Nebil Çika
Zgjedhjet mbaruan, PD humbi, por lufta kundër saj ende vazhdon. Analiza e debati paszgjedhor ka në qendër pikërisht opozitën. Ajo vazhdon të fajësohet për gjithçka që ndodhi dhe më shumë prej atyre që me zell të madh u përpoqën me mish e shpirt për humbjen e saj. Analistë, gazetarë, politikanë etj. të përfshirë në debatin paszgjedhor vazhdojnë të përqendrohen tek opozita, edhe pse çështja apo pyetja nuk ka lidhje fare me të. Ka një kryqëzatë keqdashësish kundër PD-së në mënyrë të veçantë lidershipit të saj, që në shumicën e rasteve kanë qenë kundërshtarë më shumë se politikë të tyre. Por sigurisht ka edhe një tjetër kategori që kritikojnë fort lidershipin e PD-së, po krejtësisht nga pozita të kundërta me kundërshtarët tradicionalë të PD-së. Ata fajësojnë PD-në për humbjen e zgjedhjeve të nisur nga vullneti i mirë apo nga dëshira për të fituar, gjë që jo gjithnjë është një mundësi absolute.
Pyetja që bëhet është: Sa mundësi kishte PD t’i fitonte këto zgjedhje?! Në kushtet në të cilat ato u zhvilluan mund të themi me siguri që PD nuk kishte asnjë mundësi fitoreje dhe kjo, jo tërësisht për faj të saj. Por sigurisht që edhe PD-ja ka përgjegjësinë e saj, ndoshta jo të humbjes në shkallë kombëtare, por të paraqitjes së saj në këto zgjedhje shumë larg mundësive dhe vlerave politike e elektorale. Duhet pranuar që PD erdhi në këto zgjedhje pas një humbjeje tronditëse dy vjet më parë dhe me një lidership të ri pa përvojën e nevojshme për të fituar zgjedhje në kushtet e Shqipërisë verbale një kundërshtari diabolik me përvojë politike 70-vjeçare me një strukturë politike që në themele kriminale. Sigurisht që beteja e të djathtës me të majtën që nga viti 1991 ka qenë gjithnjë në kushte të pabarabarta, por disa herë PD-ja ia ka dalë ta marrë pushtetin. Kështu, pabarazia nuk ka qenë pengesë e pakapërcyeshme, megjithëse këtë radhë hendeku ishte shumë i madh. Harta elektorale ishte pa dyshim disavantazhi më i madh i opozitës në këto zgjedhje, e favorizuar dukshëm edhe nga mospjesëmarrja e saj, me të drejtë apo jo, në reformën administrative. PD u fut në zgjedhje me një hartë të parapërgatitur politikisht për të favorizuar të majtën, gjë që funksionoi me sukses të plotë.
Besoj se një nga problemet e tjera të opozitës në këto zgjedhje ishte prishja e raportit në KQZ, ku kryetarja e zgjedhur prej saj u bë palë me qeverinë, duke krijuar përveç të tjerash idenë te publiku se fitorja e opozitës do të ishte e pamunduar.
Blerja e votës u përcaktua që në fillim si problemi i madh i këtyre zgjedhjeve gjë që shkonte kryekëput në dëm të opozitës dhe rezultatit të saj në zgjedhje. Blerja kishte përcaktuar në njëfarë mënyre edhe humbjen e thellë të vitit 2013, por atëherë ky faktor u anashkalua, pasi humbja iu faturua qenies për tetë vjet në pushtet të PD-së. Fenomeni i blerjes u bë gangrena dhe debati kryesor i këtyre zgjedhjeve. Opozita kishte pak apo aspak mundësi për ta ndaluar fenomenin, por edhe përpjekjet e saj për ta penguar atë nuk shkuan në maksimumin e mundësive. Bërja ndërkombëtare e kësaj çështjeje mund të konsiderohet si një sukses i PD-së, por nuk mund të thuhet se ishte e mjaftueshme për ndalimin e ndikimit të saj në rezultatin e zgjedhjeve.
Opozita arriti të bënte diferencën në cilësinë e kandidatëve, të cilët në shumicën e rasteve arritën të merrnin vota shumë më shumë se koalicioni opozitar. PD i qëndroi besnike kauzës së saj të dekriminalizimit, duke tërhequr të vetmin kandidat të përfolur për rekorde kriminale, ndërkohë që qeveria nuk i tërhoqi të sajët megjithëse sipas prokurorisë dhe ndërkombëtareve i kishte në masë të konsiderueshme.
Mirëpo fushata e PD-së pati edhe shumë probleme, e konceptuar si pozitiviste ajo nuk iu përgjigj realitetit agresiv të politikës shqiptare, veçanërisht të kundërshtarit të majtë. Ekipi i ri i Bashës ishte pa përvojë dhe në shumicë me qasje të dukshme liberale apo të majtë, filozofia dhe politika e të cilit nuk përputhej me mendësinë dhe interesat e elektoratit. Defekti i madh ishin të deleguarit në rrethe (shefat e fushatës) në të shumtat e rasteve pa ndonjë lidhje me zonat që mbulonin, duke mos kuptuar mentalitetin dhe veçanërisht karakteristikat politike e elektorale të zonave. Një pjesë e mirë e tyre ishin politikanë të vjetër të PD-së, të dështuar, se nuk kanë bërë kurrgjë apo të diskretituar si politikanë apo zyrtarë të qeverisjes së PD-së. Nuk e kuptoj se çfarë mund t’i ndihmonte PD-së në Himarë, vendi me problemin më të madh të tij, regjistrimin e pronave, i kthyer pothuaj në një konflikt civil, ish-drejtori i Hipotekave, Arben Qiriako, përgjegjësi kryesor i kësaj katrahure kriminale. Rezultati katastrofal i PD-se në këtë bashki flet vetë, e njëjta gjë mund të thuhet për Tritan Shehun në Gjirokastër etj., politikanë të dështuar pa ndonjë lloj gjurme, edhe pse kanë kryer detyra të larta në PD, të cilët kur Basha mori PD-në u mendua se shumë nga skoriet politike në PD do të largoheshin, gjë që nuk ndodhi. Një tjetër problem ishte mosangazhimi i shumicës së zyrtarëve të qeverisë, biznesmenëve të pasuruar në qeverisjen e PD-së si dhe media të mbështetura financiarisht nga ajo një pjesë e mirë të cilëve dolën kundër.
PD erdhi në këto zgjedhje me problemin e madh historik, mungesën e analizës për humbjet. 2013-ta u mbyll me autopërgjegjësinë e Berishës, ndërkohë që procesi i zgjedhjeve të reja e shmangu tërësisht analizën dhe nxjerrjen e përgjegjësive një gjë që më shumë se anëtarësia e priste elektorati. Prurjet e reja të Bashës pas hapjes pa kriter politik e ideologjik dhe politike të dyerve të PD-së kryesisht liberale a pa njohje personale të lidershipit sollën në krye të PD, një staf pothuaj të huaja për anëtarësinë dhe elektoratin. Përzgjedhja e kandidatëve, madje edhe e atyre për këshilla u mor përsipër nga lidershipi, por procesi u shoqërua nga mungesa e transparencës, gjë që ngjalli pakënaqësi tek anëtarësia dhe kandidatët në garë brenda partisë, duke stimuluar indiferencën dhe në shume raste përçarjen. Reforma strukturale e re e PD-së nuk funksionoi si duhet dhe kjo u vu re në Tiranë me 13 degë partie ku kaosi dhe çorganizimi ishin prezent ne te gjithë fushatën.
Fushata kombëtare ajo që stonoi më shumë se të gjitha. Basha u mundua të bënte një fushatë ndryshe, të qetë e qytetare, në një terren që nuk ishte aspak i tillë. Kundërshtari ndërkohë ishte agresiv dhe armiqësor me çdo njeri që mendohej se mund të votonte për PD-në. Kandidatët e opozitës fyheshin e kërcënoheshin, ndërkohë që qytetarët mallkoheshin nëse do të votonin PD-në. Kjo klimë terrori krijoi stepjen dhe elektoratit e ndihmuar edhe nga pamundësia e opozitës për përballu presion e qeverisë. Javën e fundit Basha i ngriti tonet, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur efektin elektoral të terrorit psikologjik të Ramës dhe Metës. Fushata kombëtare ishte pa dyshim problem i madh pasi nuk mundi të krijonte një frymë fitoreje e vetmja mënyrë për të përballuar kushte e pabarabarta të këtyre zgjedhjeve.
Këto që thashë nuk janë një justifikim i humbjes e asnjë gijotinë për humbësit. Por mendoj se humbja në këto kushte ishte e pashmangshme, por edhe thellësia e saj e pajustifikueshme. Në këtë situatë, mendoj se PD ka ende mundësi të rikuperojë forca e të rikthehet në pozicion e saj së pari politik e ideologjik e së dyti në forcë fituese. Ky është ndoshta shansi i fundit i saj. Sigurisht që unë hyj tek ata që nuk mendojnë shkatërrimin dhe shpresojnë tek forcimi apo ringritja. E ka bërë në kushte shumë më të vështira në 1997, pse të mos e bëjë edhe tani.




