Shpallet formacioni i vitit sipas UEFA-s, Mesi jashtë tij, Bajerni mbizotëron

Mesi dhe ekipi i Barcelonës nuk përfaqësohet me asnjë lojtar

 Bajerni mbizotëron listën me katër lojtarë

 

skuadraDje u shpall formacioni më i mirë i UEFA-s për vitin 2013. Një formacion që kishte risitë e veta, por edhe surpriza që nuk priteshin. Risia më e madhe ishte se skuadra e Barcelonës nuk bënte pjesë në këtë formacion pas më shumë se 10 vitesh mbizotërimi. Duket që skuadra katalanase e vitit të kaluar nuk ishte më e mira. Kjo, pasi edhe pse pavarësisht ekipi katalanas fitoi Ligën dhe Kupën e Spanjës, nuk i mjaftuan që të shndrisnin si në sezonet e tjera. Faza e Champions-it ndaj Bajernit ishte një disfatë shumë e madhe për ekipin që u mposht nga bavarezët shumë më superiorë. Një humbje që i kushtoi edhe formacionin e vitit duhet thënë pasi Iniesta apo Ksavi dhe Mesi duhet që të ishin pjesë. Mirëpo paraqitjet e të tre lojtarëve nuk kanë qenë në atë nivel sa të hyjnë në këtë formacion. Kujtojmë se gjithë kjo “dreamteam” ka ardhur në bazë të të gjitha përzgjedhjeve që janë bërë nga 10 milionë sportdashës. Ndërkohë, e veçantë tjetër e këtij formacioni është dhe fakti se në të nuk gjendet Mesi. Argjentinasi duket se sezonin e kaluar ka përjetuar edhe vitin më të dobët të karrierës së tij, kjo jo për faj të tij, pasi ka pësuar disa dëmtime. Këto lëndime duket se e kanë kushtëzuar ndihmën ndaj skuadrës. Mirëpo edhe paksa e ekzagjeruar si përzgjedhje, pasi të lësh jashtë 4 herë fituesin e Topit të Artë për Bejlin, duket si një zgjedhje edhe pak ndëshkuese. Megjithatë, gjithçka ndodh në futboll dhe votimi ka treguar se ky vendim është i duhuri, sipas votuesve. Bajerni duket se ishte sensacioni i këtij formacioni, duke u përfaqësuar me katër emra. Duke filluar nga Nojeri në portë te kapiteni Lam në mbrojtje, ndërsa në krahun tjetër qëndronte austriaku Alaba, kurse në sulm qëndronte Riberi, që ishte dhe një ndër tre pretendentët për Topin e Artë. Skuadra e Jup Hejnkesit ishte dhe ekipi që solli më shumë sukses, si në kampionat dhe në arenën ndërkombëtare. Mbret i padiskutueshëm si në Gjermani ashtu edhe jashtë saj. Bavarezët arritën që të fitonin Ligën e Kampioneve pas tri vitesh që kishin shkuar në finale. Një trofe që më në fund erdhi për t’i dhënë gjithë gëzimin e munguar. Skuadra këtë vit ishte në formën më të mirë të mundshme të udhëhequr nga dyshja Riberi-Roben skuadra ishte e pamposhtur përballë çdo kundërshtari. Si në fitoren ndaj Barcelonës por edhe asaj ndaj Dortmundit në finale tregoi se ekipi i meritonte të gjitha atributet. Skuadra tjetër kishte më shumë lojtar në këtë formacion ishte skuadra e Realit që përfaqësohej nga Ronaldo, Bejl dhe spanjolli Ramos. Portugezi e meritonte vendin në formacion, pasi ka kryer një sezon të mrekullueshëm me paraqitje të jashtëzakonshme që i dhanë dhe Topin e Artë, ndërsa Ramos është treguar një lider i vërtetë i Realit, duke bërë paraqitje mjaft të mira që e kanë çuar në një nivel tjetër. Ndërsa Bejl, edhe pse më shumë është vlerësuar më shumë për sezonin te Totenhemi, është zgjedhja e tifozëve për formacionin e vitit. Ndërkohë, tre lojtarët e tjerë vijnë nga skuadra të tjera. Në mesfushë është Ozil i Arsenalit, që po kryen paraqitje mjaft të mirë të topçinjtë e Vengerit. Ndërsa për finalistët e finales së Champions-it, Dortmundi, përzgjedhja ishte Rojsh që ka qenë figura më e rëndësishme e skuadrës pas largimit të Gëtzes. Ndërsa sulmin e mbyllte Ibrahimoviçi, që na ka magjepsur me golat e tij spektakolarë.

 

Formacioni i vitit nga UEFA: Nojer, Alaba, Ramos, Silva, Lam, Riberi, Rojsh, Ozil, Bejl, Ronaldo, Ibrahimoviç.

 

 

Tohir: Synojmë vendin e katërt

Presidenti i Interit, Erik Tohir, ka pohuar se vendi i katërt është synimi kryesor i Interit këtë sezon. Zikaltrit momentalisht janë në vendin e pestë në Serinë A, duke fituar vetëm 8 nga 19 ndeshjet e para të sezonit dhe indoneziani ka këmbëngulur se milanezët kanë përmirësim nga viti i kaluar. “Krahasuar me sezonin e kaluar, ekipi është përmirësuar. Por, synimi është vendi i katërt dhe unë mendoj se kjo është e pranueshme për ne këtë sezon. Unë i sugjeroj fansat që të jenë të durueshëm, një biznes nuk ndërtohet për disa muaj. Ne duhet të presim disa vite. Shikoni në klubet e mia në Amerikë dhe do ta vëreni se si do të funksionojë edhe klubi ynë në vitet në vijim”, – u shpreh Tohir.

 

 

Markizio: Qëndrimi në stol, i vështirë

Një ndër lojtarët kyç të skuadrës juventine, Klaudio Markizio, ka pranuar se ai e ka shumë të vështirë që të jetë zëvendësues në një ekip, por është shprehur se ai dëshiron që të vazhdojë të kontribuojë. Mesfushori e ka gjetur veten në pankinë në dy ndeshjet e fundit në kampionat, por me raportimet se ai mund të kalojë në Mançester kanë shtuar edhe zërat e pakënaqësisë te lojtari. “Është normale se synimi im është që të rris minutazhin tim. Sidoqoftë, unë kam thënë gjithmonë se dëshira ime është që të jem këtu. Bashkëlojtarët e mi e dinë se jam në gjendje të bëj gjithçka dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin. Pankina nuk është kurrë e lehtë për t’u pranuar, por të gjithë dëshirojnë të bëjnë kontribut”, – është shprehur mesfushori.

 

 

Ronaldo: E dhjeta, e vështirë

Fituesi i Topit të Artë, Kristiano Ronaldo, ka shprehur dëshirën që ta fitojë Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit, por ka pranuar se klubi ndien presion për “La Deciman”. Ronaldo ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s pasi e fitoi Topin e Artë dhe ai ka pranuar se e ka të vështirë që të koncentrohet vetëm në Ligën e Kampionëve. “Kjo gjeneron pak presion, po, mirëpo krijon edhe kënaqësi të madhe. Real Madridi është në kërkim të Ligës së Kampionëve çdo vit, pasi është garë ekstrem e rëndësishme dhe të gjitha ekipet e përfshira duan ta fitojnë”. “Të shohim nëse do të kemi fat këtë vit dhe nëse mund ta fitojmë La Deciman, që është gjithë ajo që ne duam”, – ka deklaruar Ronaldo.

 

 

 

Çelsi nënshkruan me Matiçin

Çelsi ka konfirmuar në faqen zyrtare të klubit se ka transferuar mesfushorin e Benfikës, Nemanja Matiç. Serbi që ka bërë mjaft paraqitje të mira për Benfikën, kalon te Çelsei për 25 milionë euro. Hoze Murinjo u shpreh mjaft i kënaqur me këtë transferim teksa edhe vet lojtari e shprehu një gjë të tillë. “Jam shumë i lumtur që m’u dha mundësia të rikthehem. Ndihem shumë mirë dhe dua të qëndroj e të jap më të mirën time për të ndihmuar skuadrën”, – ka thënë Matiç. Ky transferim pritet të nxisë edhe më shumë spekulime për të ardhmen e Huan Matës.

 

 

 

 

 

 

Share it :