“Silenciatori” Arrestohet grupi i trafikantëve të armëve

 

Anxhela Tato

 

 Hetimet, dyshohet se të prangosurit furnizonin me armë vrasësit me pagesë

 Gjatë aksionit ka pasur shkëmbin zjarri mes policisë dhe 6 të arrestuarve, që kanë bërë rezistencë

 

Drejtoria e policise TiranePrangoset grupi i peronave, të cilët dyshohet se kanë qenë furnizues me armë zjarri të vrasësve me pagesë. Operacioni “Silenciatori” ka vënë pas hekurave gjashtë persona nën akuzën e trafikut të armëve të zjarrit. Arrestimi i tyre është bërë mbrëmjen e së dielën në zonën e “Komunës së Parisit”, ku mësohet se gjatë aksionit ka pasur përplasje dhe të shtëna mes uniformave blu dhe të arrestuarve. Të arrestuar janë shtetasit Albert Aliaj, 42 vjeç; Andi Zogu, 22 vjeç; Besmir Sefgjini, 28 vjeç; Klevis Kuleni, 28 vjeç; Ramazan Lila, 44 vjeç, dhe Klajdi Lamaj, 18 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Mësohet se katër prej këtyre personave janë kapur në automjet, ku janë gjetur edhe armë zjarri të sekuestruara. Ndërkohë që dy anëtarët e tjerë Ramazan Lila dhe Klajdi Lamaj janë prangosur në banesë dhe ndaj tyre rëndon akuza e moskallëzimit të krimit. Blutë kanë kryer kontrolle në gjithë zonën pas sinjalizimeve për ekzistencën e një grupi që bashkëpunonte në shitje dhe trafik armësh zjarri. “Arrestimi i këtyre personave u krye, pasi u kapën në kushtet e flagrancës në kryqëzimin e rrugës “Medar Shtylla” me rrugën “Don Bosko” me katër armë zjarri, dy prej të cilave pistoleta me silenciator”, – thuhet në njoftimin e bluve. Nga hetimet e deritanishme ka dyshime se ky grup pajiste me armë zjarri persona që janë të përfshirë në ngjarje kriminale, të tipit vrasje ose grabitje. Ende nuk specifikohet nëse këto armë mund të jenë përdorur në ndonjërën prej vrasjeve të bujshme të vitit 2013. Mbetet ende për t’u konfirmuar nëse të arrestuarit kanë bashkëpunëtorë të tjerë, të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen edhe identifikimin e vrasësve me pagesë.

Aksioni

 Krahas sa më lartë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë model revolver me mulli, me 7 fishekë në mullirin e saj, një pistoletë model “Zoraki”, me krehër, si dhe 2 silenciatorë të përshtatur për këto armë. Pas veprimeve hetimore të bëra nga strukturat e policisë së këtij komisariati, ka rezultuar se shtetasit e arrestuar i posedonin këto armë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me qëllim shitjen dhe përdorimin e tyre në ngjarje kriminale, thuhet në njoftimin e policisë, ndërsa bëhet me dije se shtetasit Ramazan Lila dhe Klajdi Lamaj janë ndaluar si të dyshuar për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278/5 dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. Në kuadër të operacionit të zhvilluar nga forcat e policisë të komisariatit numër 2 janë zhvilluar kontrolle edhe në banesat e kësaj zone. Detajet lidhur me aksionin e zhvilluar mbrëmjen e së dielës janë bëhen të ditura nga Policia e Tiranës, ndërsa u raportuan edhe të shtëna me armë gjatë këtij operacioni të koduar “Silenciatori”. Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati të lënduar, ndërsa policia vijon kontrollet në kuadër të luftës kundër trafikut të armëve.

 

Vrasjet pa autor

Ngecin hetimet, vështirësi për të identifikuar ekzekutorët me pagesë

 Vrasës me pagesë dhe krime të pazbardhura, për të cilat ende nuk është bërë e mundur identifikimi i autorëve. Vetëm brenda vitit që kaloi në kryeqytet numërohen 11 raste krimesh mafioze pa autorë, ndërkohë që, sipas hetimeve të Prokurorisë, haset shpeshherë në vështirësi për identifikimin e autorëve të krimeve dhe personave që paguajnë “për të hequr qafe një rival”. Hetimet e vrasjeve ngecin në momentin kur as nga dëshmitarët dhe as nga pamjet filmike nuk sigurohet ndonjë pamje e qartë e autorit të krimit, i cili në pjesën më të madhe të rasteve është i maskuar, duke e bërë të pamundur dallimin e tipareve. Ndonëse numërohen 11 vrasje pa autor, Prokuroria ende nuk ka mundur që të lëshojë urdhër-arreste duke hasur pengesa. Siç bëjnë me dije burime nga organi i akuzës, në ekzekutimet më të bujshme është gjithmonë e njëjta skemë, dy persona në një motor, ku njëri është drejtues, ndërsa tjetri i pajisur me armë zjarri; të dy mbajnë skafandër dhe janë të veshur me rroba të errëta, ku pjesa e fytyrës është e mbuluar. Në asnjë prej këtyre krimeve vrasësit me pagesë nuk komunikojnë me viktimën, por thjesht i afrohen dhe hapin zjarr. Ata zhduken nga vendi i krimit me shpejtësi, duke e kthyer në një mision të pamundur identifikimin. Një problem tjetër që haset në këto ngjarje është zbulimi i personit që ka paguar ekzekutorin. Ndonëse personat e marrë mund të jenë me precedentë penale, sërish nuk kaq aq shumë të dhëna që të çojnë në zbulimin e personave që kanë urdhëruar krimin. Vrasjet e pazbardhura janë një përparësi për organin e akuzës, por hetimet ngecin duke e vështirësuar punën për zbardhjen e plotë të çdo ngjarjeje. Më datë 23 janar vritet Admirim Sako, 40 vjeç, pa autor; më 27 janar vritet emigranti Agron Dervishi, 36 vjeç, pa autor; më 26 prill vritet Adrian Levanti, pa autor; më 6 maj vritet Hikmet Kotorri, 44 vjeç, pa autor; më 27 maj vritet Ervis Tafaruçi, 33 vjeç, në Kavajë, pa autor; më 15 qershor vritet Luigj Dukagjini, pa autor; më 15 korrik vritet Edmond Dervishi, 44 vjeç, pa autor; më 24 gusht vritet Elidon Lafetaj, pa autor; më 23 tetor vritet Elvis Doçi, pa autor; më 6 prill vritet Sonila Tafa, autori Artur Kuliçi; më 28 mars, vritet Gjergj Prenga, autori i lirë.

 

 

Share it :