Mosrealizimet buxhetore ngarkojnë me përgjegjësi të padiskutueshme qeverinë aktuale, çka pranohet edhe nga vetë administrata në dokumentin e paraqitur në Parlament
Ervin Kaduku
Shifrat e realizimit të buxhetit të shtetit janë tashmë në një trend pikiatë të pandalshme. Kjo nuk mund të fshihet më dhe është një ndër problemet madhore, me të cilat po haset sot vendi. Jo vetëm që dikasteri i ministrit Cani këtë është i detyruar ta pranojë, por edhe FMN doli hapur me pakënaqësinë e saj, pasi refuzoi të disbursojë këstin e radhës nga huaja 330 milionë euroshe, nisur nga performanca e keqe e administratës fiskale shqiptare.
Megjithëse kursimet në disa zëra të tilla si interesat e borxhit kanë qenë të larta, fondet e programuara nuk kanë arritur të shpenzohen për sektorët jetikë të ekonomisë të tilla si shpenzimet kapitale dhe mbështetjet për shtresat në nevojë.
Shpenzimet kapitale në fund të gushtit ishin 22 për qind më të ulëta se plani fillestar i periudhës dhe vetëm 2.6% më shumë se fakti i vitit që shkoi. Ky zë vijon të jetë një nga më problematikët e buxhetit, pavarësisht se frontet e pambyllura të punimeve janë të gjithë vendin.
Pagesa e papunësisë dhe ndihma ekonomike gjithashtu janë në nivele 34.7 dhe 27.7% më të ulëta se fakti i vitit 2014 dhe gjithashtu me ulje dyshifrore edhe me planin e këtij viti.
Plani nuk është finalizuar edhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, për cilat në periudhën tetëmujore janë dhënë 15 më pak se planifikimi vjetor.
Performanca e dobët e të ardhurave tatimore e doganore dhe fakti që faktorët që kanë ndikuar në rënien e të ardhurave po bëhen permanentë, janë arsyet kryesore që kanë shtyrë Financat të ndërmarrin një aksion masiv ndaj informalitetit, efektet e të cilit pritet të shihen që në shtator.
Po pse kemi rrëshqitur në këtë situatë? Për këtë opinionet janë të ndryshme.
Ministria
Ministria e Financave ka argumentuar në një relacion të posaçëm arsyet me detaje se pse kanë rënë të ardhurat. Sipas dokumentit të Financave që tashmë është në Kuvend, rreth 65.8 për qind të të ardhurave të përgjithshme të buxhetit e përbëjnë të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat. Këto të ardhura janë reduktuar me 13.4 miliardë lekë, duke mbajtur edhe peshën kryesore të reduktimit të të ardhurave të përgjithshme të buxhetit. Vihet re se, përveç të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, të ardhurat tatimore e doganore nga të gjithë zërat e tjerë janë me mosrealizim.
Sipas llojit të të ardhurave tatimore e doganore, rezultojnë me mosrealizim në krahasim me nivelin e planifikuar të ardhurat nga TVSH me 2 miliardë lekë, akciza me 5.7 miliardë lekë, tatimi mbi të ardhurat personale me 3.9 miliardë lekë, taksat nacionale me 2.7 miliardë lekë dhe taksa doganore me 0.4 miliardë lekë. 4 Mosrealizimi i nivelit të planifikuar në tatime e dogana është influencuar nga këta faktorë kryesorë, sipas ministrisë:
- Parashikimi tejet optimist i të ardhurave. Ndikim të konsiderueshëm ka mosmarrja sa duhet në konsideratë, gjatë planifikimit të të ardhurave për vitin 2015, e mosrealizimit të planit nga tatimet dhe doganat për muajt nëntor dhe dhjetor 2014. Ky mosrealizim ul bazën e të ardhurave mbi të cilat llogariten të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2015 me 7.6 miliardë lekë. Peshën më të madhe e kanë të ardhurat nga akciza, TVSH e brendshme dhe renta minerare për eksport.
- Rritja ekonomike më e ulët se pritshmëritë. Ky faktor ndikon në reduktimin e të ardhurave me 3 miliardë lekë në krahasim me parashikimin.
- Reduktimi i theksuar i të ardhurave nga akcizat, megjithëse akciza për cigaret u rrit, si në vitin 2014, ashtu edhe në vitin 2015. Faktorët kryesorë që ndikuan në këtë reduktim ishin: Përshpejtimi i importeve nga operatorët ekonomikë në fund të viteve 2013 dhe 2014, për shkak se pritej rritja e nivelit të akcizës në fillim të vitit të ardhshëm, duke krijuar stok për muajt e parë të vitit; trendi në rënie i importit të cigareve. Sasia e cigareve të importuara, në 6 muajt e parë të vitit 2015, ka qenë sasia më e ulët e importuar në një periudhë 12 vjeçare. Një ndër faktorët është rritja e prodhimit të brendshëm të duhanit dhe përpunimit të tij, i cili shitet në treg me çmim më të ulët, duke qenë më i favorshëm për konsumatorët. Veç kësaj, transaksionet për duhanin e dredhur, aktualisht, janë jashtë kontrollit të tatimeve dhe doganave. Po kështu, fakti ishte parashikimi i fryrë i të ardhurave nga karburantet, të cilat kanë pasur një rritje shumë më të vogël se ajo e parashikuar.
- Rënia e të ardhurave personale, në kuadër të vendosjes së tatimit progresiv, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit 2014. Zbatimi i tatimit progresiv solli rritjen e formalizimit të punonjësve, pasi u futën në skemën e kontributeve një numër i madh punonjësish, për shkak se ishin të përjashtuar nga tatimi progresiv. Megjithatë, të ardhurat personale janë reduktuar për shkak të deklarimeve fiktive të numrit të të punësuarve me pagë përkatësisht në kufijtë 30 mijë lekë dhe 130 mijë lekë.
Mjafton edhe kaq, për të kuptuar se janë vetë specialistët e Ministrisë së Financave ata, që mendojnë tani se zgjedhja e taksimit progresiv ishte e gabuar dhe solli asgjë tjetër veç një evazion në rritje, për të deklaruar paga punonjësish brenda fashës së taksueshme me vetëm 13 për qind.
Po kush ja ka fajin qeverisë për një veprim të tillë? A nuk është ajo përgjegjëse për propozimin në Parlament – ku mazhorancën e ka verbërisht me vete! – të politikave fiskale?
Opozita
Akti normativ për shkurtimin e shpenzimeve dhe rishikimin e shifrës së të ardhurave vlerësohet nga opozita parlamentare si një akt që ngre pikëpyetje e që shkon në drejtim të ndryshëm me qëllimin e aksionit kundër evazionit fiskal, që po zhvillohet. Në mbledhjen me deputetët e grupit të tij parlamentar, para nisjes së seancës plenare, kreu i opozitës Lulzim Basha tha dje se situata ekonomike është në përkeqësim të vazhdueshëm dhe shpenzimet po shkurtohen në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë duke sjellë edhe humbjen e mijëra vendeve të punës.
Në fund të mbledhjes, kreu i opozitës paralajmëroi nisjen e një turi kombëtar takimi me qytetarët, ku më pas do të përcaktohet edhe linja e aksionit opozitar në këtë drejtim.
Specialistët
Sipas specialistëve të financave publike, situata e ekonomisë shqiptare, jo vetëm po vështirësohet vazhdimisht, por ajo po ndërlikohet nga politika të gabuara fiskale, që po ndërmerr qeveria, duke vënë theksin në aspektin ndëshkues dhe jo atë nxitës të sektorit privat.
Ja ç’thanë disa prej tyre.
Suzana Guxholli, ish-këshilltare ekonomike e kryeministrit: Mosrealizimi i të ardhurave nga administrata fiskale për periudhën 8-mujore është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë, si dhe rritjes së evazionit dhe kontrabandës. Rritja e taksave dhe represioni ndaj biznesit ishin dhe modeli ekonomik që po çon në negativë të gjithë treguesit ekonomikë të vendit dhe jo vetëm ata fiskalë.
Dorian Teliti, ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Financave:
Lidhur me ndryshimet në buxhetin e shtetit, me anë të aktit normativ, rishikimi në ulje i rritjes ekonomike nuk mund të justifikojë uljen e madhe të shifrave të buxhetit. Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga administrata fiskale vazhdojnë të jenë nën pritshmëritë e fillimvitit, duke shënuar një mosrealizim prej 15.6 miliardë lekësh më pak në fund të muajit të tetë, ndërsa vetëm për muajin gusht mungesa është 4.4 miliardë lekë. Sipas statistikave paraprake nga Ministria e Financave, të ardhurat për periudhën Janar-Gusht janë realizuar në masën 248.1 miliardë lekë, totali i shpenzimeve arriti në 263.2 miliardë lekë, ndërsa defiçiti buxhetor llogaritet të jetë 15.2 miliardë lekë.
Edmond Spaho, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë: Energjitë duhet të përqendrohen në luftën kundër kontrabandës dhe jo kundër bizneseve të vogla, në kuadër të atij që cilësohet si ‘operacion kundër informalitetit’. Mund të bëhet rishikimi i modelit të taksimit, me rikthimin e taksës së sheshtë, tashmë në masën 9 për qind, uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe rishikimi i një serë taksave e tarifave, që lidhen kryesisht me pushtetin vendor.




