Artan Fuga
Një pyetje që më qëndron në mendje, ndërkohë që prej vitesh jemi dëshmitarë të shumë proceseve dhe dukurive që na bëjmë të mos flemë rehat për sa më sipër.
Le ta shohim këtë pyetje në mënyrë analitike, duke u përpjekur në fund t’i japim një përgjigje sa më bindëse.
Është një pyetje disi e çuditshme, ndofta sepse qysh në fillim duhet pranuar se gjendemi pranë dhe brenda së pak tre rrethanave që na bëjnë të mendohemi.
E para që jemi në një shoqëri globale dhe mua ky fakt më bën të gëzueshëm, sepse një shoqëri globale është një shoqëri e hapur dhe me më pak presione që vijnë nga mendje të mbyllura. Pra sigurisht nuk mund të jemi qytetarët e parë të botës sa kohë qe Shqipëria është në ato parametra që dihen, krahasuar me vende të përparuar apo me zhvillimi mesatar.
Së dyti, ndodhemi në një shtet që e di veten demokratik dhe prandaj barazia qytetare para ligjit mbase e bën pak të çuditshme këtë pyetjen se mos vallë jemi bërë qytetarë të dorës të dytë.
E treta, jetojmë në një shoqëri me diferencime klasore dhe shtresore shumë të mëdha dhe duket si e natyrshme që disa të jenë në tribunë dhe disa ulur në stola guri në anët e “stadiumit” duke parë nga larg dhe skiç se çfarë ndodh në fushën e lojës dhe në tribunën qendrore.
Çfarë lidhje ka me aktualitetin e përjetuar prej meje pyetje në titull: Mos janë kthyer shqiptarët në qytetarë të dorës të dytë?
Po ja, një ose dy historianë, apo që quhen të tillë, pak ka rëndësi, na propozojnë që dhe historinë e Shqipërisë të kohës komuniste ta shkruajë një i huaj, një gjerman, sepse atyre u duket si më i mirë se shqiptarët.
Nuk po nisem të pyes:
Ku e gjetët atë?
Kush ua rekomandoi?
Cilat janë punimet e tij në këtë fushë?
Pse atë dhe jo një tjetër, ta zëmë një çifut, kinez, arab apo afrikan?
Ta le këtë pyetje se nuk dua të hyj në thella dhe të nxjerr mashtrimin me gjoja objektivitetin që duan të na bëjnë. Jo, hallin e kam gjetiu, që fshihen nga faqja e dheut historianët shqiptarë, dhe merret një i huaj kur nuk ka asnjë fakt për të vërtetuar se një i huaj e njihka më mirë sesa shqiptarët, sesa historianët shqiptarë, historinë e kombit dhe vendit të tyre. Asnjë provë nuk na jepet.
Tani të vijmë te çështja në përgjithësi:
Një trajner për kombëtaren e futbollit? Gjejmë prej vitesh një të huaj sado mediokër është ose nuk është ai. Por, vetëm një shqiptar jo. Pff, trajner futbolli i kombëtares shqiptar??? Dhe me një të huaj nuk kemi lëvizur prej kohësh nga vendi i fundit ose i parafundit në çdo grup. Për turp.
Një historian për të bërë historinë objektive të Shqipërisë? Një të huaj. Historianët shqiptarë qenkan të paaftë.
Edhe kur kanë dashur të bëjnë reforma arsimore në këto dy dekada, në mënyrë të përsëritur gjejnë ndokënd që e sjellin nga jashtë a thua se të japësh mësim në ndonjë klasë jashtë kufijve të Shqipërisë bëhesh më i mençur se kolegët që ke në atdhe, ose edhe më keq akoma, na u bëke edhe specialist administrimi arsimi, pavarësisht se je pedagog në botanikë, astronomi, apo vrapim me pengesa.
Na duhej edhe një guvernator banke pas vjedhjes që ndodhi dhe që na mori gjithë kohën përgjatë verës? Le të gjejmë një të huaj, ata dine ta ruajnë mirë thesarin, në Shqipëri të gjithë bankierët qenkan hajdutë, hajna. Tani ka një nuance, thonë se duhet gjetur një shqiptar por që punon jashtë, pra na duhet një shqiptar i huaj. Bankierët shqiptarë janë të dorës të dytë apo të tretë, kush i merr ata në konsideratë. Lëre po janë dhe hajdutë, e thamë njëherë…
Këshilltar për qeverinë dhe ministrat e kreun e qeverisë? Të huaj. Dihet. Ku dinë shqiptarët qyqarët të japin këshilla të mira!!!
Një agjenci konsultimi për të prodhuar logon për Shqipërinë dhe imazhin e saj? Një agjenci të huaj. Nuk e sheh, na e ndritën. Mendja e gjithë botës qëndron te kërthiza e saj, Shqipëria që ndriçon si fanar…
Ekipe për fushatën elektorale? Të huaja. Nuk ka specialistë marketingu politik shqiptarë, u ka rënë flama.
Dhe historia vazhdon pa fund duke shkuar nga i huaji te i huaji për të gjitha postet delikate, teknike, profesionale, apo që kanë të bëjnë me vendimmarrje të caktuara.
Sigurisht që gjenden kudo specialistë më të mirë në botë duke paguar buxhete të mëdhenj. Por kjo nuk e zgjidh problemin.
Ku do të mësojnë specialistët shqiptarë?
Si provohet aftësia ose paaftësia e specialistëve shqiptarë?
Pse deputetë e ministra mund të bëhen individë shqiptarë ndonëse shpesh edhe me arsimimin të dyshimtë, kurse në poste të tjera nuk e kanë këtë mundësi?
Kur do të marrë përgjegjësi specialisti shqiptar që nga viti në vit po humbet terren?
Dhe e bukura është se duke i mbivlerësuar të huajt, duke u paguar rroga të majme atyre u krijohet një mendësi e çuditshme dhe kujtojnë se mund të flasin lloj-lloj banalitetesh dhe mediokritetesh përpara një kombi injorant që jemi ne shqiptarët dhe ata na tregojnë se çfarë është penalltia, pse topi i futbollit është i rrumbullakët, pse arbitri nuk vesh fanellën e njërit prej ekipeve në fushë, apo se përse drejtësia duhet të jetë e drejtë, përse mjekësia duhet të shërojë, përse serat janë të mira për të mbjellë domate në dimër, etj.
Çmenden edhe të huajt, sepse u duket vetja shumë të zgjuar duke folur të tilla idiotësira, por në fakt fajin e kemi vetë meqë duke na parë ashtu të paraqitur, si në gjendje debilizimi psikik të thellë, u ngrefet aq shumë vetja saqë humbasin kontrollin dhe nisin të delirojnë. Kjo shpjegon se përse ka edhe të huaj që ndërsa në vendin e tyre njihen si qenie racionale, sa vijnë në Shqipëri rrezikojnë të alienohen dhe të pësojnë simptoma patologjike jo edhe aq të lehta.
Kudo ku kërkohen aftësi profesionale po bëhet e modës të kërkohen të huaj.
Edhe studio arkitekture, edhe studio urbanizimi, edhe çdo gjë tjetër. Edhe sheshet e ndërtimit duhet t‘i ekspertizojnë të huajt, edhe rrugët buzë detrave, edhe njërën edhe tjetrën.
Po na mërzitet vetja.
Mirëpo çështja nuk mbaron fare këtu ku njeriu i ditur shqiptar e sheh veten pjesë e një elite teknokratike të zhvlerësuar, përbuzur, poshtëruar.
Le të shohim se çfarë konfiguracioni etnik ka ekonomia shqiptare sot. Do të shohim se ndërmarrjet që zotërojnë me kapitalet e tyre pozita kyçe, në banka, në telefoninë mobile, në nxjerrjen dhe përpunimin e materialeve, në administrimin e shpërndarjes të energjisë, etj., të gjitha mbizotërohen nga kapitali i huaj.
Çfarë i mbetet sipërmarrësit shqiptar ose qytetarit shqiptar në përgjithësi? Ekonomia e kioskave, ekonomia e ngastrave, atje ku nuk ka qarkullim financiar, po të heqim industrinë e ndërtimit që në fakt ka qenë gjithë kohën shtojcë dhe aneks i pushteteve lokale dhe e kontrolluar kryekëput prej tyre. E shumta që mund të bëjë shqiptari me pozitë të ulët ose të mesme sociale është të kapi ndonjë “sipërmarrje” të vogël, dyqankë, barrakë, ku të punësojë familjen, dhe që nuk sjell fitime veçse për të ngrysur jetën, që nuk punëson.
Dikush mund të thotë se kjo ndodh ngaqë sipërmarrjet e mëdha duan kapitale gjigante dhe këto i zotërojnë të huajt. E vërtetë, por nuk mjafton për të justifikuar pozitën e nënshtruar të shqiptarëve në ekonomi. Sepse ka mundësira kooperativizimi, ka mundësira krijimi bursash aksionesh masive, ka mundësi tërheqje kapitalesh nga emigrantët. Por duket se klasa politike shqiptare nuk e do shqiptarin e pasur, veçse kur ky shqiptar administron pasuri që vijnë nga politika ose pushtete të tjera, sepse ai mund të bëhej një faktor që nga pozitat e forta ekonomike mund të zgjasë duart duke ndikuar edhe politikat, strukturat dhe ushtrimin e pushtetit në mënyrë të pavarur nga establishmenti politik duke e gjunjëzuar këtë të fundit. Do të kishte qenë gjithsesi një ngjarje interesante sepse për herë të parë një forcë sociale do të ndikonte qeverisjen kurse deri tani është politika që plastelon të gjithë shoqërinë me fije të dukshme dhe të padukshme.
Por fati i shqiptarit si qytetar i zonës dytësore nuk përfundon në Shqipëri. Ai është i tillë dhe në vende të tjera të Ballkanit ku shqiptarët janë pakica kombëtare sado me status formal të përmirësuar, disi, krahasuar me kohën e diktaturave në Ballkan. Po kështu shqiptarët që kanë vajtur emigrantë jashtë vendit, sidomos ata që ende nuk i kanë marrë dokumentet e tyre të natyralizimit në kombet përkatës. Por, edhe kur i marrin ata janë objekt i mjaft sjelljeve që i margjinalizojnë, e lenë në periferi të shoqërisë, nga ana sociale dhe kulturore, por edhe kur kjo nuk ndodh, ata janë dytësorë kur kthehen në Shqipëri për pushime, etj., sepse shohin një vend që nuk ka më hapësirë për ta. Madje edhe në familje trajtohen si miq të huaj, me njerzillëk mbase, por aman sa të ikin sepse na lanë pa bërë gjë tjetër dhe na prishin rehatin…
Sigurisht janë disa hapësira ku një grup ose disa grupe shqiptarësh duket sikur zënë vendin e parë, sidomos në politikë e pushtete, në administratë, në shkollimin universitar dhe në media.
Po të shohim do të vemë re se këto janë hapësira ku etnokracia vendase ka dashur t’i ruajë për vete dhe në to prania e drejtpërdrejt e të huajve është e mangët. Jashtë të huajt nga këto fusha duket sikur disa duan të thonë! Duken si fusha ekskluzive bashkë edhe me atë të tregtisë me shumicë, e tregtisë me jashtë, ku çmimet monopol po rrënojnë zhvillimin e ekonomisë vendase.
Në media e shkollim është faktori gjuhë shqipe që deri tani ka lejuar dhe lehtësuar njëlloj kontrolli nga ana e lobingjeve shqiptare, por këtu cilësia e punës, ardhur nga ndikimi shumë negativ i pozitave monopol, është në një shkallë shumë të ulët. Ndërkaq në politikë, pushtet e administratë, shtresa kontrolluese vendase duket se ushtron një pushtet autonom, por në fakt vetëm një pushtet vertikal mbi njerëzit dhe shoqërinë sepse në fund të fundit asnjë buxhet apo politikë nuk mund ta bëjë jashtë kontrollit nga jashtë apo nga faktori ndërkombëtar. Dhe me këto që shohim se çfarë po ndodhin nëpër video, apo kur videot nuk punojmë, nuk kemi sesi mos themi shyqyr që ka një farë kontrolli nga jashtë sepse pa partnerët tanë të jashtëm dhe presionin e tyre, pyetja shtrohet: A do të kishim mundësi edhe parlamentarizëm të kishim, edhe ligj aq sa është të kishim, edhe të drejtë fjale aq sa kemi të kishim?
Për të mos thënë se çfarë peshe zë kultura kombëtare përballë kulturës të huaj në filma, emisione televizive, romane etj.
Kënetë, moçal, shkretëtirë…
Se edhe kur duam të bëjmë ndonjë reforme në arsim, prej nja dhjetë a pesëmbëdhjetë vjetësh, do të sjellim nga jashtë personin kyç…
Përse kjo mendësi, përulje ndaj çdo gjëje të huaj?
Sepse një huaj, ose shqiptar i “marrë me qira” nga dheu i huaj ku është gremisur, është jashtë kontrollit të shoqërisë shqiptare dhe e pranon më lehtë ndikimin nga klasa politike?
Shitet më shpejt?
Pranon më shpejt sesa vendasit që kundrejt ca privilegjeve të vogla, duke ndejtur disa muaj në Shqipëri, e ka pa vështirësi të pranojë influenca politike shkatërruese për sektorin ku do të hiqet reformator, e ka të lehtë t’u vejë shkelmin sakrificave, përpjekjeve dhe luftës të kolegëve të tij vendas?
Shkarkon mbi botën shqiptare gjithë depresionin e grumbulluar nga emigracioni i tij personal dhe poshtëron duke qenë i poshtëruar në subkoshiencë andej nga ka ardhur?
Hakmerret ndaj kolegëve të tij vendas sepse u ka zili atyre faktin që janë në vend të tyre?
Sepse me anë të një të huaji edhe ca llogari financiare bëhen më me përfitim?
Sepse nuk ka kompetenca profesionale në në vend?
Çdo pyetje mund të bëhet, ose çdo pohim mund të marrë formën e një pyetjeje.
E rëndësishme është që edhe të integrohemi, hapemi drejt botës së jashtme, bashkëpunojmë me partnerët tanë, përfitojmë nga ekspertiza e huaj, por edhe të rrisim praninë dhe rolin e faktorit shqiptar, dhe mbi të gjitha, sikurse e aplikojnë vendet me dinjitet në botë, qytetari dhe faktori shqiptar të mos jetë as i margjinalizuar, as i çuar në një zonë të rangut inferior dhe as të mos humbasë çdo aftësi reagimi dhe veprimi në botën e sotme globale.




