Skandali i shefes së SHISH/ Një president papagall që na bën të gajasemi me krizën

Skandali i shefes së SHISH/ Një president papagall që na bën të gajasemi me krizën

Bajram Begaj u ripërdor nga Rama për të përsëritur në emër të një duzine personash të njëjtin mesazh që kryeministri kishte dhënë një ditë më parë

Përdorimi i gjeneral Baromit nuk ka të ndalur. I gjendur në krizën më të thellë të pushtetit të vet, Edi Rama kur u njoftua për arrestimin e Vlora Hysenit, që akuzohej se i jepte informacione të shërbimit sekret mikut të tij Ergys Agasit, hodhi dy hapa. Fillimisht tha se duhej të konsultohej me presidentin e republikës për shkarkimin nga posti të kryespiunes dhe caktimit të pasardhësit të saj. Më pas, me anë të aparatit të tij të propogandës hodhi idenë se gjendja është aq e rëndë, saqë duhej të mblidhej Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Begaj e firmosi dekretin e shkarkimit ende pa u kthyer Rama nga New York-u, ndërsa për të mbledhur këshillin pompoz, por pa asnjë kompetencë priti që të vinte në Tiranë shefi ‘de facto”
Dhe çfarë ndodhi? Edhe një herë presidenti u soll si klloun i Ramës duke organizuar një takim solemn në pallatin e brigatave për të përsëritur të njëjtat mesazhe që shefi i qeverisë kishte artikuluar nga holli i aeroportit.

Po të krahasosh deklaratën e prodhuar pas takimit me dyer të mbyllura, nga zyra e presidencës, ajo ngjan si dy pika uji me qëndrimin e para një dite të shefit të qeverisë.

“Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhej në paragrafin kryesor të njoftimit të presidencës.
Ndonëse një çështje të një shefe shërbimi që ndihmon një të arratisur nga drejtësia, madje e furnizon atë me materiale sekrete, Bajram Begaj e etiketon si problem individual dhe gati gati i bën thirrje drejtësisë të mos fusë në krizë institucionin e sigurisë. Presidenca vijon:

“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes:sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional”.
Por le të shohim pak se çkishte thënë Edi Rama të dielën nga Rinasi. Së pari ai e etiketoi rastin e Vlora Hysenit si një çështje personle të saj me drejtësinë dhe së dyti ai theksoi se kjo drejtësi më konkretisht SPAK-u, përmes kësaj afere individuale ka goditur shtetin.

“Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit…Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht”.
Po le t’i shohim pak këto dy koncepte që Bajram Begaaj i përsëriti si papagall.

A është personale apo institucionale çështja e Vlora Hysenit? Nëse do të kishte qenë thjesht personale, pra një mëkat pasioni me një burrë të martuar, kjo natyrisht s’do të kish pasur problem. Por me mënyrën se si është sjellë ish-shefja e SHISH-it ka njollosur edhe institucionin.

Shumëkush nga agjentët e saj e dinin këtë lidhje, madje takimet bëheshin në bazat e tyre. Edhe pasi Agasi u shpall në kërkim, vijimi i marrëdhënies së kryespiunes me dashnorin nuk ka qenë një sekret për bashkëpunëtorët e saj të afërm. Pra, pavarësisht nga sa mashtron Edi dhe cicëron Bajrami plaga e institucionit është shumë më e thellë.

Dhe kjo është arsyeja e vetme që nga dosja voluminose “Gysi-Vlora” kanë dalë gjithsej vetëm dy faqe dhe ajo është dosja që deri më tani po ruhet më me fanatizëm se kurrë. Se brenda saj ka elementë që e hedhin në erë reputacionin e shtetit.

Por Edi Rama ka këmbëngulur vetëm tek këto dy faqe duke vënë kujën dhe duke thënë se “shteti u ekspozua ndaj një dëmi të madh”. Po kush e ekspozoi shtetin ndaj kësaj katrahure: e përzgjedhura e tij, apo drejtësia që e zbuloi?

Sipas parimit që një vjedhje është e rëndë vetëm kur zbulohet dhe jo kur kryhet, Rama manipulon duke servirur si gjëmë nja dy togfjalasha “he mo shpirt”, “Kush na e bëri mo zemër” që u bënë publike dhe jo për faktin se Vlora Hyseni punonte për një të arratisur.

E në këtë lojë e ndjek nga pas edhe i leshti Begaj duke e shndërruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në një farsë. Në deklaratën e presidencës theksi po njësoj vihej tek fakti se SPAK-u konkuroi me SHISH-in duke dëmtuar shtetin, ndërkohë që afera e Vlora Hysenit ishte problem individual. Kur e dëgjoje të thënë nga Rama mund të nxeheshe. Por kur e përjeton të përsëritur nga papagalli i tij, vetëm mund të gajasesh. Sepse çdo krizë, sado e rëndë qoftë, pjell bashkë me të edhe elementët e saj qesharakë.

LAPSI.AL

Share it :