Shkop dhe karrotë’: Bashkia thyen grevën e punonjësve të pastrimit

Nga Valbona Davidhi

Mbi 30 punonjës të ndërmarrjes së pastrimit për zonat rurale në bashkinë e Fierit njoftuan më 18 nëntor nisjen e një greve pa afat dhe listuan si kërkesa rritjen e pagës, kushte më të mira të punës dhe respektim të disa të drejtave, përfshi lejet vjetore që thanë se nuk i merrnin

Por vetëm një ditë pas shpalljes së grevës pa afat, punonjësit e pastrimit të zonave rurale në bashkinë e Fierit u rikthyen në punë pa iu plotësuar kërkesat dhe pa u shqyrtuar pretendimet e ngritura.

Një nga punonjësit, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit për shkak të frikës për vendin e punës, tha se greva dështoi që të nesërmen, pasi punonjësit u kontaktuan nga zyrtarë të bashkisë që premtuan kushte më të mira dhe një pagë të 13-të. Ai tha gjithashtu se njëri prej organizatorëve u penalizua, duke u transferuar në turnin e natës.

“Kur vajta ditën tjetër te parku (vendparkimi i automjeteve të pastrimit të bashkisë ku nisi greva e punonjësve), nuk ishte asnjë nga kolegët, ishin shpërndarë në punë. I kishin marrë në telefon që atë natë. Kështu u detyrova edhe unë të nis punën, se e kemi bukën e gojës,” tha punonjësi.

“Ta gjejnë kleçkën këta e të heqin nga puna”, shtoi ai duke iu referuar eprorëve.

Një tjetër punonjës, pjesëmarrës i grevës i tha BIRN se punonjësit ishin takuar ditën tjetër me zyrtarët e bashkisë, ku u ishte premtuar se do t’u jepet paga e 13-të dhe do të furnizoheshin me mjete dhe veshje shtesë për të përmirësuar kushtet e punës.

“Jo, ne e ndaluam grevën se ata na premtuan pagë të 13-të. Na thanë që do sjellin veshje dhe pajisje të reja dhe do përmirësojnë kushtet e punës. Tani s’e dimë kur do na e hedhin pagën këtë vit apo nga fillimin e vitit tjetër,” tha Enver Licaj, punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit në Bashkinë e Fierit

Emiljano Skenda, drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit në bashki, i pranon problemet e denoncuara nga punonjësit, por tha se ata po përpiqeshin që t’u jepnin zgjidhje.

“Ajo që kemi bërë menjëherë pas protestës se punonjësve, e cila duhet ta theksoj, mund të ishte shmangur nëse punëtorët do të drejtoheshin fillimisht në drejtori sepse do t’i kishim dhënë zgjidhje problematikës, është se kemi shlyer dhe po shlyejmë, pagesat e orëve shtesë dhe lejet vjetore të prapambetura,” tha Skenda.

Skenda pranoi se punonjësve u ishte premtuar një pagë e 13-të, por tha se kjo nuk ishte kompetencë e ndërmarrjes dhe ai thjeshtë e dinte që po diskutohej. Skëndaj tha se menjëherë pas grevës punonjësit ishin pajisur me uniforma të reja dhe shtoi se kishte vetëm pak javë në detyrë, duke lënë të kuptohet se s’kishte pasur dijeni për problematikat.

Për më shumë se dy javë pas fillimit të grevës dhe denoncimit të trajtimit të padrejtë në punë, punonjësit thanë se nuk u kontaktuan nga Inspektorati i Punës dhe se askush veç zyrtarëve të bashkisë nuk u interesua për ta.

“Nuk na ka kontaktuar asnjë tjetër përveç takimit që patëm me drejtuesit në bashki, ku na thanë se do na paguajnë vështirësi pune, pagë të 13-të, do na paguajnë për orët shtësë dhe do na japin pajisje të reja, veshje etj”, tha Enver Licaj për BIRN.

BIRN mësoi se Inspektorati i Punës u vu në lëvizje vetëm dy javë pas grevës. Drejtoresha e Inspektoriatit për rajonin, Tereza Lacaj tha se inspektimi si procedurë nis kryesisht sa herë ka pretendime apo denoncime nga punonjësit. Ajo tha se inspektimi për rastin nisi të hënën më 2 dhjetor dhe se vonesa vinte pasi ata ishin angazhuar në një procedurë tjetër.

“Ne jemi duke u marrë me një tjeter inspektim këtë periudhë, ndaj rasti i punonjësve të bashkisë së Fierit do të hapet sot si procedurë. Inspektimi në të tilla raste kërkon kohë, por ajo që mund të themi në këtë moment është se pretendimet e punonjësve, edhe kur ato bëhen vetëm në media, janë shkak për nisjen e procedurës së inspektimit,” tha Lacaj për BIRN.

Ndërmarrja e Pastrimit në bashkinë e Fierit ka 150 punonjës që paguhen me pagën minimale prej 40,100 (bruto) lekësh, por brigada e pastrimit të zonave rurale punon në kushte të vështira për shkak të mungesës së mjeteve dhe heqjes së koshave në zonat rurale./BIRN

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.