Roberti, Erioni dhe dinjiteti!

Roberti, Erioni dhe dinjiteti!

Nga pastor Akil Pano

Për disa arsye refuzova të shkruaj a flas në media mbi ate që për ditë me rradhë mbuloi kronikat e lajmeve dhe tryezat e debatit televiziv në Shqipëri.

Por mbrëmë, në një nga debatet televizive, dëgjova një zonjë të deklaronte:

“Buka dhe lekët janë përpara dinjitetit njerëzor.”

Fjalia tingëllon pragmatike, veçanërisht në kohë krizash ekonomike.
Por në thelb fsheh një nga tragjeditë më të mëdha të shoqërive moderne:
momentin kur njeriu fillon të trajtohet jo më si person, por si funksion, aksesor, mbase dhe stomak.

Sepse kur buka vendoset mbi dinjitetin, njeriu pushon së qenuri një qenie morale dhe reduktohet në konsumator i mbijetesës.

Historia ka zbuluar lakuriqësinë e regjimeve që i kanë dhënë ‘bukë’ në mënyrë selektive njerëzve të spikatur dhe popujve duke i marrë atyre dinjitetin. Mekanizmi i bukës në këmbim të dinjitetit gjithnjë
ka prodhuar frikë, nënshtrim dhe dehumanizim.

Vetë fjala “dinjitet” vjen nga latinishtja dignitas, që nënkupton: vlerë të brendshme,
nder, fisnikëri të qenies.

Pra, dinjiteti nuk është luks.
Nuk është privilegj i të pasurve. Nuk është dekor social.
Dinjiteti është vlera që njeriu ka vetëm për një arsye, sepse është njeri.

Në filozofi, idea e dinjitetit arrin kulmin tek Immanuel Kant, i cili deklaronte:
“Njeriu nuk duhet trajtuar kurrë vetëm si mjet, por gjithmonë si qëllim në vetvete.”

Ky është themeli i qytetërimit modern.

Sepse kur njeriu trajtohet si numër pensioni, kartë votimi, krah pune, ose barrë për ekonominë,
atëherë shoqëria hyn në krizën e saj me të thellë, kriza morale.

Në Bibël, dinjiteti njerëzor shkon edhe më thellë. Njeriu ka dinjitet sepse është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë:
“Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij.”
(Zanafilla 1:27)

Pra: vlera e njeriut nuk buron nga pasuria, mosha, fuqia, produktiviteti,
apo nga aftësia për të kontribuar apo konsumuar.

Por nga vetë fakti se njeriu mban vulën e Krijuesit.

Kjo është arsyeja pse një i moshuar i harruar, një pensionist i varfër, një artist pa të ardhura, një i sëmurë, apo edhe një njeri i pamundur fizikisht, ka po aq dinjitet sa një kryeministër apo miliarder.

Sepse dinjiteti nuk matet me tregun. Ai matet me qenien.

Kushtetutat moderne ndërtohen mbi këtë parim. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si gjithë tradita juridike europiane pas Luftës së Dytë Botërore, e konsideron dinjitetin njerëzor themel të të drejtave dhe lirive.

Sepse Europa pa se çfarë ndodh kur shteti fillon të ndajë njerëzit në: të vlefshëm dhe të pavlefshëm, produktivë dhe barrë, elitë dhe mbetje sociale.

Këtu fillon barbaria.

Prandaj është e dhimbshme kur në Shqipëri politikat fiskale ndaj moshës së tretë janë dëshpërimisht dehumanizuese.

Problemi nuk është vetëm niveli i pensioneve.

Problemi është mënyra si trajtohet i moshuari në Shqipëri! Radha poshtëruese, pensione që nuk mbulojnë ilaçet, izolim social. Dhe në fund, me ndjesinë sikur shoqëria mezi pret largimin e tij.

Një qytetërim matet jo nga mënyra si trajton të fortët, por të dobëtit. Jo nga mënyra si trajton pushtetarët, por pensionistët. Jo nga kullat që ndërton, por nga respekti që ruan për ata që ndërtuan jetën para nesh.

Shoqëria që humbet respektin për të moshuarit, humbet kujtesën e vet. Dhe kur një komb humbet kujtesën, fillon shpërbërja morale.

Cila është zgjidhja?

Zgjidhja nuk është vetëm ekonomike. Ajo është morale,
filozofike, dhe shpirtërore. Në Shqipëri duhet të ndërtojme idenë se njeriu nuk është shoenzim, por person.

Politika sociale duhet të ndërtohet mbi dinjitetin: pensione që lejojnë jetesë normale, shërbim shëndetësor njerëzor, mbështetje për vetminë dhe izolimin, lehtësira fiskale reale për moshën e tretë, dhe mbi të gjitha, respekt publik.

Kafshata pa dinjitet mund të mbajë trupin gjallë, por e vret shpirtin e njeriut.

Ndërsa dinjiteti është vlera që e bën njeriun të mbetet njeri në çdo rrethanë. Nga kjo premisë dinjiteti, njeriu duhet të trajtohet si njeri.
#akilpano

Share it :