Skandali/ Kompjuterat e AKSHI-t u përdorën për ndryshimin e ID-ve të personave që kanë probleme me Drejtësinë

 

Nga Elton Qyno – Syri.net/

Një hetim i hapur nga prokuroria e Tiranës për ndryshimin në Gjendjen Civile të identiteteve të disa personave me precedent penale, ka vënë në qendër të vëmendjes dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit.

Kjo pasi gjatë verifikimeve të kryera, ka rezultuar se në disa raste domainet hyrëse janë zbuluar të jenë përdorur pikërisht nga zyrat e AKSHI-it në Tiranë.

Bëhet fjalë për rreth 60 ndërhyrje në sistem, duke sjellë ndryshimin e identiteteve.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se lidhur me këtë problematikë, anëtarë të grupit të hetimit pranë prokurorisë së Tiranës, javën e kaluar kanë zhvilluar një takim me Drejtorin e AKSHI-t, Igli Tafa, me qëllim ngritjen e një grupi bashkëpunimi për lokalizimin e kompjuterëve dhe më pas identifikimin e zyrtarëve, që kanë hyrë përmes AKSHI-t në Gjendjen Civile, duke ndryshuar identitetet.

Hetimi ka provuar se nga AKSHI, është hyrë në sistemin e Gjendjes Civile, përmes një “User-Name” të quajtur “Pandeli Shiroka”, i cili më parë ka qënë një punonjës i Gjendjes Civile, por prej 16 qershorit 2023, “Pandeli Shirokaj” ka dalë në pension.

Tashmë një sërë veprimesh janë duke u kryer si nga strukturat drejtuese të AKSHI-t, por edhe nga prokuroria e Tiranës, me shpresën e gjetjes së personave që kanë mundësuar hyrjen në sistemin e Gjendjes Civile, përmes kompjuterëve të AKSHI-t, nga ku më pas kanë ndryshuar të dhënat për personat përgjegjës.

Nisur nga kjo situatë, në mesin e muajin Shtator 2026, Aurel Kotorri, një punonjës i Ministrisë së Brendshme me detyrë specialist IT dhe Orjola Omi, e punësuar pranë njësisë bashkiake nr.3 në Tiranë, janë pezulluar nga detyra, pasi prokuroria e Tiranës ka zbuluar implikimin e tyre në një skemë të falsifikimit të gjendjen civile për disa persona.

Vendimi për pezullimin e tyre nga detyra publike është marrë nga gjykata e Tiranës. Ndërkohë në kërkim me masën e “Arrestit në burg” gjykata ka shpallur vlonjatin Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi apo David Isaac.

Por tanimë hetimi është përqendruar në zbulimin e identitetit të zyrtarëve përgjegjës brenda institucionit të AKSHI-t, nga ka rezultuar se janë kryer ndërhyrjet.

Sipas dosjes hetimore profili i një punonjësi të Gjendjes Civile në Horë-Vranisht, me emrin “Pandeli Shirokaj”, i cili ka 3 vite që kishte dalë në pension është përdorur më pas nga zyrtarë të Gjendjes Civile dhe AKSHI-t, për të kryer në 60 raste ndryshimin e identiteteve të personave të ndryshëm në Shqipëri.

Në dosje thuhet se veprimet e tij aktive kanë cenuar veprimtarinë normale të organeve shtetërore si dhe kanë cenuar dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar ndërkombëtarisht, duke përdorur dokumente të falsifikuara sikur janë lëshuar nga shteti i Izraelit.

Indrit Aliu, tregon me veprimet e tij për një rrezikshmëri të lartë shoqërore duke përdorur dokumente të falsifikuara për tu pajisur më tej me dokumente identiteti të rreme si kartë identiteti dhe pasaportë biometrike, për të lëvizur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me gjeneralitete të rreme.

Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi, rezulton se ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin në David Isaac, në Zyrën e gjendjes civile në Njësinë Administrative Novoselë Bashkia Vlorë.

Por në 27 Nëntor 2025 nga ana njësisë administrative nr. 5 Bashkia Tiranë, ku ky person rezulton banor, është konstatuar ndryshimi gjatë kontrollit të procedurës për riaplikim për pasaportë biometrike.

Zyra e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ka hetuar dhe shqyrtuar rastin dhe ka vendosur kthimin e gjeneraliteteve të mëparshme nga David Isaac në Indrit Kolleshi.

Ndërkohë në 29 dhjetor 2025 është bërë një kërkesë për ndryshimin e vendbanimit duke u caktuar si adresë e re për vendbanimin Njësia Administrative nr 3 Bashkia Tiranë.

Mirëpo në 13 Janar 2026, rezulton se nga ana e Njësisë administrative nr. 3 Bashkia Tiranë, rezulton se janë kryer veprime për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit sipas një certifikate që mban të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Izraelit nga Endrit Kolleshi në David Isaac, të dhëna që mbahen dhe aktualisht nga ky person.

Nisur nga këto rrethana, prokuroria ka konstatuar se ka dyshime se ndryshimet e emrit dhe mbiemrit janë kryer në kundërshtim me ligjin “Për gjendjen Civile” dhe se dokumentet në gjuhën hebraike të paraqitura nga Indrit Aliu janë të falsifikuara.

Punonjësja e Gjendjes civile të Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr.3 Tiranë, Orjola Omi, duket se ka pranuar në kundërshtim me ligjin një akt të emërtuar certifikatë për ndryshimin e emrit të lëshuar sipas dokumentit nga Ministria e Brendshme e Shtetit të Izraelit.

Share it :