
Ndërkohë të gjithë ata qytetarë që konstatojnë mangësi ose pasaktësi në regjistër kanë afat 6 muaj që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit
Agjensia e Trajtimit të Pronave ka publikuar regjistrin e vendimeve të cilët kanë njohur të drejtën për kompensim dhe vlerësimin e vendimeve të viteve 1993 dhe 1994. Ky kompesim për 3 mijë e 749 vendime do të bëhet në bazë të ligjit të ri. Në zbatim të ligjit nr.133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, ATP ka realizuar për herë të parë vlerësimin ekonomik në bazë të ligjit të ri të pronave. Qytetarët mund të aplikojnë përmes formularit on-line që është publikuar në faqen e Agjensisë së Trajtimit të Pronave. Bashkëngjitur me njoftimin ATK u ka ardhur në ndihmë qytetarëve me linkun (Regjistri i vlerësimeve te vitit 1993-1994). Për të bërë “kërkimin” përdorni komandën CTRL+F në broserin tuaj pasi tabelat janë voluminoze. Ndërkohë të gjithë ata qytetarë që konstatojnë mangësi ose pasaktësi në regjistër kanë afat 6 muaj që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit. Në përfundim të procesit të verifikimit të vendimeve të administruara pranë arkivës së ATP-së, u identifikuan 385 vendime të vitit 1993 dhe 3364 vendime të vitit 1994, të dhënat lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuar, sipërfaqja e njohur për kompensim, mangësitë në dokumentacion apo vlerësimin përkatës jepen të detajuara në listën që shoqëron këtë njoftim. Për vendimet e vlerësuara financiarisht të viteve 1993 dhe 1994, subjektet mund të paraqiten pranë ATP-së për të aplikuar për ekzekutimin e vendimit të vlerësuar duke plotësuar formularin nr. 1 bashkëlidhur VKM – së nr. 223 datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, dhe dokumentacionin e përcaktuar në këtë formular. Subjektet e interesuara që evidentojnë të meta apo pasaktësi në këtë regjistër mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.




