(Një metodë e mirë dhe një metodë e keqe administrimi)
Artan Fuga
Lidhur me borxhet që shteti shqiptar u ka disa bizneseve shumë mirë që është menduar që këto borxhe, pjesë e borxhit të brendshëm, të lahen.
Çdo qeveri duhet të njohë vendimet e qeverisë paraardhëse, çdo parlament duhet të njohë ligjet e parlamentit paraardhës, çdo pushtet lokal duhet të njohë vendimet e pushtetit lokal paraardhës. Përndryshe nuk mund të ketë shtet, ligj, vazhdimësi të së drejtës, sa herë ndryshohet një kryetar bashkie apo një qeveri.
Për më tepër, çdo dokument zyrtar që i jepet një qytetari, i drejtë apo i padrejtë është njësoj i vlefshëm dhe përgjegjësinë për atë e mban nëpunësi i shtetit apo përfaqësuesi i ligjit që e ka nxjerrë jo qytetari që ka respektuar procedurat. Anulimi i atij dokumenti duhet të sjellë edhe dëmshpërblimin deri në një të qytetarit në fjalë.
Nga ana tjetër shlyerja e borxheve ndaj kompanive ka mundësi t’u japë pak ajër atyre që të rifillojnë të punojnë duke shlyer borxhet etj.
Deri këtu jemi në rregull.
Por kjo shlyerje e borxhit me paratë publike, me taksat tona, duhet bërë me disa procedura dhe sipas disa rregullave.
E para ka vend që qytetarët të njohin në detaje cilat janë këto sipërmarrje, çfarë punimesh kanë bërë, sa lekë ka qenë shifra e biznesit, sa është borxhi, për çfarë interesash borxhi duhet paguar, në çfarë zërash është ky borxh ndërmarrje pas ndërmarrjesh. Pa këtë transparencë publike nuk ka asnjë besueshmëri në harxhimin e parasë publike në këtë drejtim.
E dyta, duhen parë se në çfarë drejtimesh është ky borxh mbi baza dokumentesh të rregullt. Lëndë të parë, teknologji, fuqi punëtore, normë fitimi, etj., borxhe bankare? Cilat janë zërat e borxhit firmë pas firme? Dhe jo në global. Për çdo zë duhen parë sa janë zbatuar normat në fuqi. Pagesa fuqie punëtore? Po a kanë pasur siguracione apo kanë punuar në të zezë, a është respektuar paga minimale etj.? Shpenzime punimesh? Po a janë bërë kontrollet teknike të punimeve, a ka garanci për to etj. e kështu me radhë.
Së treti, disa pagesa duhen bërë direkt te operatorët nënkontraktualë që firmat kanë borxhe si pasojë e borxheve që shteti u ka sipërmarrjeve kontraktuese. Pra, paraja të shkojë direkt nga shteti te terminali i fundit ku duhet të shkojë paraja, te punëtori, te furnizuesi me lëndë të parë, te nënkontraktori etj., jo t’u jepet toptan një sasi parash firmave kryesore dhe ato të bëjnë çfarë të duan me to. Kjo do të ishte një formë e keqe administrimi i parasë publike.
E katërta, borxhi do të shlyhet, por me kushte amà. Pra, mund të gjenden mekanizma që kjo para të vendoset në riqarkullim në lëvizjen e ekonomisë kombëtare dhe jo thjesht në formën cash apo si transaksion i thjeshtë financiar: Na merri lekët e borxhit dhe bëj çfarë të duash me to! Shteti duhet të kontraktojë me politika publike nikoqire për marrëdhëniet me biznesin vendas. Borxhi duhet të shlyhet deri në një, por mund të shlyhet mbi bazë projektesh, pra duke u kërkuar firmave që kjo para të riinvestohet në ekonominë kombëtare në teknologji, lëndë të para, pagesa fuqie punëtore etj. Pra, duhet të shlyhet ky borxh mbi bazën e projekteve investuese ku shteti sipas detyrimeve financiare që ka nga borxhi t’i mbështesë sipas projekteve dhe strategjive të veta.
Përndryshe do të na ndodhi që paranë publike ta shpenzojmë në formën më të keqe dhe ta bëjmë rrush e kumbulla.
Përderisa janë paratë e qytetarëve, atëherë ato duhen bërë transparente në mënyrën e tyre të shpenzimeve dhe mbi bazën e politikave publike, jo thjesht si pagesa cash apo nëpërmjet operacionesh financiare të paditura, të panjohura.
Ka nevojë që një komision qytetar, i përzgjedhur nga ekonomistë dhe financierë të zotë, nga ata që ka me qindra rrugëve pa punë, mendje e kalemprehtë, të jetë garanti dhe këshilluesi i strategjisë kombëtare për lehtësimin e borxhit të brendshëm.
Përndryshe ne do të marrim huara të jashtme, do t’i kemi ne si publik në ngarkesë brez pas brezi, kurse fitimi do t’u kalojë operatorëve privatë. Kjo do të ishte një padrejtësi ekonomike dhe sociale që do ta brente edhe më keq shoqërinë shqiptare.
A thua se forca publike nuk mund të ketë sipërmarrje publike që t’i bëjnë ato punime?
Nëse kjo hua e brendshme nuk administrohet kështu, atëherë qytetarët kanë të drejtë të thonë: Nuk është borxhi ynë. Nuk e paguajmë me lekët tona. Aq më shumë duke marrë hua për të shlyer hua.
Së pesti, mundet edhe sipërmarrjeve që u kemi hyrë në borxh t’ua shlyejmë borxhin gradualisht, jo menjëherë, me përqindje interesi, duke mos u marrë tatim fitimi derisa borxhi të shlyhet dhe duke i motivuar me mbështetje për projekte sipas strategjive publike të nxjerrin fitime. Mundësitë janë të pafundme, por gjithçka duhet bërë për të shmangur pagesat cash apo me operacione financiare, globalisht, pa llogari, pa fleksibilitet, pa transparencë qytetare, pa e çuar paranë te terminali i fundit ku i detyrohet dhe në forma likuidimi total këtu dhe menjëherë. Do të kishte qenë një politikë e keqe financiare.




