarë në kufirin grek nxiti nota shpërthimi dhe urrejtje nga ana e familjarëve, të cilët akuzonin policinë shqiptare se po fshehte të vërtetën. Sipas familjarëve dy viktimat ishin vrarë në tokën shqiptare nga policia greke pa asnjë lloj motivi. Ndërsa janë të larta shifrat e të arrestuarve për trafik lëndësh narkotike. Pothuajse çdo ditë nga ana e mediave greke publikohen lajme për shtetas shqiptarë të kapur me drogë, përfshirë këtu edhe operacione për rrjete trafiku.
Fier, vrasja e rojës, shoqërohen në polici 40 persona
Vrasja e rojës së këmbimit valutor ka çuar në dyer e policisë 40 personave. Mes të shoqëruarve mësohet se ka persona me precedentë penal dhe përdorues narkotikësh. Megjithatë ende nuk ka një pistë të qartë hetimi rreth vrasjes, apo të dhëna për persona që mund ta kenë bërë atë. 53-vjeçari Petrit Saliaj u vra me mjete të forta dhe prerëse nga persona të paidentifikuar gjatë kohës që punonte si roje i një pike këmbimi valutor në qendër të Fierit. Viktima është goditur disa herë me thikë nga dy persona, të cilët më pas e kanë gjymtuar, duke e shtypur me makinë. Ngjarja makabre ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në afërsi të xhamisë. Viktima, 50-vjeçari Petrit Saliaj ka tentuar të bëjë rezistencë, duke penguar grabitësit që të vidhnin paratë. Por hajdutët i janë vërsulur, duke e goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Pasi kanë marrë 450 mijë lekët të dy grabitësit kanë hipur në makinë dhe kanë shkelur disa herë mbi trupin e rojës 50 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen. Burime nga policia bëjnë të ditur se 50-vjeçari Petrit Saliaj është gjetur i pajetë mëngjesin e djeshëm pranë xhamisë, në qendër të qytetit të Fierit. Sipas hetimeve të para, dyshohet se 50-vjeçari Petrit Saliaj, i cili punonte roje në një pikë këmbimi valutor, është vrarë me armë të ftohta nga dy persona, të cilët kanë grabitur një shumë parash në dyqanin që ai ruante gjatë natës. Dyshohet se roja i ka ndjekur grabitësit deri në qendër të qytetit, ku ata e kanë masakruar me mjete të forta dhe thika. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po vazhdon punon për të identifikuar autorët e krimit. Ndërkohë, ekspertët e policisë kanë gjetur dy thika në një kosh mbeturinash pranë vendit ku u gjet trupi i 50-vjeçarit, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur për vrasjen e tij.
Itali, sekuestrohen 600 kg kanabis, vinte nga Shqipëria
Rreth 600 kilogramë drogë e llojit kanabis sativa është sekuestruar ditën e djeshme nga policia italiane. Droga, vlera e së cilës arrin në 10 milionë euro, vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Italinë. Sipas policisë italiane, lënda narkotike u sekuestruar në Komo pas një operacioni të gjatë, ndërsa mësohet se rrjeti i shpërndarjes së drogës drejtohej nga disa shqiptarë. Gjatë operacionit janë arrestuar 46 persona dhe 12 prej tyre përfunduar në burg. Droga kishte mbërritur nga Shqipëria në Pulja me gomone, ndërsa më pas ishte transportuar me fugon drejt veriut të Italisë.
Përfshihet nga flakët selia e vjetër e PD-së
Flakët e zjarrit kanë përfshirë kabllot elektrike në selinë e vjetër të Partisë Demokratike. Menjëherë, pas sinjalizimit të zjarrit, pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe u bë e mundur neutralizimi i flakëve. Mësohet se nga zjarri tek selia e vjetër e Partisë Demokratike nuk ka persona të lënduar, ndërsa tashmë kjo ndërtesë ka mbetur bosh, pas kalimit të zyrave të kësaj force politike tek ish-Shtëpia e Ushtrisë (SHQUP).




