Rraklli: Kemi shanse të mira për kualifikim

 

Më 22 tetor përfaqësuesja shqiptare e futbollit të femrave nis rrugëtimin në kualifikueset e “Euro 2017” me sfidën ndaj Greqisë që do të zhvillohet në orën 14:00 në stadiumin “Loni Papuciu” të Fierit. Prej pak ditësh vajzat kuqezi janë grumbulluar në kompleksin në Durrës, ku orët e fundit kanë mbërritur edhe lojtaret që kanë qenë të angazhuara në kampionatet evropianë me skuadrat respektive. Nga futbollistet e grumbulluara vetëm 7 prej tyre luajnë në Shqipëri, ndaj trajneri Altin Rraklli beson se vajzat që vijnë nga jashtë do ta çojnë në një tjetër nivel kombëtaren me eksperiencën që kanë. “Skuadra është kompletuar vetëm ditën e fundit me lojtarët që luajnë jashtë. Më duhet të shoh gjendjen e tyre fizike dhe të vendos më pas për formacionin që do të hedh në fushë ndaj Greqisë”. Përballja e parë me Greqinë, që konsiderohet një rivale e drejtpërdrejtë për Shqipërinë, sipas Rrakllit ka shumë rëndësi për ecurinë e rezultateve në këto eliminatore. “Grupi ynë është relativisht i pranueshëm. Kemi Francën që mbetet shumë e fortë, më pas Ukrainën që ka vite që është formuar si ekip, ndërsa Rumania dhe Greqia, mendoj se janë ekipe që mund t’i rivalizojmë. Me Greqinë kemi pak për të marrë për humbjen 4-0 në ndeshjen e fundit që kemi luajtur me ta”. Si një ish-futbollist i kombëtares kuqezi, Rraklli përfitoi nga rasti për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e “Euro 2016”.

 

 

Share it :