Skandali i Apolonisë/ Ministria e Akademia e Shkencave, të vonuarit “e ditur”!

V. M.

ministria e kulturesDje, Ministria e Kulturës ka shpërndarë për mediat disa foto që tregojnë se në Apoloni ka korrektësi dhe ligjshmëri të kontratës me organizatorët e një spektakli që do të organizohet në monumentin antik. Foto bëjnë fjalë për vendosjen poshtë këmbëve të skelave të hekurit që e kanë “zaptuar” monumentin, të disa dërrasave – kështu siguron Ministria nuk arrihet të dëmtohet struktura e monumentit. Por fotot kanë ardhur pas disa ditësh kur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë pat publikuar në rrjetin social një tjetër realitet. Kryqëzata hekurishtesh që nguleshin direkt në muret prej guri, e mbi tokë pa asnjë dërrasë. Reagimi i Ministrisë pas këtij sensibilizimi sigurisht ka qenë i menjëhershëm, pasi “skandali” mori edhe përmasa mediatike të denoncimit. Nuk është rasti i parë i të vonuarit të Ministrisë, pa folur këtu për përgjegjshmërinë që duhet të ketë qysh në krye, bashkë me specialistët e saj për të tilla aktivitete. Po dje, është kujtuar dhe Akademia e Shkencave që të dërgojë në Apoloni një grup njerëzish për të parë si qëndron situate. Pas Ministrisë për çështjen e “mbrojtjes” së monumentit, Akademia ka dërguar për mediat një njoftim se sot do të organizojnë një konferencë për shtyp e do raportojnë ç’do t’ju shohin sytë. Por edhe këta “të ditur” akademikë janë të vonuar po aq sa edhe Ministria. Nuk është hera e parë, që institucionet që lëshojnë firmat, që mbahen me taksa paguesit si përgjegjës të trashëgimisë kulturore reagojnë atëherë kur ka marrë ferra uratën. Por, dhe në këtë rast nxitojnë të “rregullojnë” mungesat e tyre por jo të ndryshojnë ndonjë situatë. Ato skela hekuri mbi Apoloni janë shëmti e madhe krahasuar më natyralitetin që ka “skenografia”, edhe sikur aty të organizohej festivali më i madh i ndonjë teatri, apo opera! Ministria e Kulturës nuk mund ta “lajë” këtë as me foto, as me “ndjesë” publike, por dukë reaguar ndaj përgjegjësve!

 

 

Share it :