Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka deklaruar se do të përfaqësojë demokratët në Kuvendin e datës 11, për shkak se ky është vullneti i tyre dhe këtë gjë e ka konfirmuar kur verifikoi fimat e delegatëve, për mbledhjen e Kuvendit.
Shehaj tha se është sulmuar nga mbështetësit e Bashës, që prej momentit kur ai kandidoi për kryetar të kësaj partie dhe se de facto ka qenë i përjashtuar dhe mënjanuar nga partia.
Agron Shehaj: Unë telefonova personalisht pothuajse të gjithë delegatët që kanë firmosur për Kuvendin e datës 11 dhjetor. Pothuajse të gjithë, 98% me konfirmuan se ata kanë firmosur. I telefonova pa i paralajmëruar apo përzgjedhur. Është e qartë që firmat, duam po nuk duam, ato janë aty. Kush do të verifikojë, mund të shkojë t’i marrë dhe ti verifikojë. Unë zgjodha njësitë 5 dhe 7, sepse kam drejtuar aty dhe pjesën më të madhe e njoh.
Ylli Rakipi: Media e pushtetit që mbron Lulzim Bashën tani, ju bëri edhe një kurth. Pse mendoni se kryeministri dhe qeveria vendosen në mbështetje të Lulzim Bashës?
Agron Shehaj: Është e qartë që mediat e pushtetit do të mbrojnë më të dobëtit. Në PD ka një përcarje. Rama nuk do të mbështesë Bashën apo Berishën sepse ka dashuri për ta. Por ai ka interesin e vet, të mbështesë palën më të dobët. Pala më e dobët qartësisht është Lulzim Basha. Nuk ishte ndonjë zbulim i madh fakti që firmat janë dhe janë shumë më tepër seç duhet.




