Shuhet legjenda Vaçe Zela/ Ema Qazimi: Si u befasova më 1972 nga shpërthimi i Vaçes në lokalet e Parisit e të Greqisë

Violeta Murati

 

988Zla_2Shuhet Diva e skenës shqiptare, Vaçe Zela. Këngëtarja ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare, dje rreth orës 01:00 të mëngjesit në Barel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmi u konfirmua nga familjarët e saj në Zvicër.

Fati i këngëtares legjendë shpesh merr kontekste politike, sidomos pas largimit të saj më ‘92, duke u vendosur në Bazel të Zvicrës. Vaçja nuk e ktheu kokën asnjëherë pas dhe në asnjë moment nuk mori rrugën për rikthim. Pyetjet shpesh janë vërtitur pa marrë përgjigje: Pse kjo “ftohje” e këngëtares me vendin e saj?! Talent i shpërdoruar apo i përdorur nga diktatura?! Një gjë ka absolutizëm: Zëri i Vaçes. Të tjerat janë rrjedha jete si gjithë artistët e intelektualët në këtë vend dhe njerëzit e mirë që jetuan në heshtje të thellë, që nuk bënë gjë tjetër, veçse përsosën diktaturën! Ky lloj sublimiteti duket se i takoi edhe Vaçe Zelës, që miq e të afërm jo pak kanë rrëfyer këngëtaren si një Sizif jashtë kohe. Megjithatë, këngëtarja rrëmbeu të gjitha zemrat, edhe atë të “djallit”, duke mbetur e paprekur, e pakundërshtuar, e heshtur, e përmbajtur, modeste dhe artiste në kohë diktature!

Vaçe Zela lindi në Lushnjë në vitin 1939 dhe më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeçe. Në biografinë e saj shënohet se u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë, ku edhe ka lindur. Ndërsa në dhjetor të vitit 1962, Vaçe Zela bëhet fituesja e festivalit të parë të muzikës së lehtë, me këngën “Fëmija i parë”.

Këngëtarja ishte 23 vjeçe. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja, se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, – ka kujtuar këngëtarja nga festivali i parë. Siç ka thënë edhe vetë, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Zëri i Vaçes u pikas nga mësuesit e saj në shkollën 7-vjeçare. Ishte e dhënë edhe pas pikturës dhe teatrit. Qysh në moshën 10 vjeçe pati nisur të këndonte vetë të gjitha këngët myzeqare, të dëgjuara në shtëpi nga familja. Do të dilte nga shtëpia për të mbledhur spektatorët e parë në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës, duke kënduar shkujdesshëm. E vogël, nxënëse në shkollë, Vaçja vesh një fustan të bardhë nusërie të qepur me dorë dhe del në një koncert në shkollë. Kështu mori vëmendjen duke u bërë artistja e vogël e qytetit. Ajo nuk fitoi të drejtën për të studiuar në Liceun Artistik të Tiranës, duke u rikthyer për të vazhduar studimet në shkollën “Qemal Stafa”, ku edhe nisi të mësonte kitarën. Të afërmit e saj kanë kujtuar se Vaçja këndonte me kitarë vetëm në dhomën e saj, këngë spanjolle, italiane apo amerikane, duke i mësuar vjedhurazi nga radioja. Kujtohet se “koncertet” e saj të para ishin pikërisht poshtë dritares, ku mblidheshin njerëz për ta dëgjuar, dhe më pas nëpër rrugët e Tiranës. Kështu, ngadalë, kur diktatura kishte mbërritur kulmin e saj, Vaçe Zela u bë miti i njerëzve, që u shtangte frymën shqiptarëve për ta dëgjuar. Shpesh legjendat rreth saj kalonin përtej kufijve, ku thuhej se turnetë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve tërhiqnin publik masiv. Dhe gjithmonë vërtitej për të enigma se çfarë e mbante në Shqipëri, sa famë mund të kishte fituar po të kalonte kufirin!

Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa qe gjallë me titullin “Nderi i Kombit” dhe siç janë shprehur dje mjaft artistë e këngëtarë, se ishte po ashtu e vetmja e cila u bë legjendë sa qe gjallë. Vaçe Zela mban titullin “Artiste e Popullit” dhe shumë shpejt ka tërhequr vëmendjen, duke krijuar menjëherë rezonancën e adhurimit në kohë të diktaturës. Ajo ishte një këngëtare e cila ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio-televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Komunistët” (dubluar nga Marina Grabovari). Po ashtu, zëri i saj është mbajtur si kolonë zanore në mjaft filma. Këngëtarja që prej ‘92-shit ndodhej në Zvicër së bashku me familjen e saj, bashkëshortin dhe vajzën e saj të vetme. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj, mjaft e kontestuar kjo për margjinalizimin që ka vetë rruga.

 

Ekskluzive

 

Rrëfimi i Ema Qazimit

1972, si u befasova nga shpërthimi i Vaçe Zelës në lokalet e Parisit e të Greqisë

 

 

 

Intervistoi: Violeta Murati

Në orët e para të ditës së djeshme gjithë media dhe shqiptarët me shpejtësi rrufe morën vesh lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtares legjendë, Vaçe Zelës. Një telefonatë me këngëtaren Ema Qazimi, si bashkudhëtare e festivaleve në RTSH, bashkëkohëse e së njëjtës karrierë në diktaturë, na zbuloi ndjeshmërinë, por edhe si Vaçe Zela u rrit në kujtesë, mit e legjendë. E emocionuar, Ema ndërton në këtë intervistë ekskluzive një rrëfim të pazakontë për lexuesit, ç’ishte një artiste në brendi, në qenien e saj jashtë kontekstit politik, diktaturës. E ka takuar Vaçen Zelën, për herë të fundit, vjet në Bazel, ku këngëtarja jetonte, në bisedë të gjatë, çmallëse që e kujton edhe më poshtë:

 

 

Sapo morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Vaçe Zelës…

Tronditëse, e pabesueshme që ajo nuk jeton më. Ajo ishte artiste e madhe, e papërsëritshme. Unë e kam pasur mit. E doja shumë, e kam adhuruar.

 

Kur e keni takuar për herë të parë?

Në vitin 1968, kur unë u ngjita në skenë për herë të parë. Isha 14 vjeçe.

 

Keni kënduar bashkë?

Me këngën e mësipërme kam pasur fatin të këndoj me të, në vitin 1968. Atëherë isha një vajzë e vogël, mjaft e re. Kënga ishte “Ylli partizan”, me kompozim të Agim Krajkës.

 

Çfarë mbani mend, si ishte ky takim me të?

Sigurisht që e njihja përpara se të hyja në festival, e adhuroja, e kisha idhull. E dëgjoja në radio, pasi televizor nuk kishim. E ndiqja çdo herë në radio, mbaja frymën kur ajo këndonte.

 

Po kur u takuat?

Ishte një përgjegjësi e madhe të qëndroje para Vaçe Zelës. Më shikonte me adhurim dhe nuk më pa si konkurrente në asnjë moment. Në fakt, isha unë që e adhuroja atë ikonë.

 

Çfarë marrëdhënieje keni pasur me të, përveç adhurimit si këngëtare?

Kam shkuar mjaft mirë me të. Ajo ishte shumë modeste, mjaft e përulur dhe shumë e komunikueshme. E thjeshtë…

 

Çfarë kishte tek Vaçja që tërhiqte aq shumë, që e adhuronit si artiste?

Do t’ju përshkruaj se si shfaqej Vaçja para nesh. Në prova kjo ishte më e dukshme. Ajo të magjepste me prezencën e saj. Qëndrimi i saj para mikrofonit ishte nga më fantastike, një artiste e madhe. E shihnim çdo lëvizje të saj deri në imtësi, se si lëvizte dorën, si hapte krahun, si shikonte çdo të që ajo bënte për ne ishte një magjepsje. Ajo ishte artiste në çdo aspekt. Kishte stil, kishte nur, kishte sharm në skenë. Krijonte një magji rreth saj në momentin që dilte para mikrofonit. Këtë mund ta krijojë vetëm një artiste botërore siç ajo ishte.

Më vjen keq që nga këto pasazhe kaq magjepse nuk ka asgjë të dokumentuar. Nuk ka arkiv në televizion. Gjithë qenia e saj jepej në skenë. Ajo i vinte vulën këngës.

Mjaftonte një lëvizje e saj për të na magjepsur.

 

 

Kjo ishte Vaçja artiste, po si njeri, si mikeshe?

Tek Vaçja ishin mbledhur të gjithë të mirat e botës. Ajo ishte një grua mjaft inteligjente, me një intuitë të jashtëzakonshme. Një nënë e jashtëzakonshme për vajzën e saj të vetme, Irmën. Tek Vaçja përmblidhej gjithçka në mënyrë të përsosur. Ishte rrobaqepëse, stiliste, gatuante në mënyrë të jashtëzakonshme, kishte shije në çdo gjë, mjaft gusto. Por mbi të gjitha, fjala e saj kishte peshë, ajo nuk e konsumonte atë.

 

Është interesante në gjithë çfarë thoni, a ka shprehur ndonjëherë mendimin ose edhe ndjesi se në Shqipëri po frustrohej për nga përmasa e talentit që kishte?

Sigurisht ka pasur momente, por asnjëherë nuk e shprehte me fjalë. Kjo kuptohej tek Vaçja. Mjafton t’ju tregoj vetëm një rast. Kur kemi qenë për vizitë në Greqi dhe Paris, sidomos në Paris, ka qenë një histori e jashtëzakonshme. Shkuan një grup i vogël prej katër këngëtarësh: unë, Vaçja, Gaqo dhe Petrit Lulo. Ka qenë një befasi e jashtëzakonshme. Në mbrëmje shkuam të darkonim në një lokal. Atje Vaçja mori kitarën dhe nisi të këndonte këngë jo shqiptare, një larmi kanconetash. Njerëzit u magjepsën. Ne u magjepsëm. Lokali u mbush plot, nuk kishte vende. Shikonin nga dritarja. Ky është një rast për të kuptuar arsyen e shpërthimit të Vaçes dhe për të ndier çfarë mbante ajo brenda saj. Sigurisht ajo e ndiente kufizimin përderisa këto këngë nuk i këndonte dot në Shqipëri. Ajo ishte realisht e kufizuar për çfarë ishte, çfarë përmasash kishte si këngëtare. Ajo ishte me përmasa botërore. Ky shembull që ju tregova nuk ka lidhje për të kuptuar vetëm ndjesitë e Vaçes, por edhe përmasën e saj. Çfarë ajo ndiente, sigurisht, që nuk mund ta shprehte dot këtu. Ajo ishte e përmbajtur. S’kishte çfarë të bënte, duhej të pajtohej me kohën.

 

Ka mbetur enigmë gjithmonë fakti se pas 92-shit, kur iku, Vaçja nuk u kthye asnjëherë në Shqipëri, ju ç’mendoni?

Nuk besoj se ka vend për enigmë. Vaçja vuante nga mushkëritë qysh në kohën e diktaturës, qysh këtu në Shqipëri. Dhe ky rast për t’u larguar ndoshta i bëri mirë, pasi po të qëndronte këtu, mendoj se do kishte ikur nga jeta me kohë. Ajo vuajti, edhe në Bazel vuajti shumë.

 

Ju e keni vizituar ndonjëherë, keni qenë në Basel?

Po, isha para një viti. E bija dhe bashkëshorti, Pjetri, më bënë një pritje të jashtëzakonshme. Shtëpia e tyre ishte përherë e hapur. Kemi biseduar gjatë, jemi çmallur. Vaçja mezi fliste, ishte shumë sëmurë.

 

Çfarë biseduat, ju shprehu ndonjë brengë apo amanet se ku do të dëshironte të prehej?

Sigurisht ajo kishte mjaft brenga, e sidomos për të qenit larg Shqipërisë, pamundësia për të qenë këtu, që nuk mundte të vinte. Kjo e brengoste gjithë kohën. Nuk mund t’ju them se ku donte të prehej, por për një gjë shprehej vazhdimisht, që më bënte përshtypje, në këshillën që i jepte së bijës për t’u martuar me shqiptar, dhe jo të huaj. Kjo mendoj ka domethënie për të. Vaçja ishte një mit, legjendë për vendin e saj, por mendoj se kjo duhej të vlerësohej në kohën e duhur. Jam shumë e hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta, sot mezi po e përmbaj veten, më janë këputur këmbët, duart nuk më lëvizin. Me gjithë shpirt s’doja që ajo të ishte larg, nuk e imagjinoj që nuk jeton më. Ajo u bë legjendë duke qenë gjallë. E çfarë kanë më tepër se ajo këngëtaret e famshme në botë?!

 

 

 

 

Vaçe Zela do të prehet në Sharrë, flamuri gjysmë shtizë

Trupi i pajetë i këngëtares Vaçe Zela do të mbërrijë nesër në mesditë në atdhe. Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore janë ditën e shtunë, datë 8.2.2014, ora 13:00, duke u nisur nga Teatri i Operës dhe Baletit për t’u prehur në varrezat e Sharrës.

Axhendën e ceremonialit e merr përsipër Ministria e Kulturës, e cila ka publikuar dje dhe njoftimin për homazhet dhe përcjelljen për në banesën e fundit. Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës, në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela, do të ulin flamurin në gjysmështizë. “Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. KËNGA e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare”, – shpreh ngushëllimet në një njoftim për mediat Ministria e Kulturës.

1962, “Esperanca”, kënga e panjohur e Vaçe Zelës, rekorde në rrjetet sociale

Krahas ngushëllimit për humbjen, dje, të gjithë shqiptarët kanë qarkulluar në rrjetet sociale këngën e panjohur të Vaçe Zelës, “Esperenca”, kur ajo ende nuk ishte ngjitur në skenën e festivalit. Bëhet fjalë për vitin 1962, kur Vaçja, sipas të afërmve, këndonte vetëm këngë të huaja dhe kryesisht spanjolle. Ishin këngë që ajo kishte nisur t’i këndonte qysh në shkollë të mesme me kitarën e saj. Admiruesit e afërt ende nuk e kishin dëgjuar te këngët shqiptare, derisa më 1962 ajo u ngjit në skenë në natën e parë të festivalit të parë të këngës në RTSH, me “Erë pranverore”. Aty u ndie se për muzikën e lehtë shqiptare po vinte një yll i ri.

 

Facebook

Saimir Pirgu: Vaçe Zela, pjesë e identitetit tonë kombëtar

“Ikona e muzikës shqiptare, e përjetshmja Vaçe Zela sot nuk është më midis nesh. Zëri i saj do të kumbojë dhe rrezatojë në çdo zemër shqiptari për jetë të jetëve, sepse është pjesë e pazëvendësueshme e identitetit tone kombëtar.

Lamtumirë Vaçe!”

 

Inva Mula; Divja jonë absolute

Në një mesazh të postuar në “Facebook”, në këtë ditë të ndarjes nga jeta të artistes së madhe shqiptare, Inva Mula i është drejtuar ndryshe Vaçe Zelës me “bindjen” se ajo e dëgjon:

“E dashur Vaçe!

Po të drejtohem duke ngritur sytë nga qielli me bindjen se më dëgjon! Ti u ktheve në një legjendë që në vitet e rinisë tënde, ishe simboli i artistes absolute, pa konkurrencë, pa krahasim! Atje ku tingëllonte zëri yt dhe gërshetohej me fjalën aq bukur, shqiptuar me një frazë melodike që vetëm ti dije ta skalisje, lije vetëm një rrugë të ndriçuar, e cila u bë referencë e këngës shqipe!

Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty! Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë! Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse Diva jonë Absolute!”

 

Ardit Gjebrea: Vaçe Zela, faleminderit që ekziston!

“Fizikisht të gjithë ikin nga kjo botë, tashmë jemi mësuar edhe me njerëzit tanë më të shtrenjtë, por ka nga ata të cilët janë të shtrenjtë për të gjithë.

Janë ata që të bëjnë të ndihesh krenar që ke jetuar në kohen e tyre, që i ke njohur, që i ke prekur… dhe sa pak janë! Në dimensionin e pafund të artistit, Vaçe Zela mundi të jetë etaloni dhe si e tillë çdo fjalë për të: yll, mit, mbretëreshë – janë unanimiteti i mendimit popullor.

Dhe mjafton kaq të vlerësosh Vaçen unike, që në këtë rast vlen shprehja: artiste të tilla i vijnë kombit një herë në 100 vjet!”

 

Share it :