Në përgjithësi, bizneset shpenzojnë shumë për telefona dhe celularë. Sigurisht, pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve e zënë faturat e drejtuesve. Në këtë pikë, mund të kursehen para
Kostot e larta dhe shpenzimet, që duket sikur nuk kanë fund, u shkaktojnë “dhembje koke” shumë biznesmenëve apo edhe menaxherëve. Përveç shitjeve, si kostot fikse ashtu edhe ato të ndryshueshme (variabël) mund të përcaktojnë në fund të vitit nëse kompania del me fitim apo me humbje. Prandaj, herë pas here duhet bërë një verifikim dhe analizim i të gjitha kostove për t’i reduktuar aty ku është e mundur. Sigurisht, jemi duke folur për kostot që ulen pa ndikuar në cilësinë e produktit përfundimtar, marketingut efektiv apo që nuk ndikojnë në shërbimin ndaj klientit. Më poshtë, po ju listojmë pesë fusha ku mund të gjeni hapësira për reduktimin e kostove.
Komunikimi
Në përgjithësi, bizneset shpenzojnë shumë për telefona dhe celularë. Sigurisht, pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve e zënë faturat e drejtuesve. Në këtë pikë, mund të kursehen para. Kompanitë celulare kanë interes të bashkëpunojnë me bizneset dhe zakonisht janë të gatshme të mundësojnë edhe plane tarifore të personalizuara. Gjithashtu, faturat e larta shpesh vijnë për shkak të mungesës së informacionit ose neglizhencës për të kryer paketa dhe oferta të ndryshme që kompanitë celulare ofrojnë. E njëjta logjikë vlen edhe për shërbime të tjera si interneti apo telefonat fiks. Bëni kërkimet e mjaftueshme rreth kësaj çështjeje dhe mund të habiteni kur të arrini kosto mujore deri në 50% më të ulëta.
Marketingu
Marketingu është një proces në të cilin suksesi i fushatave kërkon kohë të provohet, kështu që duhet pasur kujdes me kostot që synohet të reduktohen këtu. Është mirë të jeni të kujdesshëm përpara se të merrni vendimin që një fushatë marketingu duhet të ndërpritet apo të mos zhvillohet fare. Studioni raportet e shitjeve, duke i krahasuar me shpenzimet që janë bërë për marketingun dhe nëse kompania juaj kryen studime në terren, analizojini edhe ato nën këndvështrimin e marketingut. Në fund, nëse shihni se një mënyrë e caktuar marketingu nuk ka sukses, merrni vendimin për ta ndërprerë atë proces dhe për të reduktuar kostot të cilat nuk sjellin përfitim.
Negocimi me furnitorët
Në momentin kur kompania juaj ka krijuar vendin e saj në treg, atëherë është momenti që të filloni të lëvizni “gurët” që keni në dorë. Përmes negocimit me furnitorët dhe përfitimit të çmimeve më të ulëta, ju keni mundësinë të arrini reduktim të kostove e të keni një ekonomi shkalle nëse industria ku operoni jua mundëson këtë gjë. Kërkoni për “ulje”, nëse pagesat i kryeni menjëherë me para në dorë apo nëse blini në sasi të mëdha. Gjatë procesit të negocimit, mbani në mendje pozicionin tuaj dhe të furnitorit në treg. Nëse jeni ju apo ai në pozicion më të mirë. Fuqia në marrëdhënien me furnitorët është edhe një nga shtyllat bazë.
Punonjësit
Sigurohuni që secili punonjës të ketë rol të rëndësishëm për kompaninë. Është gjithmonë e vështirë të pushosh njerëz nga puna, por megjithatë është më mirë që të largoni punonjësit sot nëse e shihni të arsyeshme. Kështu, kompania ka më tepër mundësi të mbijetojë e të zgjerohet në të ardhmen dhe rrjedhimisht të rekrutojë më tepër punonjës. Çdo punonjës duhet të dijë me saktësi se çfarë do të bëjë çdo ditë në punë dhe në çdo moment që ju apo menaxherët ta pyesin, ai të dijë të japë përgjigje. Kujdesuni që largimet nga puna t’i bëni sipas ligjeve në fuqi, për të mos rrezikuar kosto më të larta nëse çështjet shkojnë nëpër gjyqe.
Kosto transporti/udhëtimesh
Nëse biznesi juaj ka shumë makina që lëvizin çdo ditë, si për shembull një kompani shpërndarjeje, atëherë nevojiten studime të thelluara mbi mënyrën e qarkullimit ditor (routes) dhe duhen mbajtur raportime të vazhdueshme për shpenzimet e karburantit. Nëse jeni një kompani që importon produkte, atëherë kostot e transportit duhet të kenë një peshë jo të vogël në koston për njësi të çdo produkti. Sigurohuni që të zgjidhni kompaninë e duhur për të bërë transportin ndërkombëtar (apo/edhe kombëtar) dhe mbushja e kontejnerëve të jetë bërë në mënyrën më eficente (pa rrezikuar dëmtimin e produkteve). Përveç transportit të mallrave, edhe udhëtimet e biznesit kanë kosto shumë të larta. Nëse keni një planifikim të saktë të udhëtimeve tuaja, blijini biletat kohë përpara nisjes, pasi çmimet e avionëve mund të dyfishohen brenda muajit. Por, zakonisht ndodh që këto udhëtime të jenë të paparashikuara dhe të keni pak në dorë se çfarë të kurseni. Gjithsesi, kini parasysh që nuk është e thënë të merrni një biletë të klasit të biznesit për udhëtimin tuaj. Zakonisht, nuk ka asnjë ndryshim me pjesën tjetër të avionit, përveç disa centimetrave hapësirë më shumë apo buzëqeshje më të madhe nga stjuardesat. Çdo kosto duhet parë si një investim më vete, duke u siguruar që çdo para e dalë nga arka e kompanisë do të kthehet përsëri në arkë, plus të sigurojë një marzhë fitimi. Prandaj për çdo kosto që shihni në pasqyrat financiare, mendoni se në ç’mënyrë ka kontribuar në produktin final dhe në mbarëvajtjen e biznesit. Kërkohet planifikim i kujdesshëm dhe ndarje detyrash e përgjegjësish të qarta për ata që do të merren me këtë punë, pasi reduktimi i kostove është një proces që nuk realizohet asnjëherë nëse zvarritet.
Parashikimi, sektorët me rritjen më të lartë në 2014-2016
Ministria e Financave ka publikuar pritshmërinë për ecurinë e sektorëve kryesorë të ekonomisë për periudhën afatmesme 2014-2016, ku ndikimin kryesor në rritje pritet ta kenë shërbimet, bujqësia e industria. Prodhimi bujqësor, duke marrë në konsideratë që kushtet klimaterike do të jenë normale, është parashikuar që të rritet çdo vit mesatarisht me 4.4% për periudhën 2014-2016, me një kontribut mesatar në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto prej 0.9 pikë përqindjeje (p.p.) Prodhimi industrial, përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, parashikohet të rritet mesatarisht me 6.1% për vit në afatin e mesëm, duke kontribuar mesatarisht me 0.7 p.p. në rritjen e parashikuar të PBB-së. Ndërtimi pritet që të vazhdojë me rënie në 2014, megjithëse më të moderuar se në vitet e mëparshme, dhe parashikohet që t’i rikthehet zgjerimit pozitiv në vitet 2015 dhe 2016. Mesatarisht ndërtimi pritet që të rritet me terma realë me 1.5% gjatë 2014-2016, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e përgjithshme ekonomike me mesatarisht 0.1 p.p. në vit. Shërbimet pritet të rriten mesatarisht me 2.7% në vit gjatë periudhës afatmesme 2014-2016, duke kontribuar mesatarisht me 1.4 p.p. në vit në zgjerimin e përgjithshëm ekonomik. Kontributi kryesor pritet nga Shërbime të Tjera. Tregtia, hotelet dhe restorantet pritet gjithashtu që të kenë një kontribut në rritje në afatin e mesëm. Financat presin që në bazë të parashikimeve të mësipërme të kërkesës dhe ofertës, rritja ekonomike reale për 2014-ën të jetë 2.1%; 3.3% në 2015; dhe 4.2% në 2016. Monitor.al




