Shkarkimi i Sonila Bejtjas/ Kushtetuesja shkel Kushtetutën, përplasje mes gjyqtarëve: Shkelet shteti i së drejtës

Shkarkimi i Sonila Bejtjas/ Kushtetuesja shkel Kushtetutën, përplasje mes gjyqtarëve: Shkelet shteti i së drejtës

Shumica e Kushtetueses vendosi ligjin e skaduar para Kushtetutës! (Vendimi skandaloz)

Gjyqtarët kushtetues, Holta Zaçaj dhe Gent Ibrahimi, vlerësojnë se ndërprerja e parakohshme e mandatit të koleges së tyre, Sonila Bejtja, shkel hapur parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike në vend. Sipas tyre, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka tjetërsuar pa asnjë bazë një praktikë të plotë dokumentare, ka zhbërë betimin e gjyqtarit para Presidentit, si edhe ka përmbysur hierarkinë e normave juridike, duke i dhënë vlerë një parashikimi ligjor përballë Kushtetutës.

Vendimi i marrë këtë të premte për gjyqtaren Bejtja ka shënuar një krisje shumë të fortë mes 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke shënuar një nga pikat më të errëta historike në vendimmarrjen e institucionit që, në letër, është garanti kryesor i Kushtetutës.

Gjyqtarja Sonila Bejtja ishte emëruar në detyrë si vijuese e mandatit të plotë të ish-gjyqtarit Besnik Muçi dhe mandati i saj përfundonte në shtator 2028.

Por shumica prej 5 anëtarësh e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Marjana Semini, vendosi se mandati i saj përfshihej në skemën e përtëritjes 3-vjeçare dhe se ai përfundonte në vitin 2025.

Sipas një interpretimi pa bazë kushtetuese, shumica vendosi që mandati i Sonila Bejtjas të llogaritej se ka nisur në vitin 2016, kur përfundoi mandati i gjyqtarit Sokol Berberi, vendin e të cilit e zuri Besnik Muçi në vitin 2019.

Shumica e Gjykatës Kushtetuese ka shkuar shumë pas në vite për të justifikuar ndërprerjen antikushtetuese të mandatit të gjyqtares Bejtja. Por vendimi i shumicës, i cili është vetëm dy faqe argument, ka lënë shumë gjurmë që tregojnë për një vendimmarrje totalisht të padrejtë.

Këtë e kanë konstatuar dy gjyqtarët e pakicës, Holta Zaçaj dhe Gent Ibrahimi, të cilët janë treguar shumë të ashpër me kolegët e tyre.

Në mendimin e tyre, i cili zë pjesën më të madhe të vendimit prej 9 faqesh, gjyqtarët e pakicës shprehen:

“Shumica i ka dhënë epërsi parimit të përtëritjes së pjesshme të Gjykatës ndaj një parimi tjetër po kushtetues, atij të kohëzgjatjes së mandatit, por duke mos marrë në konsideratë as parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.”

Më tej, gjyqtarët Zaçaj dhe Ibrahimi vijojnë:

“Gjyqtarja Sonila Bejtja ka kandiduar, ka pranuar dhe është emëruar si zëvendësuese në një mandat të plotë 9-vjeçar, gjë që as në atë moment dhe as gjatë ushtrimit të këtij mandati nuk është vënë asnjëherë në diskutim, as nga organet e emërtesës, as nga ndonjë organ tjetër.”

Sipas tyre, qëndrimi i shumicës dhe interpretimi se mandati fillon në ditën e deklarimit të mandatit kushtetues, i lidhur me datën e mbarimit të mandatit të gjyqtarit që zëvendësohet, “ka zhbërë nenin 125, pika 3 dhe nenin 129 të Kushtetutës, duke asgjësuar betimin përpara Presidentit dhe dekretin si akt, si parakusht për fillimin e detyrës — e vetmja ngjarje me pasoja kushtetuese në fillimin dhe mbarimin e mandatit/qëndrimit në detyrë për 9 vjet të gjyqtarit kushtetues.”

Gjyqtarët Zaçaj dhe Ibrahimi konstatojnë gjithashtu se, për të ndërprerë parakohe mandatin e anëtares Sonila Bejtja, shumica e Kushtetueses ka krijuar koncepte të reja që bien ndesh me vetë Kushtetutën.

“Kjo Gjykatë, në respekt të parimit të vetëpërmbajtjes, nuk mund të bënte përmes interpretimit të saj atë që vetë kushtetutëbërësi nuk ka dashur ta bëjë”, konkludojnë gjyqtarët në pakicë.

Gjykata Kushtetuese u përfshi në këtë vendimmarrje dhe përplasje pasi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kërkoi prej saj në janar 2025 që të interpretonte kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.