Samiti i Vjenës/ Ja projektet e qeverisë shqiptare. Merkel “harron” Ramën, zgjedh Vuçiçin

Gëzim Saliu

Rama_Vucic

Ditën e sotme nis punimet samiti i Vjenës, i cili do të mbledhë së bashku për dy ditë liderët e Ballkanit Perëndimor si edhe ministrat e Integrimit dhe ata të Jashtëm të vendeve përkatëse. Ky samit, ku vendet e Ballkanit do të paraqesin projektet e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, merr rëndësi parësore në kuadër të mbështetjes së Gjermanisë me përfaqësuese Kancelaren Merkel dhe BE-në e cila do të përfaqësohet nga kryesuesja e politikës së jashtme Federica Mogherini. Ndërkaq, Ministria e Jashtme Shqiptare ka bërë të ditur se në këtë samit, Shqipëria do të kërkojë mbështetje në katër fusha kryesore: në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimim dhe edukim, si dhe në turizëm. Nga ana e tij kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati ka deklaruar se në Tiranë pritet të jetë selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku do të synohet përfshija e të gjitha vendeve të rajonit në këtë fond me qëllim dhënien e ndihmës në hartimin dhe në financimin e projekteve. Në samitin e Vjenës pritet të miratohet platforma për të inkurajuar dhe mbështetur mobilitetin e të rinjve, programet e shkëmbimit dhe të trajnimeve profesionale, duke përfshirë forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fusha si siguria energjetike, transporti, infrastruktura dhe turizmi.

 

Ndryshimi i “liderit”

Që prej samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku Merkel zgjodhi që në konferencën për shtyp të shoqërohej nga Kryeministri Rama, kreditet e këtij të fundit u rritën ndejshëm në arenën rajonale. Por duket se gjendja aktuale me azilkërkuesit ka ndikuar negativisht në marrëdhënien mes Kancelares dhe Kryeministrit shqiptar. Për të vërtetuar edhe më shumë këtë fakt mjafton të shohësh se në axhendën e zbardhur të samitit të Vjenës vërehet se Merkel do të shoqërohet në konferencën përmbyllëse të ditës së nesërme nga Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Ndoshta kjo mund të jetë edhe një “turn-over” për kreun e qeverisë shqiptare, i cili do të duhet t’i hapë rrugë tashmë homologut serb, por ajo që mbetet problematike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është pikërisht numri i lartë i azilkërkuesve. Ndërkohë, kujtojmë se në vizitën e saj në Shqipëri, e pyetur nga media shqiptare nëse ishte Kryeministri Rama dhe Vuçiç dy liderët e Ballkanit, Merkel pohoi me mjaft elegancë: “Ballkani nuk ka nevojë për lider, lider është demokracia”.

 

box

Axhenda e diskutimeve në samitin e Vjenës

  1. Sipas agjendës së samitit të Vjenës, më 26 gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”. Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës.
  2. Dita e parë e samitit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake ekipin e “Të Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë Kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij, Arban Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova Hashim Thaçi, nga Maqedonia Kryeministri Gruevski dhe nga Serbia Kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn.
  3. Dita e dytë e samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë Kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Evropiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
  4. Më pas ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tri çështje: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogu fetar, përfshi antiekstremizmin.
  5. Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner.
  6. Në përfundim të samitit, kancelari austriak Faymann, Kancelarja gjermane Angela Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Share it :