Rinia, e ardhmja apo brenga jonë?

ndricim-mehmeti21-c1200x600

 

Nga Ndriçim Mehmeti

 

Ne jemi ndoshta një nga të paktat vende, ku rinia ka mëkatet dhe merita më të mëdha në historinë tonë moderne. Rinisë i vihet gjithë përgjegjësia e importimit dhe përkrahjes së komunizmit në fund të viteve ‘30 dhe fillimin e viteve ‘40 të shek. XX. Po ashtu rinia ishte mëkatare që u ngrit e nuk la më aksion pa shkuar, nën thirrjen e Partisë së Punës. Po kështu ishte rinia që prishi me kazmë e lopatë objekte e kultit, që në fakt ishte një histeri kolektive, që do të përsëritej më vonë në forma të ndryshme. Rinisë dhe studentëve ju vesh merita e madhe e shembjes së komunizmit në Shqipëri. Rinia u ngrit kundër qeverisë më 1997, duke u pagëzuar si “pëllumbat e paqes e demokracisë”. Tani që epoka e lavdisë dhe marrëzisë njëkohësisht duket se ka marrë fund, rinia, akuzohet se po prish shoqërisë tonë me veset e saj të këqija.

A thua është rinia që e ka çuar këtë vend në shkatërrim-lavdi-degjenerim, apo është shoqëria që ne kemi ndërtuar, e cila bën të mundur një sjellje të tillë?

Padyshim që është shoqëria që ka krijuar kushtet më ideale që rinia, të jetë në rolin e saj, të deformohet, të heq e të verë maska sipas kohës. A nuk thoshte propaganda komuniste se rinia është balli i luftës sonë? Se ajo ka arritur të mohojë edhe familjen edhe prindërit për hir të idealit të madh komunist? A ishte rinia që me guxim do t’i vinte shpatullat ndërtimit të Shqipërisë së re? Ishte detyra e saj të hidhte poshtë “zakonet prapanike”, të mos besonte në Zot e Perëndi, të kritikonte prindërit në rastin se shkonin në kishë e xhami, të ikte nga shtëpia në rast se prindërit nuk i përgjigjeshin thirrjeve të të rinjve dhe të rrëmbenin kazmën, duke shëtitur kantier më kantier. Në zbatim të fjalës së urtë popullore, “I riu si veriu”, të rinjtë shkonin, aty ku e gjenin veten më të lirë, zot të vetvetes dhe të bindur se vendosnin për fatin e tyre. Derisa erdhi një kohë që rinia e dalë nga e njëjta shoqëri, filloi të demaskohej përmes fletërrufeve për flokët e gjata, xhinset e ngushta, por edhe për faktin se kishin ndonjë dashnore, përpara se të martoheshin çka nuk lejohej. Rinia e viteve 70-80 filloi të ndryshoj rrënjësisht, me rininë e viteve 1940-50-60. Ajo nuk ishte më luftarake, kokulur e papërtuar, luftarake, në ballë të luftës dhe pa pretendime. Rinia e pas viteve 60-të, si në çdo vend tjetër, kishte më shumë dëshirë për liri, muzikë, shprehje të hapur të interesit për argëtimin, përfshi edhe lirinë seksuale.

Në atë kohë, për pak muaj, u duk sikur të gjitha këto dëshira të rinisë, mund të bëheshin realitet. Mirëpo Revolucioni Kulturor, në një vend të largët e pa asnjë lidhje me Shqipërinë i prishi të gjitha planet. Rinia ju kthye të njëjtit uniformitet, pantallonave dok e terital që dukeshin gjithandej, si dhe dhunës psikologjike, për të pranuar dorëzimin pa kushte. Tani që të gjitha këto janë shuar dhe rinia, sjell ndërmend se ajo përmbysi regjimin komunist, duke u bërë lajmësit e parë nëpër botë, ambasadorë pa kredenciale, e të rreckosur të vendit që e mbante veten për fanar ndriçues të Evropës e botës.

Si në vjershat e rilindësve të vjetër, përsëri ngrihet pyetja e përshtatur “Po tani rini, më thuaj si je”?

Krejt e drobitur e rrxuem mbi dhé. Kush kalon shkel, merr nëpër këmbë, dikush na çon e na tërheq me i shkue pas, me marr një post, një ofiq, një makinë, ca pare që bien erë, e erë askujt nuk i del. Ku është rinia sot? Në kafene, Bllok, PUB, Club, Coffe Shop, Interent Kafe, Body Center, në Festën e Pezës, netët e Bardha, në ditët e zeza. Rinia është larg aksionit politik e qytetar, larg shkollës, larg shkencës, larg imponimit të politikave në favor të saj. Një grusht njerëzish me flokë të gjata e mendje të shkurtër, të cilët, rrahin gjoksin si këshilltarë të rinisë, janë bash shkatërruesit e saj. Rinia shkon në gjimnaze me çantën shpinë, cigaren në gojë e mendjen në Amerikë, Kanada, Zelandë të Re, Evropë e madje edhe në Kinën e largët, që dikur shikohej me përçmim. Larg, sa më larg, e kanë mendjen këta të rinj të plakur të kërrusur nga qëndrimi me orë të tëra në kafene, internet, apo në ndonjë bordurë që ende ka mbetur diku në ndonjë fshat. Me sytë nga rruga se dikush mund t’i qeras, me mendjen tek zilja e celularit se mos ndoshta kushëriri ven dorën në zemër të paguajë rrugën në Angli, Holandë e Belgjikë, në tokë afër këmbëve, bishtat e cigareve vinë e shtohen. 26 mijë vende pune presin të zihen nga të rinj të kualifikuar që as nuk duan t’ia dinë se ku janë. Ata që janë kamerier të thonë nën zë, se këtë punë e kanë ose për të hequr shpenzimet e shkollës përfshi dhe pagesat nën dorë për provimet, ose për të nxjerrë ndonjë lek që t’ia mbathin nga sytë këmbët. Më të mirët e tyre, rendin çdo vit në Itali, Amerikë, Gjermani, e gjetiu për studime, nën urimin e prindërve “Inshallah (Dhëntë Zoti) del mirë e rregullohet aty ku është, që të mos kthehet prapë këtu”. Ndërsa në Tiranë, në zyrat mondane grihet sallatë natë e ditë, si do ta bëjmë për vete rininë. Në emër të rinisë flasin pa pikë turpi e droje, sikur të ishin fëmijët e tyre të adoptuar që i kanë shpëtuar prej të keqes. Flasin e lëpihen, bëjnë gallatë e selfie, por ama kur shkon dora tek kuleta për rininë: Jo prit se kemi halle të tjera. Këta kënaqen me një au viu njëherë në vit. U nxjerrim edhe fotot nëpër rrugë, brohorasim kur të na vijnë tek oborri, ama larg qoftë të merremi me kushtet e shkollës, punësimin, strehimin, dhënie e ndonjë kredie simbolike për biznes. Ato janë ekskluzivitet i të rinjve, por të oborrit tonë natyrisht. 25 vjeç e bëjmë drejtor, 30 shef kabinetit, 28 të mbledh tatime e shumë 35 të na vejë rendin. Por gjithnjë me kushtin e vetëm të panegociueshëm: Të ketë punuar pa u lodhur në fushatën tonë, një vit pa lek në shtabin e lagjes, të ketë shtruar i ati disa drekëra e darka, se ndryshe, ç’u pa që jemi tanët, me një përplasje duarsh? Sehiri i miletit dhe fjalimet e kryetarit dhe deputetit, duhen lagur, se kështu e ka zakoni në anët tona.

Kështu që rinia që i përshtatet këtij muhabeti, vrapon tek partia që i ka më për zemër, ajo që trazon dynjanë në Shqipëri, e që të çon atje ku do t’i. Të vetmin kusht ka devotshmërinë dhe të kesh punuar për disa muaj si kameraman për kryetarin ose sistemues kasetash. Edhe nëse ki këto veti të jepet një mundësi e artë: Si vend trajnimi është Jala, por nuk është e thënë që të gjithë të han ngjala. Tani që rinia ka pak shanse të mësojnë nëse nuk vijnë nga familje bosash, shoh shumë pak prej tyre sheh t’i hakërrehet kryeministrit, ministrit përgjegjës a parlamentit. Është trembur rinia, jonë trime, apo ka një zgjidhje që do të na habisë të gjithëve? Më e thjeshta është largimi, më e vështira është të përballosh të keqen me kurajë. Edhe nëse e bëj mendon një i ri “Kush do të fitoj, unë apo ai që do të më përfaqësoj”. Prandaj e kam të vështirë të mendoj edhe unë ndryshe. Ama e kam të lehtë të kthej një përgjigje realiste: Në këtë moment që jetojmë, rinia është brenga jo e ardhmja jonë.

 

 

 

 

Share it :