Situata ekonomike Flasin ekspertët: Ku duhet të ndërhyjë qeveria. Pse duhen rishikuar politikat për bujqësinë

Gëzim Saliu

 

PS kërkon rikthimin e skemës së qeverisë “Berisha” për ullirin. Angjeli: Me rëndësi për eksport

 

angjeliselami-xhepa Rritja e taksave nga paketa fiskale e qeverisë rikthen nevojën për stimulin e prodhimit vendas. Kështu rekomanduan dje ekspertët e ekonomisë dhe financave në takimin e mbajtur në forumin “Prodhimi-Kthesa drejt Rritjes Ekonomike”, ku sipas tyre është e domosdoshme që bujqësia, si një sektor që prodhon më shumë në prodhimin e brendshëm bruto, të stimulohet me politika lehtësuese. Deputeti socialist, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Anasatas Angjeli vuri theksin në rëndësinë e bujqësisë e sidomos të kulturës së ullirit. Marrë parasysh se kjo ka qenë një ndër skemat kryesore të qeverisë së mëparshme, duket se mazhoranca aktuale do ta rimarrë atë për të nxitur jo vetëm plotësimin e nevojave brenda vendit por edhe eksportin. “Ne duhet ti kthehemi prodhimit të disa produkteve dhe zhvillimit të disa produkteve që nuk prodhohen vetëm për nevojat e tregjeve konsumatore, por janë konkurruese edhe në tregje globale. Ne duhet të orientohemi në disa kultura të caktuara që nuk shërbejnë për plotësimin e kërkesës së brendshme konsumatore, por ato drejtohen edhe për eksporte. Një nga këto kultura është ajo e ullirit”, deklaroi ai në promovimin e studimit të tij në forumin e djeshëm me titull “Ditari i tranzicionit ekonomik”.

 

Këshillat

Ndërkohë, edhe Ardian Civici kërkoi më shumë politika lehtësuese për sektorin e bujqësisë, duke theksuar: “Po të shikosh strukturën e investimeve të huaja direkte janë ato më të ulëta që shkojnë në sektorin e bujqësisë. Po të shikosh buxhetin e shtetit më pak se 1% që shkon në sektorin e bujqësisë. Atëherë çështja shtrohet si mund të zhvillojmë këtë sektor”. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se krahas bujqësisë, rëndësi parësore për ekonominë në vitet në vijim duhet të ketë edhe ndërtimi, sektor i cili tashmë po punon nën kapacitet. Ndërsa eksperti Selami Xhepi deklaroi se ka ardhur koha që të realizohen reformat e shumëpërfolura për ekonominë. “Reformat e sistemit tonë, jo vetëm në nivel global, duhet të reflektohen edhe në nivelin e politikëbërjes edhe në Shqipëri”, – pohoi ai. Sipas Xhepës, qeveria duhet të tregojë interes të veçantë ndaj sipërmarrësit pasi nënvizoi ai,: “Baza e sistemit është sipërmarrësi. Shqetësimi i shoqërisë tonë dhe politikës sonë duhet të jetë një dhe vetëm një të zhvillojmë sipërmarrësin”. Ndërkohë të tjerë ekspertë ishin të mendimit së mirëqeverisja, si dhe zhvillimi i sipërmarrjes janë rrugët për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike. Disa prej burimeve që kanë ndikuar në rritjen e ekonomike, siç janë investimet e huaja, remitancat etj., kanë pësuar rënie, dhe ky fakt shtron nevojën për të gjetur një model të ri rritjeje, aq më tepër edhe pas rritje së taksave me paketën e re fiskale. Ndërkohë përkundrejt kundërshtive dhe kritikave të sipërmarrjeve vendase e të huaja, kryeministri Rama ka mbrojtur dy ditë më parë paketën fiskale, duke theksuar se përmes saj qeveria shqiptare synon jo vetëm krijimin e një klime të përshtatshme për investimet, por edhe heqjen e barrës për biznesin e madh. Në takimin e zhvilluar me investitorët e huaj në vend, kreu i qeverisë theksoi se vendosja e sistemit të taksimit të ndershëm i vjen në ndihmë sipërmarrjes dhe zhduk, sipas tij, taksën e korrupsionit.

 

 

Takimi me Dhomën Franceze të Tregtisë

Meta: Shlyerja e borxheve ndaj biznesit, prioritet i qeverisë

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar dje se prioritet i qeverisë është përgatitja e një klime sa më të mirë për biznesin dhe shlyerja e të gjitha borxheve që shteti i ka sipërmarrjeve. Në takimin me Asamblenë e Dhomës së Tregtisë Francë-Shqipëri, Meta foli veç të tjerave për hartimin e një pakete për përmirësimin e klimës së biznesit.  “Shlyerja e borxheve ndaj bizneseve është në kryefjalën e kësaj qeveria për këtë vit. Greqia dhe Italia po kalojnë një situatë mjaft të vështirë prej disa vitesh ashtu sikur dhe ambienti për zhvillimin e biznesit në vend ka nevojë të përmirësohet akoma më shumë. Do të shpreh bindjen time se të gjithë së bashku do të respektojmë qëndrueshmëri dhe rritje të pandërprerë ekonomike, duke krijuar kushte të mira për sukses”, – tha ai, duke shtuar se këtë synon edhe marrëveshja e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. “Për të stabilizuar ekonominë e vendit dhe krijuar klimë të shëndetshme për frymëmarrjen e biznesit dhe investimet në vend. Pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje qeveria është e angazhuar për të botuar së afërmi një paketë ligjore për përmirësimin e klimës së biznesit”, – tha Meta. Sipas Kryeparlamentarit, Franca dhe kompanitë e saj, janë partnerë shumë të mëdhenj për Shqipërinë në këtë drejtim. “Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin ekonomik me Francën dhe sidomos investimin në infrastrukturë, financë, fushën e mineraleve etj. Vullneti ynë është të rrisim shkëmbimet tregtare”, – u shpreh Meta.

 

 

 Deputeti i PD-së

Shehu: Objektivi i doganave, më i ulët se realizimi në vitin 2011

 Premtimi i dhënë nga Kryeministri Rama sipas të cilit të ardhurat nga doganat do të rrisin peshën e tyre me 1% ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto realisht nuk përbën një rritje. Ish-zv.ministri i Financave, deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, deklaroi dje: “Objektivi është më i ulët se ai i arritur në 2011-n, edhe pse doganat po administrojnë akcizat, vlera e të cilave është 1.4% e prodhimit të brendshëm bruto”. Sipas të dhënave të ministrisë së Financave, pesha e të ardhurave nga doganat është rritur prej 2005-ës nga 8 në 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë kreu i qeverisë deklaroi në një takim ku bëri publik planin strategjik të institucionit, duke prezantuar edhe kompaninë britanikë “Crown Agents” se do garantohet rritja me 1% e GDP-së së vendit nga të ardhurat e doganave.

 

 

Takimi

Gjermeni me ambasadoren e Çekisë: Turizmi, prioritet i qeverisë

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, priti dje në një takim Ambasadoren e Çekisë në vendin tonë Bronislava Tomášová, ku në qendër të bisedës mes palëve ishte sektori i turizmit dhe planifikimi i territorit. Në takim, ambasadorja çeke, dha mbështetjen për promovimin e destinacioneve turistike në vend, i cili është gjithashtu i preferuara nga turistët cekë. Në këtë kontekst, Gjermeni dhe Tomášová ranë dakord që materialet promovuese të përgatiten edhe në gjuhën ceke. “Zhvillimi i turizmit përgjatë gjithë vitit është një nga prioritetet e Ministrisë dhe po punohet për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik për turistët vendas dhe të huaj”, tha ministrja. Po ashtu ambasadorja e Çekisë u interesua për projektet në fushën e planifikimit të territorit dhe zhvillimit urban. Ndërsa u vlerësua mbështetjen e Çekisë në procesin e integrimit evropian në BE, ministrja Gjermeni dhe Ambasadorja Tomášová u angazhuan të punohet ngushtësisht për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

 

 

 

 

Share it :