Sebastiano Vasali, një shkrimtar italian jo fort i rehatshëm

 

110913461-381b55dd-65ab-45ab-920d-302b18d16315

“Për t’i kërkuar çelësat e së tashmes dhe për ta kuptuar atë, duhet të dalësh nga zhurma dhe të shkosh në zemër të natës dhe të zbrazëtisë”. Vasali lindi në vitin 1941 në Xhenova. U diplomua për gjuhë dhe letërsi dhe nga viti 1960-63 iu përkushtua mësimdhënies. Më vonë iu drejtua letërsisë dhe në veçanti tregimit dhe romanit historik, duke u impenjuar në një “hetim letrar të rrënjëve dhe të shenjave të një të shkuare që ta ndriçojë shqetësimin e të sotmes dhe të rindërtojë karakterin kombëtar të italianëve”, – shkruan Roberto Cicala.

Ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare, më datën 27 korrik të këtij viti, pak muaj pasi kishte marrë kandidimin për Çmimin “Nobel” për vitin 2015, një shkrimtar i madh i Italisë bashkëkohore. Është shkrimtari italian më i përkthyeri jashtë. Vasali është pjesë e rrethit të gjerë të shkrimtarëve që kanë mbetur gjithmonë të lidhur me tokën e vendlindjes, në këtë rast me Novarën, një territor mes fushave, orizoreve dhe maleve në horizont që përfaqësonte një humus të vërtetë për formimin e tij letrar. Jo rastësisht mes pasioneve të tij të mëdha ishte poeti i mallkuar Dino Kampana, për të cilin shkroi romanin “Nata e kometës”. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në formimin e tij ishte fakti se në moshë të re e braktisën prindërit, ngjarje që e kishte bërë disi të paafrueshëm, ndonjëherë polemik, shumë të rezervuar dhe larg nga kërkimet me tejdukshmëri të lehtë.

Që i ri aderoi tek Neoavangarda e Grupit 63, por nga prozat eksperimentale kaloi tek romani historik, duke hetuar rrënjët e Italisë dhe duke na dhuruar faqe shumë të bukura.

Arrinte ta hetonte historinë e shkuar me vëmendje të madhe dhe aftësi, duke eksploruar lajmet më origjinale, duke bërë sondazhe në terrenin e besimeve të fshatit dhe popullore, duke u thelluar tek traditat gojore, duke treguar gjithmonë ngjarje që në mënyrë të pabesueshme gjejnë referim në histori dhe në shoqërinë bashkëkohore.

Vasali konsideron se shkrimtari më i mirë është ai, ku krijimtaria e tij gjithmonë është e harmonishme, e thjeshtë, lineare, ku shkrihet me ngjarjet historike apo shoqërore të treguara, ku mjedisi, natyra dhe simbolet e një territori në evolucion të përjetshëm, e shoqërojnë tregimtarinë e tij. Libri i tij më i mirë është “Kimera”, fitues i Çmimit Strega” dhe Campiello në vitin 1990, ku rimerr historinë e dokumentuar të një vajze të bukur dhe djallëzore, të viteve ‘600, në një lagje të vjetër, në këmbë të Malit Rozë. Tek libri “Marko dhe Matio”, botuar në vitin 1992, rindërton një rast psikiatrik të viteve të para të viteve ‘800, midis Dolomiteve beluneze, me momente të mëdha tregimtarie dhe një përshkrim të Venecias dhe të peizazhit të lagunës që ende të emocionon. “Mjellma”, botim i vitit 1993, ku rindërton me kujdes skandalin e Bankës së Sicilisë në fund të viteve ‘800. “Zemër prej guri”, u botua në vitin 1996, ku përballet, me shumë origjinalitet, me ngjarjet dhe ideologjitë italiane, duke filluar nga bashkimi i Italisë.

“3012 viti i profetit” 1995, një provë origjinale e autorit që kalon tek fantashkenca apo fantapolitika dhe, në këtë rast, në mënyrë bindëse, duke hyrë në një letërsi ndryshe, pikërisht tek fantashkenca që është pak e lëvruar në Itali.

Pas disa librave jo në lartësinë e të parëve, duke u kthyer tek origjina, tek mjedisi i tij i preferuar, vjen me librin “Dy kishat”, të vitit 2010, ku flet për historinë e një vendi jo të përcaktuar qartë, që nga Lufta e I deri në ditët tona. Tek kjo punë e shkëlqyer shohim Vasalin historik që lexon historitë e vendlindjes, peizazhet e qytetit dhe të fshatit dhe tregon histori të fshatit dhe tradicionale shpesh të vërteta dhe përfshirëse.

Në vitin 2012 doli libri “Ta blesh diellin”, ku shkruan një lloj përralle, por nuk tregon vendin, kohën, as ndonjë vend të dallueshëm, ku zhvillohen ngjarjet e Nadias, 25 vjeçare, që zbulon se kishte fituar 21,6 milionë në lotari, para që nuk do t’i gëzojë dot, por përkundrazi e çuan në fatkeqësi. Një libër që është një analizë e pashpirt dhe ndonjëherë ironike e të këqijave të shoqërisë së sotme titullohet, “Toka të egra”, i vitit 2014, ku flet për një udhëtim në kohë, në një Itali ende misterioze, në kohën e Romës së lashtë dhe që është vepra e tij e fundit tregimtare; autori ia del përsëri ta lexojë të shkuarën, por pa e humbur kurrë nga sytë të tashmen.

Sipas Roberto Cicalas “historitë e tij janë derëza e artë, të rrëmuara mes shumë enëve prej balte buzë lumit të Tokës me ujëra, të mbledhura në shtëpinë e tij në Marangana, vend i memories që nga qeramikat në mur në fasada…: fragmente historish të harruara dhe të rikuperuara nga një shkrimtar që, edhe për këtë, është me librat e tij një pasuri e çmuar dhe e gjallë e identitetit të fushës sonë të madhe para maleve”.

Me vdekjen e Vasalit, Italia humbi një shkrimtar jo shumë komod, ndoshta jashtë mode, por që kishte aftësinë, duke u nisur nga personazhe shpesh të çuditshëm, ndonjëherë jonormalë, gati protagonistë të fshehur në tregimtari, të na shfaqte me efikasitet epokat tonë të çuditshme, por të veçanta të vendit që quhet Itali.

Përgatiti: Arjan Kallço

 

 

Share it :