Shkarkimet në administratë/ PD: Qeveria “Rama” vazhdon të injorojë Gjykatën

Florenc Drizari

 

Deputeti demokrat, Pollo: Qeveria “Rama” thellon edhe më shumë paligjshmërinë, duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese

 

 

selia-e-pd-se-262x200Partia Demokratike ngriti dje shqetësimin se qeveria po vazhdon shkarkimet nga puna në administratën publike edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të zbardhur pak ditë më parë; vendim i cili rrëzoi aktin normativ të Këshillit të Ministrave të miratuar që në fillimet e mandatit të saj.

Në një dalje publike për mediat, deputeti i PD-së, Genc Pollo, tha se qeveria “Rama” vazhdon të injorojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas përfaqësuesve të së djathtës, vendimi i Kushtetueses ka shpallur të paligjshme spastrimet në administratë. Në deklaratën e tij, deputeti Pollo theksoi se pak ditë më parë është shkarkuar nga detyra drejtorja e Agjencisë së Prokurimit Publik pa asnjë arsye, motiv apo referencë ligjore; pa i vënë në dispozicion asnjë shkresë apo dokument. Me këtë njoftim, Pollo nënvizoi se njihen gjerësisht reformat dhe rezultatet e arritura tek ne në fushën e prokurimit publik.

“Nga janari i vitit 2009, 100 për qind e prokurimeve publike kryhen në mënyrë elektronike.

Qeveria e PD-së mori çmimin e dytë në botë, dhënë nga Kombet e Bashkuara, për Shërbime Publike, me motivin: “Përmirësimi i transparencës, përgjegjshmërisë dhe gatishmërisë në shërbimin publik”.

Të gjitha këto arritje u përmbushën falë përkushtimit të punonjësve të Agjencisë, por edhe falë mbështetjes teknike e financiare të partnerëve, si Komisioni Evropian apo USAID.

Qeveria “Rama”, me shkarkimet e paligjshme, jo vetëm që nuk njeh këto rezultate dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, por thellon edhe më shumë paligjshmërinë duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e detyron atë të ndalojë këto praktika”, – theksoi deputeti demokrat.

Ndërkaq, mes pozitës dhe opozitës ka pasur shkëmbime të ndërsjella akuzash lidhur me lëvizjet nga puna në administratë. Nga ana e mazhorancës, shkurtimet nga puna janë argumentuar me uljen e shpenzimeve dhe nga krahu i djathtë, pushimi i punonjësve bëhet për shkaqe politike. Shpesh herë përfaqësues të Partisë Demokratike kanë akuzuar krerët e qeverisë për shkarkime masive nga puna për të punësuar militantë partiak. Por çështja e shkarkimeve nga puna në administratë dhe emërimet e reja, mes PS-së dhe PD-së nuk kanë mbetur vetëm në formën e akuzave të ndërsjella. Më herët PD ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese aktin normativ të qeverisë për shtyrjen e efekteve me 6 muaj të ligjit “Për nëpunësin civil”. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese zbardhi edhe arsyetimin ligjor se përse kishte rrëzuar aktin normativ të qeverisë, duke argumentuar se Këshilli i Ministrave kishte cenuar balancën e pushteteve dhe Kuvendi i Shqipërisë kishte shkelur procedurat me miratimin e aktit me procedurë të përshpejtuar. Me zbardhjen e vendimit, përfaqësues të qeverisë nisën konsultat me partitë e vogla parlamentare për gjetjen e mekanizmave në plotësimin ligjit me akte nënligjore. Nga ana e qeverisë iu bë thirrje edhe opozitës për të qenë bashkëpunuese në këtë pikë, por Partia Demokratike e kundërshtoi këtë nismë, duke vënë theksin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohen nga përfaqësi parlamentare, por ato vetëm zbatohen.

 

 

PD: 10-ditëshi i Tahirit, masë qesharake e një ministri qesharak

 Partia Demokratike kundërshtoi dje nismën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për dënim me 10 ditë burg për shoferët që konsumojnë alkool gjatë drejtimit të mjetit. Në një deklaratë për mediat pasditen e djeshme, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha se nisma e ministrit të Brendshëm bëhet për të larguar vëmendjen nga situata e rënduar e aksidenteve dhe viktimave në rrugë. “Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zbuloi sot Amerikën, kur tha se do të eliminojë aksidentet në rrugë, duke e bërë dënimin minimal për shoferët e dehur, me 10 ditë burgim. Por kjo është një masë qesharake e një ministri qesharak. Aktualisht, dënimi minimal për shoferët që kapen të dehur, është 5 ditë, sipas Kodit Penal. Pra ministri, dënimin me 5 ditë, kërkon ta bëjë 10 ditë. Kjo është reforma e madhe e Tahirit. Por ministri duhet të tregojë se sa shoferë të dehur janë ndaluar deri tani, dhe sa janë dërguar në Prokurori për procedim penal. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje qesharake dhe e dënueshme për të larguar vëmendjen dhe përgjegjësitë nga aksidentet e shtuara në vend, nga numri i rritur i viktimave në rrugë dhe nga paaftësia ministrit për të bërë reformat e duhura”, – u shpreh Vorpsi.

 

 

 

Share it :