RTSH: mes detyrimit publik dhe prangave politike

RTSH: mes detyrimit publik dhe prangave politike

Nga Lutfi Dervishi

Radio Televizioni Shqiptar nuk financohet nga buxheti i shtetit dhe as drejtpërdrejt nga taksat e përgjithshme. Financimi i tij vjen nga një tarifë modeste, më pak se 1 euro në muaj për çdo familje. Këtu nis edhe paradoksi i parë: 10 për qind të kësaj tarife, më e ulëta në kontinent, e mban vetë shteti në rolin e agjentit tatimor. Me këto thërrime financiare, ne kërkojmë shërbim publik të nivelit nordik dhe pastaj habitemi pse ky standard nuk arrihet kurrë.

RTSH-ja e ka provuar se reforma është e mundur. Periudha 2016–2021 (drejtimi i Thoma Gëllçit) dëshmoi se institucioni mund të lëvizë, të modernizohet dhe të kapë formatet e kohës.

U hartuan parimet editoriale, u hartua strategjia e zhvillimit dhe plani i biznesit të cilat u hodhën në kosh menjëherë pas ndërprerjes së dhunshme të reformës në RTSH.

RTSH nuk kishte asnjë qindarkë borxh dhe kishte një pakete te plote sportive- deri edhe champion league)

Edhe pse nuk ishte një sukses absolut, ishte një përpjekje serioze që publiku e ndjeu dhe e mbështeti. Për herë të parë, transmetuesi publik po kthehej në një alternativë dinjitoze.

Megjithatë, në kalimin teknologjik nga analogu në digjital, ndodhi “çudia” tipike shqiptare. Ndërsa qeveria subvencionoi me miliona euro grante transmetuesit kombëtarë privatë, RTSH-ja, që mbante barrën kryesore të këtij transformimi, u ngarkua me një kredi prej 25 milionë eurosh. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbi këtë kredi shteti i faturoi edhe rreth 4 milionë euro TVSH, në kundërshtim me frymën e ligjit. Bilanci ishte i qartë: privatët u subvencionuan, ndërsa publiku u faturua.

Goditja e radhës erdhi përmes ndërhyrjes brutale politike – dhe të SPAK, – çështja e famshme “RTSH–Agro” dhe zhurma e krijuar mbi pagesën e një tenderi që u vonua 4 ditë e ktheu transmetuesin një dekadë pas.

Sot, RTSH-ja jeton me një mentalitet mbijetese. Ajo nuk guxon as të mendojë për një raportim kritik ndaj pushtetit. Nuk bëhet fjalë për censurë me shkrim, por për diçka shumë më të rrezikshme: autocensurën. Sistemi e ka trajnuar institucionin që të mos rrezikojë, duke e kthyer heshtjen në mjetin më të lirë dhe më efikas të kontrollit.

Problemi i vërtetë nuk është thjesht vonesa në reformim, por mungesa e një mbështetjeje të sinqertë politike ndër vite. Të gjithë flasin për “reformë”, por askush nuk është i gatshëm të mbrojë pavarësinë editoriale. Përkundrazi, politika vazhdon ta shkelë ligjin që në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Vetë Kryeministria e trajton RTSH-në si një infrastrukturë teknike të saj dhe jo si një pasuri kombëtare.

Në një treg mediatik ku interesat e pronarëve privatë mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur nuk është luks, por një domosdoshmëri.

RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke e mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim.

Ajo ka nevojë për një kontratë të re me publikun, të bazuar mbi transparencën, profesionalizmin dhe matjen reale të performancës. (Është vërtet humor se si në RTSH kanë hapësirë gazetarë që luftojnë orë e minute të bindin të gjallë e të vdekur nga një studio tv në tjetrën se mbështesin partinë në pushtet! Për çfarë profesionalizmi dhe besueshmërie flasim?!)

Pa besimin e qytetarëve, edhe 100 lekë në muaj duket tarifë e padrejtë; pa mbështetjen e tyre, çdo reformë do të mbetet thjesht letër.

Mbyllja është një leksion nga historia e teknologjisë. Nokia nuk u shemb sepse i mungonin inxhinierët e zotë, por sepse besoi se emri dhe statusi do ta mbronin nga ndryshimi i kohës. RTSH-ja është sot në të njëjtën pikë: ose do të reformohet me guxim për t’i shërbyer publikut, ose do të mbetet një markë që të gjithë e kujtojnë me keqardhje, por askush nuk e ndjek më.

Share it :
CEZ-DIA dhe akuzat ndaj Metës/ Avokati Zhllima: Së shpejti VIDEO-ja me politikanin që merr para! Gjyqtarja Irena Gjoka, e cila po shqyrton çështjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, gjendet në qendër të akuzave për një konflikt të rëndë interesi. Nga dokumentet e paraqitura nga avokatët e ish presidentit në konferencën për media, mbrojtësi i Metës, Gylsen Zhllima, tha se gjyqtarja Gjoka rezulton të ketë qenë kryesuese në një gjykim të vitit 2016, ku është vendosur për konfiskimin e pasurive të shtetasit Kastriot Ismailaj, një fakt që, sipas akuzës, e bën të papërshtatshme për gjykimin aktual dhe kërkonte përjashtimin e saj nga çështja. Sipas avokatit, është e pamundur që një gjykatës të mos kërkojë përjashtimin kur brenda akteve të një çështjeje gjendet një lidhje e mëparshme. Përtej këtij rasti, avokati Zhllima pretendoi se caktimi i gjyqtares Gjoka në çështje të profilit të lartë politik, ndjek një model të caktuar, situatë e cila përshkruhet si pjesë e një “plani afatgjatë” për eliminimin politik të zotit Meta, duke përdorur atë që quhet “drejtësi perceptuese” dhe jo fakte penale. Avokati parlajmëroi se së shpejti do të publikohet një material ku do të tregohet me emër dhe mbiemër një politikan duke marrë para në dorë, në kuadër të marrëveshjes së shumëpërfolur CEZ-DIA, duke theksuar se Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë. Vendimi gjyqësor i Gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda, që është kryesuese zonja Irena Gjoka, e cila ka konfiskuar pasuritë e zotit Kastriot Ismailaj. E kuptoni qartë se është e pamundur që në një proces gjyqësor dhe penal, gjykatësi mos të shikojë dhe mos të kërkojë vetë përjashtimin kur brenda akteve ndodhet emri i vetë dhe aty duhet të paktën të kërkojë që të heqi dorë për shkak se ka gjykuar në të shkuarën dhe në vitin 2016 pasurinë e personit të cilët janë i kanë konfiskuar pasurinë. Pra, e thënë me pak fjalë, për ata që besojnë tek drejtësia e pavarur e paanshme te GJKKO-ja, e cila është e pastruar nga vetingu me thonjëza, tregohet qartë që zonja Irena Gjoka është pothuajse te rasti i zotit Berisha, zotit Mediu, tek rasti i zotit Meta dhe ku ka opozitarë, zonja Gjoka është relatore dhe vendos gjithmonë në disfavor të opozitarëve. Por ajo që duhet të duket e çuditshme është kjo, e lidhur nga 2011-ta në vazhdim, që eliminimi politik i zotit Meta nuk është thjesht një plan afatshkurtër, është një plan afatgjatë dhe kuptohet që donin ta implikonin me shumë fakte penale, pra të asaj që ne themi perceptimi, pra drejtësia perceptuese njerëzore është më e rrezikshme se ajo faktike penale, por ne po paraqesim tek ju se si ata në perceptimin publik të videos së famshme të 2011-ës, në rast se do të kishte i ndjeri Dritan Prifti një fakt penal kundër zotit Meta, nuk do të bënte videon ku dyshohet që ka edhe një video për zotin Dritan Prifti, por ai do të sillte si fakt penal konkret rastin ÇEZ-DIA. Por ne do na lejoni, sepse edhe minutat janë të shkurtra, ne do na lejoni që në konferencën e radhës do ju nxjerrim një material ku duket qartë me emër dhe mbiemër politikani, i cili do të marri para në dorë nga kjo marrëveshje e famshme që është ÇEZ-DIA, që nuk ka lidhje fare i mbrojturi prej nesh zoti Ilir Meta. Pra, qartazi kërkoj regjinë, se kjo është fotografia më e mirë dhe më e bukur, pavarësisht se thamë shumë fakte të rëndësishme, se si ka mundësi që e njëjta gjykatëse të jetë edhe gjykatëse e seancës paraprake ndaj zotit Meta. Pra, i dhanë seancën paraprake, i dhanë mundësinë që të shikojë dhe të gjykojë dhe të hetojë, i nderuar koleg, në mënyrë të paanshme, të pavarur zonja Irena Gjoka, aktet kundër zotit Meta dhe ajo nuk tha të paktën një fjalë për sa i përket vendimit të 2016-ës, ku ajo vetë është e përfshirë për shkak se ka bërë konfiskimin e pasurive të Kastriot Ismailajt. Prandaj unë qëndroj në mënyrë të përmbledhur të gjithë ato që tha kolegu, por mos harroni një fakt shumë të rëndësishëm, që personi i cili ishte në kushtet e burgimit, zoti Kastriot Ismailaj, në 21.04.2022, tha qartë dhe duke qenë dhe pothuajse i kanosur nga shumë shumë faktorë të tjerë, deklaroi që midis zotit Elvis Mataj, zotit Romeo Kara dhe tij, ka pasur një marrëveshje, një marrëdhënie e cila ishte edhe monetare përveç të tjerash.