Florenc Drizari
Basha: Protestë për varfërinë, pasigurinë dhe arbitraritetin e qeverisë
Berisha: Protestë, protestë, protestë!
“Kjo qeveri që bën shurdhen dhe strucin, ngaqë nuk dëshiron të dëgjojë e të shohë, ka nevojë për një shkundje të fuqishme popullore”. Ky ishte paralajmërimi që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri dje Kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar njëkohësisht edhe mbajtjen e protestave kundër qeverisjes në datën 20 shkurt.
Në fjalën e mbajtur parë para grupit parlamentar demokrat, Basha u shpreh në mbrojtje të çdo proteste popullore kundër keqqeverisjes, papunësisë dhe situatës së rendit në vend. Në këtë kuadër, theksoi kreu i opozitës, “pas pak ditësh, në datë 20 shkurt, në 23-vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës si simbol i diktaturës, si simbol i mashtrimit, i mjerimit dhe varfërisë, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të përkujtojnë në Tiranë, bashkë me qytetarët dhe njerëzit e lirë nga gjithë vendi, këtë ngjarje të madhe, që vendosi në historinë e Shqipërisë vijën ndarëse midis demokracisë dhe të gjitha formave të diktaturës. 23 vjet më parë, duke rrezuar monumentin e Enver Hoxhës, shqiptarët e lirë vendosen distancën e përhershme jo vetëm me diktaturën si sistem, por edhe me pjellat e saj të njohura, të mbartura në forma të reja edhe në shoqërinë e lirë, siç janë varfëria, mashtrimi, arroganca, arbitrariteti dhe nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor”, – deklaroi Lulzim Basha.
Pas kësaj deklarate, kreu i PD-së kërkoi që 23-vjetori i rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës të mos jetë vetëm një përkujtim, por edhe një ditë refuzimi dhe proteste popullore kundër gjendjes ekonomike dhe një sërë vendimesh të qeverisë në raport me ligjin dhe marrëdhëniet me opozitën.
“Ky do të jetë një marshim proteste, i thirrur dhe i drejtuar nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, në të cilin do të ftojmë të marrin pjesë të gjithë njerëzit që kanë në mendje dhe në zemër flakën e idealeve demokratike të lirisë, të gjithë qytetarët që mendojnë se gjendja e tyre e jetesës dhe sigurisë po përkeqësohet, të gjithë ata që presin një punë dhe nuk po e shohin gjëkundi, as në horizontin më të largët të kësaj keqqeverisje, të gjithë ata që kanë humbur ndërkohë vendet e punës për shkak të politikave fiskale asfiksuese të qeverisë, të gjithë ata që janë mashtruar nga premtimet elektorale të Ramës, të braktisura nga vetë Rama, ish-të përndjekurit, pronarët, pensionistët që jo vetëm nuk do të kenë rritje të pensioneve, por po kërcënohen seriozisht në atë që marrin, të gjithë ata që nuk kanë shpresë e duan të kenë shpresë”, – theksoi Basha.
Duke u ndalur tek sektorët që për opozitën mbeten më shqetësues në vend, Basha theksoi situatën e vështirë ekonomike, papunësinë, shkarkimet nga puna në administratë dhe qëndrimet e qeverisë në raport me institucionet e pavarura.
Në hyrje të fjalës së tij, kreu i PD-së vlerësoi qëndrimin e deputetëve demokrat për ngritjen e komisionit hetimor në Policinë e Shtetit, duke e quajtur këtë një tërheqje të mazhorancës. Gjithashtu, Basha vlerësoi edhe vizitën e kreut të shtetit në SHBA, duke e quajtur “një lajm të mirë, pas shijes së keqe që patën krijuar ndodhitë e muajit nëntor për shkak të mungesës së transparencës dhe të papërgjegjshmërisë nga ana e kryeministrit të Shqipërisë për çështjen e armëve kimike”.
Ekonomia, tri qëndrimet e mazhorancës ndaj qeverisë
Situata ekonomike në vend pritet të jetë në fokus të opozitës në raport me qeverisjen e vendit në ditët në vijim. Këtë e konfirmoi dje kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili gjatë mbledhjes së grupit parlamentar theksoi edhe tri nga pikat ku do të mbështetet aksioni opozitar. “Duhet të vazhdojmë e do të vazhdojmë denoncimin e politikave të qeverisë në Kuvend dhe në çdo aulë tjetër të komunikimit publik me qytetarët shqiptarë. Duhet të vazhdojmë e do të vazhdojmë me tryezat tona për gjendjen e ekonomisë, për perspektivat realiste dhe jo demagogjike dhe për rrugët e daljes së saj nga qorrsokaku ku e ka futur qeveria “Rama”. Duhet të vazhdojmë e do të vazhdojmë me paraqitjen e alternativave tona”, – ka thënë Basha në mbledhjen e djeshme të grupit të PD-së.
Reagimi i Bashës për punimet në Rrugën e Elbasanit
Pas inspektimeve të punimeve nga kreu i qeverisë, Edi Rama, në Rrugën e Elbasanit, reagoi edhe kreu i PD-së, Basha, duke thënë se “Kryeministri me shpurën e ministrave ka filluar të rivizitojë nga 3-4 herë të njëjtin segment në rikonstruksion te Rruga e Elbasanit apo vepra të tjera të papërfunduara. I ka anatemuar dhe është përpjekur të bllokojë me çdo mjet fillimin e tyre kur ishte në opozitë, shkon dhe i anatemon përsëri që nuk kanë përfunduar, duke harruar se çdo vepër ka një afat për t’u realizuar. Në vend që të na falënderojë që këto projekte janë përgatitur, janë financuar, janë hapur dhe janë drejt përfundimit, kantiere ku mund të punojë dhe të kompensojë mungesën totale të projekteve nga vetë qeveria e tij, është vënë në kërkim të gropave dhe pellgjeve duke u bërë gazi i botës”. Gjithashtu, Basha akuzoi qeverinë se 660 milionë dollarë të planifikuara në buxhet si investime kapitale do të shpenzohen për të kënaqur lobet pranë qeverisë dhe jo për të mirën e qytetarëve.
Berisha: 20 shkurti, fillimi i sezonit të protestave më të fuqishme në historinë e vendit!
Protestë, protestë, protestë! Ky ka qenë qëndrimi i ish-kryeministrit Sali Berisha pas qëndrimit të shpallur publikisht nga grupi parlamentar i PD-së, për mbajtjen e protestave më datën 20 shkurt. Në një koment të bërë në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se “20 shkurti, dita e përmbysjes se shtatores të diktatorit barbar dhe busteve të gjalla të bllokmenëve hoxhistë, fillimi i protestave për fundin e regjimit të neobllokmenëve që erdhën në pushtet duke premtuar krijimin e 300 mijë vendeve pune dhe shkatërruan e po shkatërrojnë dhjetëra mijëra vende punë, premtuan shërbim shëndetësor falas, legalizime falas por mashtruan dhe vetëm mashtruan. Premtuan ulje të taksave për 97% të shqiptarëve, ulje të çmimeve për të gjithë qytetarët dhe rriten taksat dhe çmimet për të gjithë shqiptarët, premtuan heqje të TVSH-së për ushqimet dhe energjinë dhe vendosën faturën aforfe duke detyruar qindra mijëra familje të paguajnë 2.5 herë më shumë për energjinë sesa kryeministri dhe ministrat e vendit. Protesta, ngadhënjimi i qytetarëve të mashtruar, qytetarëve që çdo ditë varfërohen dhe humbasin vendet e punës. Bijtë meritojnë fatin e etërve të tyre barbarë! Miq, të gjithë në protestë!! sb”, – ka shkruar ish-kryeministri Berisha.




